Ndërlidhjet

Kosova pajiset me kamionë ushtarakë nga Gjermania


Dy ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke qëndruar pranë kamionëve ushtarakë që Gjermania ia dhuroi Kosovës të enjten, 11 prill.
Dy ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke qëndruar pranë kamionëve ushtarakë që Gjermania ia dhuroi Kosovës të enjten, 11 prill.

Kosova i ka marrë të enjten në një ceremoni në Prishtinë pesë kamionë ushtarakë në vlerë rreth tre milionë euro si mbështetje nga Gjermania.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se kjo ndihmë do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“[Donacioni prej] 2.7 milionë eurosh që pranuam sot janë në vazhdën e donacioneve prej 3.5 milionë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë”, tha Maqedonci.

Ai tha se Gjermania ka luajtur rol të “jashtëzakonshëm” në rritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Mbështetja me automjete ushtarake për forcën është vetëm njëra nga fushat ku gjermania kontribuon ndjeshëm për sigurinë e vendit tonë”, shtoi ai.

Përveç pesë kamionëve donacion, Kosova do t’i blejë edhe 10 kamionë të tillë ushtarakë gjermanë me mjete nga buxheti i vet, sipas ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.

“Dua ta theksoj edhe sot se marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera... bashkëpunimi me FSK-në po bëhet çdo herë e më i ngushtë, posaçërisht në fushën e sigurisë”, tha Rohde.

Kamionët ushtarakë HX3, sipas kompanisë gjermane që i prodhon Rheinmetall, shërbejnë për të kryer operacione taktike dhe logjistike në kushte sfiduese dhe në terrene të vështira.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, duke ia dorëzuar çelësat një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një ceremoni në të cilën Kosova i pranoi pesë kamionë ushtarakë donacion nga Gjermania, të enjten më 11 prill.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, duke ia dorëzuar çelësat një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një ceremoni në të cilën Kosova i pranoi pesë kamionë ushtarakë donacion nga Gjermania, të enjten më 11 prill.

Në buxhetin e Kosovës për vitin 2024, të miratuar fundin e vitit të kaluar, Ministrisë së Mbrojtjes i është ndarë buxhet në vlerë prej 153.049.911 eurosh.

Kosova i ka shtuar përpjekjet për të blerë armatim dhe pajisje të tjera këtë vit. Në fillim të janarit, Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Kjo vjen në një kohë tensionesh të rritura mes Kosovës dhe Serbisë.

Muajin e kaluar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi Serbinë për dërgimin e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të saj me Kosovën.

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke qëndruar pranë kamionëve ushtarakë që Gjermania ia dhuroi Kosovës gjatë një ceremonie në Prishtinë, të enjten më 11 prill.
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke qëndruar pranë kamionëve ushtarakë që Gjermania ia dhuroi Kosovës gjatë një ceremonie në Prishtinë, të enjten më 11 prill.

Në janar, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se ka bërë kërkesë për blerjen edhe të armëve të tjera, përveç 246 raketave kundërtanke të tipit Javelin.

FSK-ja është në një process të shndërrimit në Forcë të Armatosur të Kosovës, i cili nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e saj.

Ky proces është planifikuar të zgjasë dhjetë vjet - deri në vitin 2028.

Forca e Sigurisë e Kosovës aktualisht ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në më shumë se 7.500 dhe do të përfshijë anëtarë aktivë dhe rezervë.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG