Ndërlidhjet

Kuti votimi.
Kuti votimi.

Mbi gjysma e komunave shkojnë në balotazh

  • Më 17 tetor, qytetarët e Kosovës votuan për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të 38 komunave dhe anëtarët e asambleve komunale.
  • Sipas të dhënave preliminare, kryetarë të rinj u zgjodhën në 17 komuna, ndërkaq 21 komuna shkojnë në balotazh.
  • Dalja në zgjedhje ishte rreth 43 për qind. Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën më 19:00.
  • Në zgjedhje morën pjesë 166 kandidatë për kryetarë komunash dhe 5,198 kandidatë ishin të certifikuar për asamblistë.
  • Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
20:13 17.10.2021

Gashi: Rezultat i kënaqshëm për LDK-në

Shefi i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se rezultati i deritanishëm nga zgjedhjet lokale, është i kënaqshëm për këtë parti.

Gashi në një konferencë për media tha se LDK-ja ka një rezultat impresiv.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është në balotazh në Komunën e Prishtinës dhe në Komunën e Podujevës. Rezultati final është në kutitë e votimit. U bëj thirrje të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve në tërë Kosovën, që ta administrojnë në mënyrë korrekte procesin zgjedhor”, tha Gashi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka nisur procesi i numërimit të votave dhe rezultatet preliminare pritet të dalin sonte.

Arben Gashi, foto nga arkivi.
Arben Gashi, foto nga arkivi.

20:04 17.10.2021

Në Mitrovicë të Veriut, zgjedhje “të qeta e pa incidente”

Kryetari i komisionit komunal zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, Sllobodan Dimitrijeviq, tha se dita e zgjedhjeve kaloi në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

“Nuk ka pasur parregullsi, ndonëse e kemi pasur prokurorin në terren. Ai vetëm ishte për t’i parë qendrat e votimit dhe nuk ka asnjë vërejtje nga ana e prokurorisë”, theksoi Dimitrijeviq.

Pas numërimit të votave në vendvotime, votat do të transferohen në qendrën e votimit në Shkollën Teknike në Mitrovicën e Veriut dhe më pas do të transportohen në qendrën kryesore të grumbullimit në Fushë Kosovë.

Mbyllja e qendrës së votimit në Shkollën Teknike në Mitrovicë të Veriut.
Mbyllja e qendrës së votimit në Shkollën Teknike në Mitrovicë të Veriut.

19:57 17.10.2021

Mbyllja e vendvotimeve

Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në të gjithë Kosovën. Qytetarët e Kosovës kanë votuar në 38 komuna, për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale. Në këto zgjedhje lokale kanë pasur të drejtë vote 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë.

19:49 17.10.2021

PDK: Rezultatet e para janë shumë pozitive

Partia Demokratike e Kosovës tha se bazuar në informacionet e para që kanë marrë nga vëzhguesit në terren, rezultatet e para “janë shumë pozitive” për këtë parti, por që ky subjekt pret që të njëjtat të konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku në një konferencë për media, falënderoi qytetarët, për siç tha ajo, “kulturën e lartë demokratike e politike duke dalë e duke votuar në mënyrë të civilizuar për të ardhmen katërvjeçare të komunave tona”.

“Tani të gjitha votat e qytetarëve ndodhen në kutitë e votimit dhe ftojmë të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që të numërojnë me saktësi çdo fletëvotim, çdo votë”, tha ajo.

PDK. Foto nga arkivi.
PDK. Foto nga arkivi.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG