Ndërlidhjet

Skenarët nga dialogu i brendshëm serb për Kosovën


Ilustrim

Serbia, përmes dialogut të saj brendshëm për Kosovën, të iniciuar javë më parë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, po shkon drejt qëllimit që ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës, ta zhbëjë atë, si dhe ta ndajë atë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serb.

Në rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, ata shprehin dyshimet e tyre lidhur me skenarët dhe qëllimet e vërteta të nismës së Vuçiqit për dialogun e brendshëm në Serbi për Kosovën.

Dy skenarë dhe shpërndarje e përgjegjësisë

Njohësi i zhvillimeve politike, Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se nisma e presidentit serb, Vuçiq, tashmë ka nxjerrë në pah se Serbia gjendet para dy skenarëve.

Sipas tij, skenari i parë është që, pas presionit nga Bashkimi Evropian, Serbia ta heqë nga Kushtetuta e saj Kosovën, për t’i hapur vetes rrugën e integrimit evropian, si dhe të modifikohet qëndrimi politik i Serbisë apo të zbutet qëndrimi i saj armiqësor ndaj Kosovës, që të mos pengohet përparimi i kësaj të fundit në arenën ndërkombëtare.

Ndërkaq, skenari i dytë, siç thotë profesor Qorolli, është ajo që tashmë po e bën Serbia, margjinalizimi përbrenda këtij vendi i çështjes së normalizimit të raporteve me Kosovën, për faktin se populli në Serbi është i lodhur nga kjo çështje, ndërkohë që do të zhvillojë politikat e saj në vija tjera.

“Kjo nënkupton një skenar që do të prodhojë edhe kërkesën eksplicite tashmë të Serbisë, që flet për një lloj demarkacioni ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, si dhe zhbërjen e Republikës së Kosovës dhe që pjesën tjetër të Kosovës, tek Ibri, ta ndajë me Shqipërinë. Ky është skenari që tashmë Serbia edhe zyrtarisht po e promovon”, thotë Qorolli.

Njohësi i zhvillimeve politike, Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, shpreh bindjen se presidenti serb, Vuçiq, është në presionin e faktorëve ndërkombëtarë dhe me nxitjen e një dialogu të brendshëm serb për Kosovën, po përpiqet të dalë nga situata e vështirë.

“Duke nisur rrëfimin për një dialog të brendshëm, ai po përpiqet që një pjesë të përgjegjësisë për veprimet e ardhshme t’i bartë edhe tek aktorët tjerë politikë. Kështu që unë mendoj që e gjithë kjo më tepër është për përdorim të jashtëm, do të thotë si një porosi e Vuçiqit se ai megjithatë po përpiqet të bëjë diçka. Kjo është esenca e rrëfimit”, thotë Miletiq.

“Balona provues”, çfarë është serbe e çfarë shqiptare

Në muajin korrik, kur presidenti serb Vuçiq kishte folur për nevojën e nisjes së një dialogu të brendshëm serb për Kosovën, në një shkrim autorial për një media të Beogradit, Vuçiq pati theksuar “duhet provuar që të jemi real dhe të mos lejojmë që të humbasim ose dikujt t’ia dorëzojmë atë që kemi, por edhe të mos presim se do të na kthehet në dorë ajo që e kemi humbur kaherë”.

Megjithatë, ditë më parë, Vuçiq u ka thënë medieve serbe se dialogu tashmë ka nisur.

“Dialogu ka nisur me të madhe. Numri më i madh i njerëzve nga skena publike po deklarohen për këtë dhe do të vazhdojnë të deklarohen. Por, vazhdimi i këtyre bisedave do të bëhet në disa rrathë koncentrik. Besoj që është vendi për këtë edhe në Këshillat e Kuvendit Popullor, më pas edhe në seancat plenare të Kuvendit, ndonëse të gjithë do ta shfrytëzojnë këtë për përplasje politike. Por, këtë duhet ta bëjmë, sepse është obligim”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se në dialog do të përfshihet edhe shoqëria civile dhe sektori joqeveritar, Kisha serbe dhe Akademia e Arteve, për të parë nëse do të mund të arrihen përfundimet.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, kohë më parë ka deklaruar për mediet serbe se ideja e tij është që të definohet se çfarë në Kosovë është serbe, e çfarë shqiptare.

“Nuk po flas për ndarje, por thjesht po flas për definimin e asaj që është ‘serbe’ dhe asaj që është ‘shqiptare’. Te ne ekzistojnë shumë më tepër të tillë që mendojnë se Kosova është e humbur dhe që mendojnë se ky dialog është nisur për ta pranuar Kosovë. Për diçka të tillë dialogu nuk nevojitet. Por, kjo Qeveri e Serbisë dhe ky president i Serbisë, nuk do ta bëjnë këtë”, ka thënë Daçiq.

Por, njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, po ashtu ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, vlerëson se autoritetet e Beogradit, në forma të ndryshme, por me një qëllim, po tentojnë ta matin pulsin jo vetëm të opinionit në Serbi, por edhe të faktorit ndërkombëtar.

“Po shoh se po insistohet shumë për një ndarje. Edhe ai, Vuçiq, po tenton që të lëshojë disa balona provues që ta shohë se në cilin drejtim do të mund t’i zhvillojë ato bisedime. Në qoftë se dikush do të paraqitej dhe do të thoshte ‘eja të flasim për ndarjen’, atëherë mjaft njerëz do të peshkoheshin në një karrem të tillë".

"Kjo është krejtësisht e pamundur dhe joreale dhe mendoj që ai, vetëm atëherë do të pësonte thyerje para përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe brenda bashkësisë serbe, e në fund edhe në Beograd”, vlerëson Nojkiq.

Ndikimi në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Por, a pritet të ketë ndikim dialogu i brendshëm në Serbi për Kosovën, në raportet ndërmjet dy shteteve, të cilat tash e 6 vjet kanë zhvilluar dialogun në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve?

Miletiq shpreh dyshimin se dialogu u brendshëm serb do të mund të ndikojë në klimën e raporteve të Serbisë me Kosovën, përveç nëse ai përfundon me rezultate.

“Unë dyshoj që me këtë dialog të brendshëm mund të vijë deri te ndonjë përmirësim i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Përveç, në rast se pas atij dialogu të brendshëm , që do të ndodhë ose jo, do të arrihet tek disa veprime drastike. Atëherë do të mund të prisni diçka. Nuk e di çka, përmirësim apo përkeqësim. Do të varet nga ato veprime. Por, kryesisht, më tepër varet nga vendimet se nga vet dialogu”, thekson Miletiq.

Megjithatë, profesor Qorolli shpreh drojën se dialogu i brendshëm serb mund të prodhojë rezultate, të cilat Serbia do të përpiqet t’i përdorë kundër Kosovës.

“Në rast se Serbia detyrohet nga Bashkimi Evropianqë ta tërheqë nga preambula e Kushtetutës së saj Kosovën, atëherë frika ime kryesore është që do të jetë një hap pasues, forcimi i një autoriteti ekstra-legal dhe një ‘djalli’ kushtetues, siç është në sistemin kushtetues të Kosovës, e që mund të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe. Nëse Serbia, do të thotë Beogradi zyrtar, tenton që ta manipulojë Kosovën përmes Listës Serbe dhe me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë do të jetë një telashe serioze për Kosovën”, vlerëson Qorolli.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës, kanë shprehur indiferencë ndaj nismës së Vuçiqit për dialogun e brendshëm serb për Kosovën, duke e konsideruar atë si çështje të brendshme të Serbisë, por edhe për shkak të paqartësive rreth formimit të institucioneve, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG