Disa prej kryetarëve të komunave të Kosovës kanë protestuar në Prishtinë për disa çështje për të cilat pretendojnë se po u cenohen të drejtat nga niveli qendror.
Në protestën e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës morën pjesë krerë të komunave që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca, ndërsa munguan kryetarët që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Kryetarët e komunave si Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Drenasi, Suhareka, Rahoveci, Vushtrria, Lipjani e të tjera dolën në protestë para objektit të Qeverisë për, siç thanë, mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, si dhe kompensimin e obligimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive.
Kryetari i Ferizajt, njëherit kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu nga PDK, tha se tash e disa vite kërkesat e qytetarëve për projekte të reja hasin në përgjigjen se nuk ka buxhet.
“Mos ia merrni komunave atë që u takon qytetarëve”, i bëri thirrje ekzekutivit Aliu para protestuesve, duke kërkuar që Qeveria dhe Kuvendi të mos marrin vendime për komunat pa i përfshirë ato.
Sipas tij, nga viti 2022 deri në vitin 2026 nga buxhetet komunale janë marrë qindra miliona euro për të përmbushur obligime të kontrata kolektive.
“Me këto mjete do të ndërtoheshin shkolla, çerdhe, rrugë, kanalizime, objekte sportive”, shtoi ai.
Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Përparim Rama nga LDK, tha para protestuesve se partia në pushtetin qendror po përdor institucionet për të ndëshkuar qytetarët.
“Aty ku Vetëvendosja nuk fitoi, Qeveria po e bllokon buxhetin dhe investimet”.
Sipas Ramës, është paradoks që kryetarët e komunave të protestojnë që ekzekutivi të mos u bllokojë zhvillimin e qyteteve.
E Smajl Latifi, kryetar i Rahovecit nga Aleanca, u ankua për vonesën e kompenzimit të dëmeve bujqësore nga Qeveria, që sipas tij ndër vite ka prekur shumë fermerë të kësaj komune.
“Ka raste të dëmeve të evidentuara nga viti 2022 që ende vazhdojnë të mbesin pa u kompenzuar”, tha Latifi në protestë duke i bërë thirrje Qeverisë të krijojë një mekanizëm të përhershëm për kompenzim të dmëve.
Në protestë nuk morën pjesë kryetarë të komunave që vijnë nga radhët e LVV-së, parti kjo e cila udhëheq me qeverinë në detyrë të Kosovës.
Të njëjtit patën kritika për këtë protestë.
Kreu i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, kundërshtoi protestën duke thënë se ajo “nuk e ka hallin e qytetarit, por agjendën e pazarit” duke vlerësuar se është tërësisht politike.
“Qindra milionat euro e barrës financiare të komunave nuk janë obligime të Qeverisë së Albin Kurtit, por janë obligime të qeverisë PAN”, shkroi Peci në Facebook.
Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit, tha se Asociacioni i Komunave duhet të përfaqësojë të gjitha 38 komunat dhe jo të përdoret për përplasje politike me Qeverinë.
“Nëse flasim për dëmet financiare të komunave, atëherë duhet të flasim edhe për pasojat e kontratës kolektive të nënshkruar gjatë qeverive Mustafa dhe Haradinaj”, shkroi ai në Facebook.
Thirrje që Asociacioni të mos përdoret për përplasje politike me Qeverinë e Kosovës bëri edhe kryetari i Podujevës nga LVV-ja, Shpejtim Bulliqi.
“Mjetet për komunat nuk janë zhdukur dhe as nuk janë ‘marrë’ nga Qeveria siç thuhet në pretendimet e Drejtorit Ekzekutiv Sazan Ibrahimi. Ato kthehen sërish në komuna, përmes projekteve investuese që kanë për qëllim përmirësimin e drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve”, shkroi Bulliqi në Facebook.
Organizatorët e protestës treguan se kërkesat e komunave për Qeverinë do t’i dërgohen zyrtarisht edhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.