Ndërlidhjet

KPK shkarkon kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj

Blerim Isufaj.
Blerim Isufaj.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njoftoi të premten se e ka shkarkuar nga detyra kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, për siç tha, keqmenaxhim, jokompetencë dhe dështim në përmbushjen e detyrave.

Shkarkimi i Isufajt, në një mbledhje të jashtëzakonshme me dyer të mbyllura, u kritikua nga organizatat joqeveritare që mbikëqyrin sistemin e drejtësisë në vend.

KPK tha se e mori këtë vendim “në mbështetje të nenit 22, paragrafi 5, të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës... mbi bazën e rrethanave të konstatuara dhe të dokumentuara në procedurën përkatëse”.

Dren Paca është emëruar ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, deri në emërimin e një prokurori me mandat të plotë, thuhet në njoftim.

KPK-ja nuk dha hollësi konkrete për dështimet që ia atribuon Isufajt.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se e kundërshton mënyrën e “ngutshme dhe jotransparente” të shkarkimit të Isufajt.

“Mungesa e transparencës dhe urgjenca e pasqyruar rrezikojnë të krijojnë perceptime për ndërhyrje politike në pavarësinë funksionale të kësaj prokurorie”, tha ai.

Shkarkimi i tij vjen një muaj pasi KPK-ja nuk ia miratoi raportin e punës Prokurorisë Speciale për vitin 2025.

Isufaj ishte emëruar në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2023 dhe ky ishte mandati i tij i dytë katërvjeçar.

KPK nguli këmbë se shkarkimi i Isufajt nuk lidhet me ndikime apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e detyrës së tij.

Por Isufaj është kritikuar haptazi nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, e posaçërisht nga lideri i saj dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në fillim të këtij viti, Kurti e kishte fajësuar Isufaj për “gjendjen e keqe në prokurori”.

“Duhet një kryeprokuror i ri, jo Blerim Isufaj. Sa i përket prokurorisë, shumica e problemeve kanë emër të përveçëm e që është Blerim Isufaj”, kishte thënë Kurti në “Interaktiv” të KTV-së.

Në vitin 2025, Kurti kishte e kishte shpërfillur një thirrje të prokurorisë së udhëhequr nga Isufaj që ai të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Kurti e kishte akuzuar Isufajn se, duke e ftuar kryeministrin e vendit për marrje në pyetje në një rast të dyshuar korrupsioni, donte “të prodhonte lajm ndërkombëtar”.

Këtë e kishte përsëritur edhe ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se e gjithë kjo gjoja ishte planifikuar nga Isufaj që të bëhet lajm “në media vendore e ndërkombëtare, që Kurti paska qenë i ftuar për një aferë korruptive”.

Sipas IKD-së, fakti se partia në pushtet e kishte shënjestruar Isufajn si “njëri të padëshirueshëm dhe kishte sulme politike sistematike ndaj të njëjtit, vendimmarrja e sotme në KPK dhe pa arsye bindëse e cenon besimin e publikut për një proces të drejtë dhe jo-politik”.

Përplasja me Isufajn daton qysh në vitin 2023, kur ai synonte të bëhej kryeprokuror i Shtetit.

Presidentja e atëhershme Vjosa Osmani nuk e kishte dekretuar Isufajn për këtë pozitë kur Këshilli Prokurorial ia propozoi më 2023, me arsyetimin se ishin gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes.

​
XS
SM
MD
LG