Ndërlidhjet

BE-ja rrit nivelin e rrezikut nga përhapja e koronavirusit


Kinë.
Kinë.

Numri i personave të vdekur në gjithë botën nga koronavirusi i ri ka arritur në 3,000, teksa Kina ka raportuar për 42 vdekje shtesë.

Më shumë se 90 për qind e të gjitha vdekjeve janë raportuar në Hubei, provincë kineze ku ka shpërthyer fillimisht virusi në dhjetor të vitit të kaluar.

Deri më tani është raportuar për të vdekur në më shumë se dhjetë shtete, duke përfshirë më shumë se 50 në Iran dhe më shumë se 30 në Itali.

Në gjithë botën, është thënë se 90,000 persona janë infektuar me këtë virus, përderisa numri i personave të prekur jashtë Kinës është duke u rritur më shumë sesa brenda territorit kinez.

Ndërkohë Bashkimi Evropian ka rritur rrezikun e përhapjes nga koronavirusi i ri nga i mesëm në të lartë, teksa numri i rasteve të prekura nga ky virus ka arritur në 2,100 në bllokun evropian, bashkë me 21 të vdekur.

“Qendra Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve ka njoftuar sot që niveli i rrezikut është rritur nga i mesëm në të lartë për njerëzit në Bashkimin Evropian. Me fjalë të tjera, virusi vazhdon të përhapet”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se shumica e pacientëve kanë simptoma të lehta, derisa shkalla e vdekshmërisë duket se është nga 2 deri në 5 për qind.

Koronavirusi i ri përcillet me koll të thatë, temperaturë dhe probleme në frymëmarrje.

Për krahasim, gripi sezonal ka shkallë të vdekshmërisë rreth 0.1 për qind, mirëpo është tejet i përhapur, pasi më shumë se 400,000 persona vdesin në vit nga ky virus.

Llojet tjera të koronavirusit, siç ka qenë SARS-i apo MERS-i kanë pasur shkallë më të lartë të vdekshmërisë sesa virusi i fundit, Covid-19.

Si është situata në botë?

Teksa shkalla e përhapjes së virusit është duke rënë në Kinë, në pjesën më të madhe të botës po ndodh e kundërta.

Në Evropë, epiqendra e përhapjes është Italia.

Organi shtetëror për mbrojtje civile ka thënë se numri i të infektuarve në këtë shtet është dyfishuar në 48 orët e fundit.

Aktualisht në Itali është raportuar për të paktën 34 persona të vdekur dhe 1,694 të infektuar.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ku është konfirmuar për 36 persona të infektuar, kryeministri britanik, Boris Johnson ka kërkuar mbledhje me komitetin për emergjenca, Kobra.

Të hënën, Koreja Jugore, vendi në të cilin është përhapur më së shumti koronavirusi i ri jashtë Kinës, ka raportuar se numri i të infektuarve ka arritur në 4,212, ndërsa i të vdekurve në 26.

Shtetet si Katari, Ekuadori, Luksemburgu dhe Irlanda kanë konfirmuar rastet e para të prekura nga virusi gjatë fundjavës, derisa Indonezia po ashtu ka njoftuar për një të prekur të hënën.

Nju Jorku ka njoftuar për një paciente të infektuar pas udhëtimit të saj në Iran, derisa është raportuar për dy persona të vdekur në Uashington.

Çfarë situate ekziston në Kinë?

Kina ka raportuar të hënën për 42 vdekje shtesë, të gjitha viktima në provincën Hubei.

Një total prej 2,912 personave kanë vdekur brenda Kinës, derisa më shumë se 80,000 persona janë të infektuar.

Një person me maskë në fytyrë në ndërtesën e Bursës së Shangait. Kinë, 28 shkurt, 2020.
Një person me maskë në fytyrë në ndërtesën e Bursës së Shangait. Kinë, 28 shkurt, 2020.

Si pasojë e përhapjes së virusit, ekonomia e Kinës është goditur rëndë, pasi puna e fabrikave ka rënë në nivel rekord.

Të hënën, një person është dënuar për vdekje nga një gjykatë në Kinë, pasi ka lënë të vdekur dy zyrtarë policorë në një zonë të kontrollit të virusit, ka raportuar agjencia e lajmeve, AFP.

Ma Jianguo, 23-vjeçar, ka refuzuar të bashkëpunojë me zyrtarët, ndonëse nuk është e qartë çfarë i është thënë të bëjë, para se të therte dy zyrtarë.

Çfarë ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë?

Të dielën, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se virusi duket se prek personat mbi 60-vjeç dhe ata që tashmë kanë qenë të sëmurë.

Kjo organizatë u ka bërë thirrje shteteve të pajisjen me ventilatorë, duke thënë se “terapia me oksigjen është ndërhyrje e madhe e trajtimit për pacientët që vuajnë rëndë nga koronavirusi i ri”.

Në analizën e parë që është bërë me më shumë se 44,000 raste nga Kina, shkalla e vdekshmërisë ka qenë dhjetë herë më e lartë te personat e moshuar, në krahasim me ata të moshës së mesme.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG