Ndërlidhjet

Gjyqësori në veri po zbaton ligjet e Kosovës


Gjykata në Mitrovicën e Veriut

Autoritetet në Kosovë vlerësojnë se integrimi i gjyqësorit në pjesën veriore të vendit, po ecën mirë dhe pa probleme. Pas afër dy dekadave të funksionimit paralel të sistemit të drejtësisë në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku ishin zbatuar ligjet e Serbisë, nga viti i kaluar, konform marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka filluar integrimi gjyqësorit, i cili tani po zbaton ligjet e Republikës së Kosovës.

Gjyqtarët dhe prokurorët në veri të Kosovës, sipas autoriteteve janë duke punuar pa probleme dhe duke respektuar ligjet e Kosovës.

Në Prokurorinë Themelore që ndodhet në Mitrovicën Veriore, në “Lagjen e Boshnjakëve”, kryeprokurori, Shyqyri Syla tha se që kur ka filluar të funksionojë sistemi i drejtësisë në atë pjesë të Kosovës, ka nisur të zvogëlohet edhe numri i rasteve kriminale.

"Që në fillim, mund të them se këta dy- tre muajt e fundit vërehet një rënie e kriminalitetit sepse kryesit potencialë të krimeve e dinë tashmë se mund të ballafaqohen me ligjin", tha Syla.

Edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thonë se integrimi i sistemit të drejtësisë në veri është duke shkuar kryesisht mirë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha për Radion Evropa e Lirë se përveç disa problemeve të vogla në ndarjen e lëndëve, aktualisht nuk ka problem e të tjera në gjykatën e veriut.

"Integrimi është bërë. Me rëndësi është që nuk ka incidente. Edhe gjyqtarët edhe stafi kanë raporte dhe respekt të ndërsjellët. Janë disa çështja që duhet të rregullohen, çështja ndarjes së lëndëve, dhe po ashtu do të diskutohet edhe rreth vlefshmërisë së vendimeve, ku do të sqarohen disa gjëra që kërkojnë një angazhim më të madh", tha Idrizi.

Më 27 tetor të vitit të kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dekretuar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë, shumica serbë, të cilët, sipas presidencës ishin zotuar se do të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Kryeprokurori Shyqyri Syla tregon se në prokurorinë të cilën e drejton, integrimi i prokurorëve serbë është bërë dhe punët, siç tha ai, janë duke vazhduar në mënyrë normale.

"Janë 10 prokurorë të integruar dhe 24 punëtorë të stafit ndihmës që janë gjendur shumë mirë. Nuk kanë ndonjë vështirësi në punën e tyre, janë duke punuar. Një vështirësi e vetme ka qenë mungesa e përkthimit nga gjuha serbe në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, por edhe kjo çështje ndërkohë është rregulluar dhe janë punësuar përkthyesit. Kështu që nuk kemi telashe sa i përket integrimit dhe punës se prokurorëve", tha Syla.

Më 14 shkurt, kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, Këshillit Gjyqësor të Kosovës i kishte ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, siç ka bërë të ditur, ka pranuar me shkrim dhe në forma tjera kërkesa nga gjyqtarët, stafi mbështetës dhe partnerët e sistemit gjyqësor, që kjo dorëheqje të mos pranohet.

"Ne nuk e kemi aprovuar dorëheqjen dhe ai tash ka filluar punën dhe është duke punuar. Arsyet kanë qenë personale, por me rëndësi është që ai është kthyer dhe procesi është duke u zhvilluar normalisht", tha Nehat Idrizi, kryesuesi i KGJK-së.

Nga shkurti i vitit 2015, kur është arritur Marrëveshja e parë për drejtësinë në Bruksel, gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë dhe serbë në veri kanë punuar në sisteme të ndara deri para pak muajve, kur gjyqtarët dhe prokurorët serbë pranuan të dekretohen para presidentit të Kosovës. Pas kësaj, ata punojnë në objekte të përbashkëta dhe në bazë të ligjeve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG