Ndërlidhjet

Haradinaj nis punën me çështjet e lëna në gjysmë rreth Demarkacionit dhe Asociacionit 


Kryeministri i deritanishëm i Kosovës, Isa Mustafa, i ka dorëzuar detyrën kryeministrit të sapozgjedhur, Ramush Haradinaj.

Pritja e zotit Haradinaj në Kryeministri është bërë me ceremoni shtetërore, ku Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës është rreshtuar dhe ka intonuar himnin e Kosovës, për nderë të dorëzim-pranimit të detyrës së kryeministrit.

Haradinaj takimin e parë në postin e kryeministrit e ka realizuar me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Delawie pas takimit me kryeministrin Haradinaj, ka ritheksuar mbështetjen që do të vazhdojë ta ketë Kosova nga SHBA-ja.

"Prioritetet tona sa i përket politikave, mbesin ato që kanë qenë edhe gjatë viteve të kaluara, kanë të bëjnë më përmirësimin e sundimit të së drejtës me zhvillimin ekonomik, dhe përmirësimin marrëdhënieve dhe sigurisë rajonale”.

Natyrisht që ju bëj ftesë të gjithë udhëheqësve të ri të Kosovës pa marrë parasysh a janë në Qeveri apo ministra apo deputetë, që të t'i vënë interesat e shtetit të tyre para të gjitha çështjeve të tjera”, ka thënë Delawie duke shtuat se nuk ka kohë për të pritur bota po ecë përpara, Evropa po ecë përpara dhe, siç tha ai, edhe Kosova duhet të sigurojë që të marrë vendime të rëndësishme për të siguruara se është në rrugëtimin euro-atlantik.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me rastin e konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës ka kërkuar që institucionet të vazhdojë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane.

"Kosova përballet me sfida të vështira, duke përfshirë korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit, papunësi të lartë dhe performancë të dobët në sistemin arsimor”.

Këto janë pengesa serioze për zhvillimin e ekonomisë, për të tërhequr investime të qëndrueshme dhe për të krijuar mundësi punësimi", thuhet në një deklaratë nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

BE-ja kërkon nga Qeveria e sapoformuar të fillojë menjëherë të punojë për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Agjendën e Reformave Evropiane, dhe marrëveshjeve tjera përkatëse mes BE-së e Kosovës.

BE-ja pret që Qeveria e re të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe të punojë së bashku me Beogradin për të siguruar që një hap para është bërë në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga BE-ja.

Nga, ana tjetër, analisti Artan Muaxheri tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e sapoformuar është më e komplikuara, me delikatja dhe më e brishta që nga paslufta në Kosovë.

Sipas tij, kjo Qeveria e re e Kosovës do të përballet me sfida e probleme të shumta.

"Zoti Haradinaj ka trashëguar shumë probleme të mëdha. Disa prej tyre do të jenë më të vështira sesa tjerat, posaçërisht çështja e Demarkacionit dhe çështja e Gjykatës Speciale. Po ashtu edhe problemet tjera të cilat janë tradicionale në Kosovë, siç janë korrupsioni apo mungesa e zhvillimit ekonomik. Pra, këto janë probleme të cilat Qeveria Haradinaj do të duhet t’u qaset me një seriozitet të jashtëzakonshëm", tha Muhaxheri.

Kurse Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës "Fol", tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria Haradinaj do të duhej shumë shpejt të adresojë tema të rëndësishme, por në të njëjtën kohë duhet pritur disa muaj për të parë mënyrën e qeverisjes.

"Kompozimi i Qeverisë prej gjithë këtyre subjekteve politike e bënë të vështirë një lloj disipline të domosdoshme për të qeverisur me vendin. Ndër më të rëndësishmet do të jenë këto temat e nxehta politike, siç janë quajtur, pra temat që Qeveria Mustafa për dy vite e gjysmë nuk arriti t'i përfundojë e që lidhen me shënimin e vijës kufitare, lidhen me liberalizmin e vizave , me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra këto janë temat e nxehta për të cilat Haradinaj duhet me urgjencë t'i adresojë", tha Zogaj.

Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës të shtunën mbrëma e ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinajn.

Koalicioni i ri qeverisës përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Aleanca Kosova e re, Lista Serbe dhe komunitetet tjera joserbe.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG