Ndërlidhjet

Kontejnerët, klasa mësimi


Mitrovicë: Nxënësit mësojnë në kontejnerë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Mitrovicë: Nxënësit mësojnë në kontejnerë

Rinis Peci, është në klasë të gjashtë në shkollën fillore "Aziz Sylejmani", në Mitrovicë.

Objekti ku ai dhe nxënësit e kësaj shkolle i vijojnë mësimet, nuk është i zakonshëm.

Edhe 19 vjet nga përfundimi i luftës, në Kosovës ende ekzistojnë kontejnerë të cilët përdoren në vend të klasave për mësim.

Në shkollën "Aziz Sylejmani" në veri të Mitrovicës, nxënësit shqiptarë shfrytëzojnë hapësirat e njëjta për mësim dhe për orët e edukatës fizike.

Janë 19 nxënës, të disa paraleleve, që aktualisht vijojnë mësimin në këtë shkollë të improvizuar në lagjen 'Kodra e Minatorëve' në veri.

Flamur Gacaferi është drejtor i shkollës "Aziz Sylejmani”. Ai tregon se si për nxënësit, po ashtu edhe mësimdhënësit, kushtet janë të vështira për mësim.

“Kushtet e punës vërtetë janë të vështira. Kanë qenë edhe më të vështira kushtet infrastrukturore. Dy baraka, dy kontejnerë, është tmerr. Kemi bërë iniciativa, kemi bërë kërkesa edhe në Ministrinë e Arsimit edhe në drejtoritë komunale të arsimit disa herë, mirëpo nuk është varur nga ta, që të jemi të sinqertë. Këtu është problem politik edhe ndërtimi i shkollës, edhe ndërtimi i ambulancës edhe vajtje-ardhja e të tjera", tha Gacaferi.

Edhe mësimdhënësit ankohen dhe thonë se kanë problem edhe me objektin ku japin mësim, por edhe me sigurinë e tyre në këtë pjesë të banuar nga popullata shumicë serbe, ku ligjet e Kosovës nuk janë zbatuar për afër dy dekada.

Fikrije Dinaj është mësimdhënëse e në lëndën e edukatës fizike.

"[Problemet] janë edhe për shkak të objektit dhe për shkak të kërcënimeve. Por, tani kohëve të fundit nuk kemi aq kërcënime sa kemi pasur. Neve arsimtareve femra nuk na kërcënojnë aq shumë, por meshkujt po ", tha Dinaj.

Janë 15 arsimtarë të cilët çdo ditë për 19 vjet udhëtojnë nga jugu i Mitrovicës në veri, për të mbajtur mësim në shkollën "Aziz Sylejmani".

Drejtoi i shkollës Flamur Gacaferi thotë se veriu i Kosovës mbetet i brishtë, ngase kur një problem ndodhë në një pjesë apo vendbanim të banuar me serbë, ai problem më pas reflekton edhe në mjedisin tjetër.

"Ne jemi këtu po e shihni jemi në mesin e serbëve nuk ka këtu asnjë shqiptar rreth e rrotull këtu që jemi, veç këtyre fëmijëve që janë atje më banim më poshtë me prindërit e tyre. Po të jem i sinqertë, nuk kemi pasur probleme të mëdha që jemi në mesin e tyre kanë qenë dy, tre raste sporadike kur është tentuar të digjet ambulanca, pastaj e kanë gjuajtur edhe në një gur në shkollë e kanë thyer një xham. Por, problemet që ndodhin në enklavat e tyre poshtë reflektohen menjëherë edhe në shkollën tonë në ‘Kodrën e Minatorëve’", tha Gacaferi.

Përfaqësuesit, e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës jugore thonë se janë duke berë përpjekje që të ndihmojnë nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën jugore të Mitrovicës, Iset Beka tha për Radion Evropa e Lirë se lidhure me shkollën “Aziz Sylejmani”, Ministria e Arsimit duhet të bëjë më shumë.

"Në ‘Lagjen e Diellit’ serbët kanë berë investime të jashtëzakonshme në territorin tonë. Atëherë pse ne nuk investojmë në pjesën tonë, në tokën tonë. Qeveria duhet të insistojë dhe nuk ka këtu çështje politike. Këta fëmijë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë", tha Beka.

Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë i ndarë, në anën veriore, të banuar me shumicë serbe dhe anën jugore, të banuar me shumicë shqiptare.

Në urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan veriun dhe jugun e qytetit, ende mund të shihen patrullat statike të autoritete të rendit të cilat kujdesen për sigurinë në këtë qytet.

XS
SM
MD
LG