Shtetasi i Kosovës përballet me akuza për krime kibernetike në SHBA

Logo e FBI-së. Hektor Avdyli u arrestua nga autoritetet kosovare me kërkesë të FBI-së dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Logo e FBI-së. Hektor Avdyli u arrestua nga autoritetet kosovare me kërkesë të FBI-së dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Shtetasi i Kosovës, Hektor Avdyli, është dërguar në paraburgim në Shtetet e Bashkuara, ku do të qëndrojë në pritje të gjykimit për akuzat që lidhen me shitjen e të dhënave të vjedhura bankare dhe personale në internet.

Avdyli, 21 vjeç, u ekstradua nga Kosova në SHBA më 19 nëntor.

Atë ditë, Policia e Kosovës njoftoi për ekstradimin e një shtetasi kosovar në SHBA për krime të dyshuara kibernetike, por pa ia bërë publik identitetin.

Sipas Zyrës së Prokurorit Federal për Qarkun Lindor të Uiskonsinit, Avdyli përballet me akuza për mashtrim përmes internetit, vepra penale që lidhen me pajisjet e qasjes dhe vjedhje të identitetit, në bazë të një aktakuze të ngritur në tetor të vitit 2025.

Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, Avdyli dyshohet se përdorte forume kriminale në internet për të reklamuar dhe shitur të dhëna të vjedhura të kartelave bankare dhe informacione personale, të cilat blerësit mund t'i shfrytëzonin për mashtrime.

Autoritetet amerikane thonë se Avdyli kishte pretenduar se i kishte siguruar këto të dhëna duke i marrë fshehurazi nga faqet e tregtisë elektronike, përmes programeve kompjuterike.

FBI-ja bleu mbi 27 mijë numra të kartelave bankare gjatë hetimit

Gjatë hetimit, Byroja Federale e Hetimit (FBI) bleu në mënyrë të fshehtë nga shitësi më shumë se 27 mijë numra të vjedhur të kartelave bankare, së bashku me të dhënat personale të pronarëve të tyre.

“Baza e të dhënave përfshinte numrat e kartelave bankare të viktimave, kodet e verifikimit të kartelave, emrat, adresat, numrat e telefonit dhe/ose adresat elektronike. Në këtë bazë të të dhënave figuronin rreth 300 persona me adresa në shtetin e Uiskonsinit”, thuhet në noftimin e autoriteteve amerikane.

Sipas njoftimit, FBI-ja arriti ta identifikonte shitësin si shtetasin e Kosovës, Hektor Avdyli.

Autoritetet amerikane thanë se gjatë hetimit u gjetën edhe hard-disqe kompjuterike që i përkisnin Avdylit, në të cilat ruheshin pothuajse 2.7 milionë numra të kartelave të pagesave.

U gjetën, gjithashtu, të dhëna të tjera të kartelave bankare dhe informacione personale.

Prokurori federal, Brad D. Schimel, tha se qytetarët amerikanë shpesh bëhen shënjestër e personave jashtë vendit që ua vjedhin identitetin dhe informacionet financiare përmes internetit.

“Kjo ndodh çdo ditë dhe këto vjedhje u kushtojnë konsumatorëve amerikanë miliarda dollarë. Rasti i sotëm është i rëndësishëm sepse kemi arrestuar një të dyshuar për krime kibernetike, shtetas i huaj, i cili posedonte një sasi jashtëzakonisht të madhe të të dhënave të kartelave të pagesave që u përkasin konsumatorëve të pafajshëm. Për më tepër, i dyshuari tani ndodhet në paraburgim në territorin amerikan, ku do të përballet me ndjekje penale”, tha ai.

Nga arrestimi në Prizren tek ekstradimi në SHBA

Avdyli u arrestua në korrik të vitit 2026 nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit me FBI-në dhe Departamentin amerikan të Drejtësisë.

Sipas Policisë së Kosovës, ai u arrestua në rajonin e Prizrenit, nën dyshimet se kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna bankare dhe personale, kryesisht të qytetarëve amerikanë, dhe i kishte publikuar ato në platforma në internet.

Në njoftimin për ekstradimin e 21-vjeçarit, autoritetet amerikane u zotuan se do të vazhdojnë t'i ndjekin personat e përfshirë në krime kibernetike që kanë në shënjestër qytetarët amerikanë, pavarësisht vendit ku ndodhen.

“FBI-ja është e përkushtuar të luftojë skemat e mashtrimeve kibernetike dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët tanë lokalë, shtetërorë, federalë dhe ndërkombëtarë për t'i goditur dhe penguar këta kriminelë brenda dhe jashtë vendit. Drejtësia nuk njeh kufij. Ne do t'ju gjejmë”, tha agjenti special i FBI-së, Alan Karr.

Krimet kibernetike shpesh kërkojnë bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të disa shteteve, pasi autorët, viktimat dhe infrastruktura e përdorur për kryerjen e tyre mund të ndodhen në vende të ndryshme.

Edhe një shtetas tjetër i Kosovës u ekstradua në SHBA për krime kibernetike

Ekstradimi i Avdylit vjen pas një rasti tjetër, në të cilin një shtetas i Kosovës u përball me drejtësinë amerikane për krime kibernetike.

Ardit Kutleshi, i ekstraduar në SHBA gjatë vitit 2025, pranoi fajësinë në shtator të këtij viti për vepra penale që lidheshin me administrimin e platformës Rydox, përmes së cilës shiteshin të dhëna të vjedhura personale dhe mjete për kryerjen e krimeve kibernetike.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, përmes kësaj platforme ishin realizuar mbi 7.600 transaksione, që kishin gjeneruar të ardhura prej të paktën 232 mijë dollarësh.

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë një marrëveshje ekstradimi që nga viti 2019, e cila u mundëson të dyja vendeve të dorëzojnë persona të kërkuar për ndjekje penale ose për vuajtjen e dënimit.

Marrëveshja zbatohet për vepra penale që, sipas ligjeve të të dyja vendeve, dënohen me burgim maksimal prej më shumë se një viti.

Ajo përfshin edhe krimet kibernetike dhe pastrimin e parave, duke zëvendësuar traktatin e vitit 1901 ndërmjet SHBA-së dhe Mbretërisë së Serbisë, i cili ishte zbatuar më herët edhe në marrëdhëniet me Kosovën.

​
XS
SM
MD
LG