Ndërlidhjet

Prishtina dhe Beogradi pajtohen për marrëveshjen mbi drejtësinë


Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, u takuan të enjten në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Kjo e fundit ka lëshuar një deklaratë për media, duke thënë se "të dyja palët janë pajtuar për hapat përfundimtarë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur brenda dialogut që ndërmjetëson BE-ja".

"Presidentët konfirmuan se marrëveshja do të zbatohet plotësisht më 17 tetor, 2017. Atë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen në Gjyqësorin e Kosovës. Integrimi i personelit gjyqësor do të mundësojë drejtësi në gjithë Kosovën, në veçanti në rajonin e Mitrovicës", tha Mogherini.

Duke folur për gazetarët pas takimit, edhe Thaçi, edhe Vuçiq thanë se janë pajtuar që të shpeshtohen takimet e tilla, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje midis dy popujve.

"Edhe Kosova, edhe Serbia, qytetarët e të dyja vendeve kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare që u hap perspektivë të dyja vendeve për integrimin evropian", tha Thaçi.

"Vetëm dialogu, mirëkuptimi dhe pajtimi janë rruga e së ardhmes për të dyja vendet. Shpresoj se do të punojmë në këtë frymë edhe në të ardhmen dhe do të arrijmë marrëveshje", shtoi Thaçi.

Ai u zotua se çdo marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve do të jetë në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës.

Thaçi po ashtu tha se nuk ndërhyn në debatet e brendshme në Serbi dhe se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial janë çështje të përfunduara dhe të pakthyeshme.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se bisedimet kanë qenë të hapura dhe se ato do të vazhdojnë në forma të ndryshme.

"Askush nga ne nuk është shumë optimist, por po e përsëris atë që u kam thënë të gjithëve në Beograd, që i kam thënë Hashim Thaçit dhe Federica Mogherinit: nëse kemi qoftë një ose dy përqind shanse që të arrijmë ndonjë marrëveshje, ajo ia vlen për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë", tha Vuçiq.

Takimi i së enjtes vjen pas atij të 3 korrikut, në të cilin Thaçi dhe Vuçiq kanë thënë se kanë rënë dakord që bisedimet të hyjnë në një periudhë të re, për të trajtuar çështje përtej atyre teknike.

Thaçi atëherë ka shprehur bindjen se kjo periudhë e re do të çojë në pajtimin e dy vendeve dhe do t’i hapë rrugë së ardhmes evropiane.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Normalizimi është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Me procesin e deritashëm, Kosova ka siguruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në bllok.

Vuçiq po ashtu ka paralajmëruar hapjen e një dialogu të brendshëm për Kosovën, me qëllim që t’i jepet fund, siç ka thënë ai, “qasjes mitike” ndaj saj.

Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu nuk dihet. Kosova vazhdon të figurojë në Kushtetutën serbe si “pjesë e Serbisë”, ndonëse Vuçiq ka thënë se po shqyrton mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të këtij viti.

Megjithatë, analistët në Prishtinë nuk presin që në një afat të shkurtër kohor të ndodhë ndonjë kthesë e madhe, që si rezultat do të sillte njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Autore e magazinës së përjavshme televizive 'Expose'. Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë. 

XS
SM
MD
LG