Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha se zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë krijojnë mundësinë për t’i dhënë fund më shumë se një viti bllokade politike.
Sipas saj, tani u takon liderëve politikë që të veprojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar funksionalizimin e institucioneve.
“Zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë hapin rrugën për të kthyer faqen pas më shumë se një viti ngërçi politik. Liderët politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin e shpejtë të qeverisë”, shkroi Kallas në platformën X.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 7 qershor, me një pjesëmarrje prej rreth 35% të trupës elektorale.
Rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e nxorën partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizjen Vetëvendosje, të parën - me 42.91% të votave.
Pas saj renditen: Partia Demokratike e Kosovës me 21.08%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17% dhe Lista Serbe me 6.17%.
Pas shpalljes së fitores, Kurti e la të hapur mundësinë për bisedime dhe bashkëpunime me partitë e tjera.
Kallas theksoi, gjithashtu, se përparimi në dialogun Kosovë–Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet thelbësor për avancimin e Kosovës në rrugën evropiane.
Më herët, edhe komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, uroi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, për fitoren në zgjedhje, duke theksuar njëkohësisht nevojën për bashkëpunim mes forcave politike.
“Që Kosova të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike duhet tani të bashkohen dhe të gjejnë kompromis për të ndërtuar stabilitet institucional”, shkroi Kos në platformën X.
Ajo shtoi se mezi pret të vizitojë Kosovën për të intensifikuar punën rreth integrimit evropian dhe vazhdimin e mbështetjes përmes Planit të Rritjes të BE-së.
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri - çfarë çoi automatikisht në shpërndarjen e institucionit ligjvënës.
Ato ishin zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë zgjedhjesh të parakohshme më 28 dhjetor.
Zgjedhjet e para nuk arritën të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i siguruan Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave, nuk sollën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.