Ndërlidhjet

Pak përparim për korridoret humanitare në rundin e tretë të negociatave


Pamje të shkatërrimit afër Kievit. 6 mars 2022.
Pamje të shkatërrimit afër Kievit. 6 mars 2022.

Rundi i tretë i negociatave në mes të Kievit dhe Moskës ka përfunduar në orët e mbrëmjes së 7 marsit, derisa negociatorët ukrainas kanë përmendur përparim të lehtë për korridoret humanitare, që u mundësojnë qytetarëve të ikin nga pushtimi i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë.

Krijimi i korridoreve humanitare, që u mundësojnë civilëve ikjen nga qytetet që po sulmohen, ka qenë pikë grindjeje në mes të dy palëve, pasi më herët kanë dështuar përpjekjet për të krijuar kalime të sigurta, andaj mijëra persona kanë mbetur të bllokuar brenda qyteteve.

“Rundi i tretë i negociatave Rusi – Ukrainë ka përfunduar në Bjellorusi”, ka thënë Ambasada ruse në Minsk, përmes një postimi në Telegram.

Ajo ka thënë se bisedimet kanë zgjatur tri orë.

Asnjëra palë nuk ka dhënë hollësi tjera.

Rusia ka bërë të ditur një armëpushim të kufizuar dhe ka bërë të ditur krijimin e korridoreve të sigurta në disa qytetet ukrainase më 7 mars.

Mirëpo rrugët e evakuimit kanë çuar në Rusi apo Bjellorusi, duke nxitur kritika nga Ukraina dhe vende tjera, përfshirë presidentin francez, Emmanual Macron.

Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se 1.7 milion ukrainas, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, kanë ikur nga dhuna që është përhapur prej pushtimit rus.

Më shumë se 1 milion e këtyre refugjatëve kanë hyrë në shtetin fqinj, Poloni.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
XS
SM
MD
LG