Ndërlidhjet

Koronavirusi rrezikon shuarjen e zejtarive në Maqedoni të Veriut


Çarshia e Shkupit.

Koronavirusi ka zbrazur tërësisht rrugët e Çarshisë së vjetër të Shkupit. Ata pak zejtarë të cilët hapin dyqanet, thonë se gjatë tre javëve të fundit nuk kanë pasur pothuajse asnjë blerës, teksa kërkojnë nga shteti që t’iu ndihmojë sepse në të kundërtën, veprimtaria e tyre mund të shuhet.

Shumica e pronarëve të dyqaneve të argjendarisë, këpucëtarisë, orendive të drurit, ëmbëltoreve dhe zejet e tjera, kanë vendosur që të qëndrojnë në shtëpi për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

Rauf Shabani, që shet opinga të punuara me dorë, thotë për Radion Evropa e Lirë se për ditë të tëra askush nuk është futur në dyqanin e tij, e lëre më të blejë diçka.

“Gjatë këtyre dy apo tri javëve të fundit nuk kemi aspak shitje. Askush nuk futet në dyqan për të blerë nuk ka lëvizje aspak. Më herët, të paktën kishte turistë, tash s’ka asnjë. Dëgjoj se shteti do të na japë një lloj ndihme. Shpresoj. Në të kundërtën, do të duhet ta mbyll dyqanin që e kam tash e 50 vjet”, thotë Shabani.

Ndërkaq, ministrja e Financave, Nina Angellovska, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se tashmë qeveria ka marrë vendim për të ndihmuar kompanitë që merren me transport, tregti dhe hotelieri.

“Flasim për shtyrjen e aktonacioneve, apo pagesave paraprake të tatimit në fitim, që e paguajnë kompanitë për tre muaj: prill, maj, qershor. Vlerësojmë se këto përafërsisht do të kushtojnë 10 milionë euro. Vendimi targeton tregtinë, transportin dhe hotelerinë, megjithatë është i hapur për të gjithë sektorët e tjerë që janë prekur (nga koronavirusi) dhe që u kanë rënë të hyrat”, thotë Angellovska.

Por, nga Oda e Zejtarëve të Maqedonisë së Veriut, thonë se duhet intervenuar sa më shpejt me pako konkrete, që të ndihmohet zejtarët, që pjesa më e madhe e të cilëve kanë biznese familjare, ku nga ai biznes varet e gjithë familja.

Zejtarët kërkojnë që të gjitha masat e ndërmarra nga qeveria për të ndihmuar bizneset, të vlejnë edhe për ta.

“Është shumë në rregull që të të mendohet për pagën e punëtorëve sepse është ngarkesë për pronarët e bizneseve në këtë situatë krize nga koronavirusi. Koronavirusi po shkakton frikë, nuk ka lëvizje në Çarshi. Duhet të ndërmerren pako konkrete për ndihmë për zejtarët. Fillimisht të ndalohet pagesa e kësteve të kredive edhe pse mësohet se për tre muaj do të pezullohet pagesa e kredive. Por, pas kësaj prapë duhet të paguhen këstet dhe ekonomia nuk mund të rimëkëmbet aq shpejt”, thotë Bejto Morina, kryetar i esnafit të Çarshisë së vjetër të Shkupit.

Ndryshe, në Maqedoni të Veriut janë të regjistruar rreth gjashtë mijë zejtarë.

XS
SM
MD
LG