Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, i ka dërguar presidentit të vendit kërkesë për shpërndarjen e Kuvendit, një procedurë që i paraprin shpalljes së zgjedhjeve parlamentare.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, presidenti mund ta shpërndajë Kuvendin me propozim të arsyetuar të Qeverisë.
Në të njëjtën kohë me shpërndarjen e Kuvendit, presidenti i vendit shpall zgjedhjet parlamentare, të cilat duhet të përfundojnë jo më vonë se 60 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Kuvendi i shpërndarë mund të kryejë vetëm punë të rregullta ose të ngutshme, të përcaktuara me ligj.
Zgjedhjet parlamentare ishin paralajmëruar më herët nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte thënë se ato do të mbaheshin më 18 ose 25 tetor.
Zgjedhje të parakohshme kërkojnë që nga maji i vitit 2025 studentët që mbajnë të bllokuara fakultetet dhe që për muaj me radhë kanë udhëhequr protesta kundër Qeverisë.
Në këto protesta është kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 njerëzve në një incident në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit 2024.
Përfaqësuesit e pushtetit kanë paralajmëruar disa herë shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa presidenti Vuçiq ka deklaruar gjithashtu se do të tërhiqet nga posti i presidentit para përfundimit të mandatit të tij në prill të vitit 2027.
Zgjedhjet e mëparshme parlamentare u mbajtën në dhjetor të vitit 2023. Ato u përcollën me pretendime nga opozita, organizatat joqeveritare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për parregullsi serioze, presion ndaj votuesve, keqpërdorim të burimeve publike dhe përdorim të funksioneve publike për qëllime të fushatës.
Ndërsa pushteti pretendon se kushtet zgjedhore janë përmirësuar që atëherë në përputhje me rekomandimet e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), disa organizata vendëse vlerësojnë se problemet kryesore nuk janë zgjidhur.
Zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtura në mars të vitit 2026 në 10 komuna të Serbisë, u përcollën me incidente, përleshje fizike, prani të policisë në rrugë dhe akuza për parregullsi të shumta.
Misioni vëzhgues i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës tha se anëtarët e delegacionit të tij kishin qenë dëshmitarë të dhunës në pothuajse të gjitha komunat që kishin vizituar gjatë zgjedhjeve lokale.
Në të njëjtën kohë, OSBE-ja regjistroi një nivel “të paprecedent” të sulmeve ndaj gazetarëve.
Partia Progresive Serbe në pushtet shpalli fitore në të 10 komunat dhe hodhi poshtë të gjitha kritikat dhe akuzat për parregullsi.