Ndërlidhjet

Gjatë këtij viti, 13 foshnje të braktisura


Klinika e Neonatologjisë në QKUK

Në dhjetëmujorin e parë të këtij viti në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë braktisur 12 foshnje, ndërkohë që të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale tregojnë se janë gjithsej 13 foshnje të braktisura për gjatë muajt e këtij viti.

Ndërkohë, shtatë prej tyre janë bashkuar me prindin biologjik, në të gjitha rastet me baballarët, pasi që nënat kanë vendosur t’i braktisin.

Pesë prej tyre kanë mbetur në Klinikën e Neonatologjisë, prej nga, sipas procedurave, atyre u sigurohet një “shtëpi e re” për të jetuar.

Aktualisht, në këtë klinikë ka mbetur vetëm një foshnje, e cila po pret për të gjetur një shtëpi banimi.

Në mungesë të nënës, përqafimin e parë pas braktisjes, këtyre foshnjave ua jep infermierja Lushe Jusufi, kryeinfermiere në repartin e fëmijëve të braktisur.

Ajo tash e 40 vjet punon në këtë klinikë. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se numri i foshnjave të braktisura nga viti në vit po shënon rënie.

“Ne lidhemi emocionalisht shumë me këta fëmijë, sepse kontakti i parë me këta fëmijë jemi ne. Nënat zakonisht nuk dëshirojnë t’i shohin, kuptohet ato që vendosin t’i braktisin. Ne me nënat nuk takohemi, kur ndahen nënat nga foshnjat, me nënat merren punëtorët socialë. Ne kujdesemi vetëm për foshnjat”, tregon ajo.

Infermierja Lushe thotë se ka mungesë stafi që të përkujdesen për foshnjat e braktisura prej vitesh. Por, ajo potencon faktin se dukuria e braktisjes së foshnjave nga nënat e tyre po bëhet gjithnjë e më e rrallë, krahasuar me vitet e mëhershme.

“Kushtet deri diku i kemi të mira, por staf ka shumë pak që kujdesen për këta fëmijë. Por, pasi ka rënë numri i nënave që po i braktisin, po ia dalim mirë. Qumështi formulë ju sigurohet nga barnatorja qendrore, derisa rrobat i sigurojmë si donacione, apo edhe vetë nënat tjera që lindin këtu, ua dhurojnë foshnjave të braktisura”, thotë Jusufi.

Video: I pari mashkull me profesion mami në Kosovë

I pari mashkull me profesion mami në Kosovë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, ka shpjeguar se foshnjat e braktisura në këtë repart mund të qëndrojnë aty deri në 28 ditë pas lindjes, por, sipas tij, ka raste më specifike kur foshnjat janë me ndonjë sëmundje dhe ato deri në shërimin e plotë trajtohen në Neonatologji.

Ai tregon se përpos nënave që lindin në Klinikën Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, edhe për rastet kur foshnjat braktisen në terren, jashtë QKUK-së, policia apo zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i sjellin në këtë klinikë.

“Në Klinikën E Neonatologjisë ekziston reparti i pranimeve nga jashtë i foshnjave dhe i rasteve sociale. Në klinikën tonë gjatë këtij viti janë trajtuar 12 raste të foshnjave të braktisura. Shtatë prej tyre tashmë janë bashkuar me baballarët biologjik, përmes punëtorëve socialë. Pjesën tjetër të foshnjave i strehojnë në familje apo Sos-kinderdorf. Rastet që gjenden në terren, zakonisht policia ose punëtorët socialë i sjellin në klinikën tonë fillimisht dhe ne i bëjmë kontrollet e hollësishme".

"Ndërkaq, pas 28 ditësh, aq sa edhe kemi të drejtë ligjërisht t’i mbajmë foshnjat këtu, i drejtojmë në vendet përkatëse përmes Ministrisë së Punës dhe mirëqenies Sociale”, bën të ditur Gojnovci.

Ndryshe, bazuar në Raportin vjetor të Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjes në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë vitit 2017, rezulton të jenë braktisur 34 fëmijë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, bazuar në Raportin gjashtëmujor të vitit 2018, janë evidentuar 13 raste të fëmijëve të braktisur.

Ndër shkaqet kryesore që këto nëna të reja braktisin fëmijët, thuhet se janë kushtet sociale dhe ekonomike, por edhe mospajtimi mes çiftit dhe familjes së vajzave për t’i mbajtur këta fëmijë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG