Një shtetas i Kosovës ekstradohet në SHBA për krime të dyshuara kibernetike

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Një shtetas i Kosovës, i kërkuar nga autoritetet amerikane për përfshirje të dyshuar në krime kibernetike, u ekstradua të enjten, më 19 nëntor, nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Policia e Kosovës njoftoi se ekstradimi u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera policore dhe institucionet e drejtësisë.

Sipas njoftimit, personi ishte në kërkim në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet amerikane të drejtësisë.

“I dyshuari iu dorëzua njësisë U.S. Marshals të SHBA-së, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’”, bëri të ditur Policia.

Autoritetet kosovare nuk e bënë publik identitetin e të ekstraduarit, moshën e tij apo hollësi për veprat penale për të cilat kërkohet në SHBA.

Radio Evropa e Lirë i kërkoi Policisë së Kosovës informacione shtesë për rastin - përfshirë kohën dhe vendin e arrestimit, akuzat konkrete dhe nëse ekstradimi lidhet me ndonjë operacion të mëhershëm të përbashkët me autoritetet amerikane - dhe është në pritje të përgjigjes.

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëveshje dypalëshe për ekstradim, e cila hyri në fuqi në qershor të vitit 2019.

Marrëveshja u mundëson dy vendeve të dorëzojnë persona të kërkuar për ndjekje penale ose për vuajtjen e dënimit për vepra që, sipas ligjeve të të dyja shteteve, parashohin dënim maksimal me më shumë se një vit burgim.

Ajo mundëson ekstradimin edhe për krime kibernetike dhe pastrim parash, duke zëvendësuar një traktat të vitit 1901 ndërmjet SHBA-së dhe Mbretërisë së Serbisë, i cili ishte zbatuar më herët edhe në raport me Kosovën.

Ekstradimi nuk nënkupton se personi i dorëzuar është shpallur fajtor. Ai është një procedurë juridike që mundëson dorëzimin e një personi tek autoritetet e një shteti tjetër, për t’u përballur me akuza penale ose për të vuajtur një dënim të shqiptuar më parë.

Ky nuk është rasti i parë i bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre amerikane në luftimin e krimeve kibernetike.

Në korrik të këtij viti, Policia e Kosovës arrestoi një person në rajonin e Prizrenit, nën dyshimin se kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna bankare dhe personale, kryesisht të qytetarëve amerikanë, dhe i kishte publikuar ato në platforma në internet.

Policia tha atëkohë se hetimet ishin zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe se veprimet e mëtejshme do të koordinoheshin me to.

Në një rast tjetër, shtetasi kosovar, Ardit Kutleshi, i ekstraduar në SHBA gjatë vitit 2025, e pranoi fajësinë në shtator të këtij viti për vepra penale të lidhura me administrimin e platformës Rydox, përmes së cilës shiteshin të dhëna të vjedhura personale dhe mjete për kryerjen e krimeve kibernetike.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, përmes kësaj platforme ishin realizuar mbi 7.600 transaksione, me të ardhura prej së paku 232 mijë dollarësh.

Nuk dihet nëse ekstradimi i 19 nëntorit ka lidhje me ndonjërin prej këtyre rasteve.

Sipas agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunim në zbatimin e ligjit, Europol, krimet kibernetike përfshijnë veprat penale që kryhen përmes kompjuterëve, rrjeteve dhe teknologjive digjitale.

Në mesin e tyre janë hyrja e paautorizuar në sisteme kompjuterike, vjedhja e të dhënave personale dhe financiare, përhapja e programeve të dëmshme dhe mashtrimet në internet.

Europol-i thekson se këto krime shpesh i tejkalojnë kufijtë shtetërorë, duke kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar për hetimin dhe identifikimin e autorëve.

Krimet kibernetike janë ndër veprat penale që shpesh kërkojnë bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të disa shteteve, për shkak se autorët, viktimat dhe infrastruktura e përdorur mund të gjenden në vende të ndryshme.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 18 nëntor, shefi i hetimeve të krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës, Fadil Abdyli, tha se hetimi i mashtrimeve online mund të kërkojë bashkëpunim me bankat dhe policitë e shteteve të tjera.

Sipas tij, autori mund të ndodhet në një shtet, viktima në një tjetër dhe infrastruktura e përdorur për mashtrim në një shtet të tretë.

Përfshirja e autoriteteve të huaja mund t’i zgjasë hetimet, pasi, siç tha Abdyli, “nuk është një punë që mund të kryhet menjëherë”.

Ai tha se Policia e Kosovës ka ekipe për hetimin e krimeve kibernetike në nivel qendror dhe rajonal, si dhe bashkëpunon me institucione vendore e ndërkombëtare për trajtimin e këtyre rasteve.

Në njoftimin e 19 nëntorit, Policia e Kosovës tha se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të parandalimit dhe hetimit të krimit, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

​
XS
SM
MD
LG