Ndërlidhjet

“Është vetëm fillimi” - Volejbollistet e Kosovës të etura për më shumë suksese


Vajzat e ekipit U-17 të Kosovës në volejboll, duke festuar gjatë ndeshjes kundër Moldavisë në Ankara të Turqisë, 20 janar 2023.
Vajzat e ekipit U-17 të Kosovës në volejboll, duke festuar gjatë ndeshjes kundër Moldavisë në Ankara të Turqisë, 20 janar 2023.

“Po bëmë punë të mirë, të fortë, të lozim bashkë... vijnë edhe rezultatet”, ishin fjalët e trajnerit të ekipit U-17 të vajzave të Kosovës në volejboll, Donald Suxho. Kjo fjali u ndoq nga të bërtitura e lot gëzimi nga vajzat që e kuptuan se atë ditë kishin arritur një sukses historik.

Vetëm disa orë më parë – në orën 15:00, më 22 janar – ato vajza nisën ndeshjen kundër Malit të Zi në sallën Bestepe në Ankara të Turqisë.

Fitorja me rezultat 3:0 – ku vajzat e Kosovës fituan tri sete me rezultate 25:13, 25:23 dhe 25:21 kundër Malit të Zi - bëri që Kosova ta ketë për herë të parë një skuadër pjesëmarrëse në rundin e dytë të kualifikimeve për Kampionat Evropian.

Ekipi U-17 i Kosovës duke festuar fitoren kundër Malit të Zi në Turqi, 22 janar 2023.
Ekipi U-17 i Kosovës duke festuar fitoren kundër Malit të Zi në Turqi, 22 janar 2023.

Kapitenia e kësaj skuadre, Megi Bislimi, beson se kjo arritje erdhi si rezultat i punës së bërë dhe tani synon për suksese të tjera.

“Besoj që të gjitha ato që i kemi bërë në ushtrime, i kemi shfaqur edhe në lojë. Ne e kemi dhënë maksimumin dhe besoj që ajo energjia dhe mundi na u shpërblyen në fund. Synimet mbeten gjithmonë të njëjta: vetëm fitore. Pse të mos kualifikohemi edhe më tutje?!”, thotë 14-vjeçarja për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, trajneri Donald Suxho - i cili ishte pjesë e ekipit kombëtar të SHBA-së në volejboll në Lojërat Olimpike në vitet 2004 dhe 2012 - thotë se ai nuk kishte menduar se do ta arrinin një sukses të tillë.

“Ka qenë një gjë fantastike, unë jam shumë i emocionuar. Por, më shumë jam i emocionuar për vajzat dhe për Kosovën”, thotë Suxho për REL-in, teksa shton se në skuadrën e tij kishte shumë vajza që nuk kishin dalë kurrë jashtë Kosovës deri atëherë.

Ai thotë se gjatë punës ishte përqendruar në përforcimin e skuadrës në aspektin psikologjik dhe në mënyrën se si luajnë bashkë gjatë ndeshjeve.

Trajneri Donald Suxho duke folur me skuadrën U-17 të Kosovës.
Trajneri Donald Suxho duke folur me skuadrën U-17 të Kosovës.

“Unë nuk i forcova shumë në anën teknike, e mora përsipër ta bëjmë një strukturë, ta bëjmë një sistem se si do të lozim brenda lojës. I lashë të jenë të lira, por të luajnë të lira brenda një sistemi, brenda një strukture si ekip”, shton 46-vjeçari, i lindur në Korçë të Shqipërisë.

Suxho e ka zhvilluar karrierën e tij në volejboll fillimisht si lojtar e më vonë si trajner në SHBA, ku familja e tij kishte emigruar në vitin 1996.

Një lëndim ia kishte pamundësuar pjesëmarrjen në ekipin e SHBA-së dhe në Lojërat Olimpike në vitin 2008, por tani ai po shfrytëzon përvojën e tij për t’i këshilluar vajzat e ekipit U-17 të Kosovës.

“Përvoja më ka treguar që nuk dihet kurrë e ardhmja. Kur kam qenë 15 vjeç - dhe këtë ua kam thënë edhe gocave - s’kisha as ëndrra dhe nuk dija ku do të shkoja dhe, dy vjet më vonë, ndryshuan të gjitha dhe m'u hap e gjithë bota. Ky është një mësim i madh për të gjithë ne”, thotë Suxho.

Vajzat e Kosovës U-17 në volejboll festojnë gjatë fitores kundër Malit të Zi, 22 janar 2023.
Vajzat e Kosovës U-17 në volejboll festojnë gjatë fitores kundër Malit të Zi, 22 janar 2023.

Ai u emërua në pozitën e trajnerit të ekipit U-17 të vajzave të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar. Ofertën thotë se e pranoi pasi dëshiron ta ndihmojë sportin në Kosovë e Shqipëri.

“Për mua, kur ma dhanë ofertën, ishte një nder dhe kemi një mundësi t'i ndryshojmë jetët [e lojtareve] dhe kjo është një gjë fantastike”, thotë ai.

Megi Bislimi, vajza me ëndrra të mëdha

Kapitenia e skuadrës që drejton Suxho, Megi Bislimi, thotë se nuk ka dyshuar asnjëherë se volejbolli është karriera e duhur për të.

E lindur në një familje sportistësh - babai i saj kishte karrierë në basketboll, ndërsa nëna në volejboll - ajo nisi rrugëtimin e saj në botën e sportit qysh në moshën gjashtëvjeçare.

Kapitenia e Kosovës U-17, Megi Bislimi, në foto me prindërit dhe motrën e saj më të vogël.
Kapitenia e Kosovës U-17, Megi Bislimi, në foto me prindërit dhe motrën e saj më të vogël.

“Ky është vetëm fillimi i karrierës sime. Unë besoj që e kam nisur karrierën me fillime shumë të mbara. Besoj që jam duke e bërë të lumtur familjen, shoqërinë dhe pse jo edhe të gjithë shqiptarinë”, thotë 14-vjeçarja, e cila luan për ekipin e parë të klubit Drita.

Gjilanasja, që kishte debutuar me ekip të parë të Dritës kur ishte vetëm 12 vjeçe, beson se raportet e mira që kishin ndërtuar vajzat dhe trajnerët e skuadrës, ua sollën fitoren.

“Aty jemi si motra – në fushë dhe jashtë fushës. Besoj që kjo na bën të korrim edhe suksese bashkë. Trajneri ka qenë shumë i mirë, shumë i afërt me ne. Besoj që edhe ai ka qenë një faktor që ne kemi korrur suksese”, shton ajo.

Megi Bislimi gjatë ndeshjes kundër Malit të Zi, në rundin e parë kualifikues për Kampionatin Evropian.
Megi Bislimi gjatë ndeshjes kundër Malit të Zi, në rundin e parë kualifikues për Kampionatin Evropian.

E gjatë 190 centimetra, Bislimi synon lartësitë më të mëdha në sportin e volejbollit, ku mendon të fokusohet gjithë jetën e saj.

“Ëndërr e kam të bëhem lojtarja më e fortë në botë, sepse besoj që i kam të gjitha mundësitë të bëhem”, përfundon ajo.

XS
SM
MD
LG