Ndërlidhjet

Përshkallëzohet situata në Venezuelë


Tensione të reja në Venezuelë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:35 0:00

Situata në Venezuelë është përshkallëzuar, pasi mbështetësit e liderit opozitar Juan Guaido dolën sërish për të protestuar, ndërkaq forcat e presidentit të kontestuar Nicolas Madura ndërhynë dhunshëm për t’i shpërndarë protestuesit.

Në një video-incizim paraqitet një mjet i blinduar i cili shkelë disa nga protestuesit.

Lideri opozitar Juan Guaido iu bëri thirrje mbështetësve të tij që sërish të tubohen në rrugë.

Të martën ai tha se ka nisur “fazën finale” të planit të tij për ta larguar nga zyra presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro duke pretenduar se ka mbështetje nga “ushtarë trima”.

“Momenti është tani”, ka thënë ai, përderisa në video paraqitet me disa ushtarë të armatosur në prapavijë.

Por, në një adresim televiziv, Maduro i përshkroi mbështetësit e Guaidos si një “grup i vogël”, plani i të cilëve ka dështuar.

Duke u ulur pranë komandantëve ushtarak, Maduro u zotua se do të ishte fitimtar përballë asaj që ai e quajti një përpjekje grusht shteti të mbështetur nga imperializmi amerikan.

Ai tha gjithashtu se ngjarjet e së martës "nuk do të mbeten të pandëshkuara".

"Prokurorët do të nisin ndjekje penale për krimet e rënda që janë kryer kundër Kushtetutës, sundimit të ligjit dhe të drejtës për paqe", tha ai në fjalimin e tij.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara thanë se presidenti Maduro ishte gati të largohej nga vendi dhe të shkonte në Kubë, mirëpo u bind nga Rusia që të qëndrojë edhe më tutje në Venezuelë.

“Ai kishte një aeroplan të gatshëm në pistë …Ai ishte i gatshëm të largohet këtë mëngjes, mirëpo siç e kemi kuptuar rusët kanë ndikuar që ai të qëndrojë”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Pompeo tha se në rast se është e nevojshme mund të ketë "aksion ushtarak në Venezuelë".

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shkroi në Twitter se Uashingtoni qëndron me "njerëzit e Venezuelës dhe lirinë e tyre".

Trump gjithashtu kërcënoi një "embargo të plotë " dhe sanksione mbi Kubën nëse trupat e saj nuk ndalojnë operacionet në Venezuelë pasi këshilltari kombëtar për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton pretendoi se trupat kubane po e mbajnë në pushtet Maduron.

Zëvendëspresidenti Mike Pence po ashtu në Twitter porositi venezuelasit se "Amerika do të qëndrojë me ju deri sa të restaurohen liria dhe demokracia".

Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 50 shtete tjera kanë njohur liderin opozitar, Guaido si president të përkohshëm.

Rusia, Irani, Kina dhe Kuba janë disa janë shtetet që kanë mbështetur socialistin Maduro, i cili ka nisur mandatin e dytë si president në janar të këtij viti.

Protestat ndaj tij janë nxitur pas inflacionit të lartë dhe pretendimeve për abuzim me të drejta të njeriut.

Miliona njerëz kanë ikur nga Venezuela përderisa kriza humanitare ka përfshirë gjithë vendin.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG