Ndërlidhjet

Konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës, brenda 30 ditëve


Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës. Foto nga arkivi.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit ka filluar të rrjedhë edhe zyrtarisht afati kushtetues për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30-ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Kushtetuta e parasheh që presidenti i Kosovës të thërrasë seancën e parë të Kuvendit, por në rast se ai nuk është në gjendje ta thërrasë këtë seancë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit.

Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi konsiderohet se është konstituuar vetëm në momentin kur zgjidhet kryetari dhe kryesia e re e Kuvendit.

“Afati prej 30 ditëve mund të shfrytëzohet nga presidenti i Republikës që të konstituohet Kuvendi, pra mund të ketë rast që edhe mos ta konstituojë gjatë kësaj periudhe dhe pastaj do të kalojë kjo periudhë kur Kuvendi vetë do të mblidhet. Gjithsesi, presidenti e ka të drejtën dhe lirinë që menjëherë, një ditë pas certifikimit të rezultateve, të thërrasë seancën e Kuvendit dhe ta konstituojë apo ta fillojë procedurën meqë ekziston një procedurë”, thotë Spahija.

Pas konstituimit të Kuvendit, shton Spahija pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Për t’i siguruar votat e nevojshme për qeverinë e re, subjekti fitues i zgjedhjeve, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, përveç Lidhjes Demokratike besohet se mund të llogarisë që koalicionin paszgjedhor ta ndërtojë edhe me komunitetet joshumicë.

Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zhvilluar takime për formim të qeverisë së re.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është pretenduesi kryesor për kryeministër të Kosovës, ka thënë se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve do të duhen vetëm 72 orë për të nënshkruar marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.

Në një komunikatë të Vetëvendosjes pas certifikimit të rezultatit paralajmërohet marrëveshja për koalicion ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së qysh të hënën.

“Qeveria e ardhshme e LVV dhe e LDK tashmë e ka shumicën e nevojshme në Parlamentin e Kosovës. Mëngjesi i të hënës duhet të na gjejë me marrëveshje të koalicionit qeverisës”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Analistë të çështjeve politike thonë se do të duhej që Kuvendi dhe Qeveria të formohen sa më shpejt, marrë parasysh faktin se Kosova funksionon me një qeveri në largim që nga muaji korrik.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë është humbur shumë kohë me procedurat e procesit zgjedhor, pastaj të numërimit e rinumërimit të votave, kështu që LVV dhe LDK, sipas tij, duhet të mos humbin më shumë kohë dhe të merren vesh për qeverinë e re.

“Pra duhet menjëherë të fillohen procedurat e konstituimit të Kuvendit dhe procedurat e zgjedhjes së qeverisë dhe qeveria të fillojë sa më parë punën pasi që kemi gati 6 muaj që Kosova po funksionon me një qeveri në dorëheqje që në një mënyrë nuk është me kompetenca të plota”, thotë ai.

Një ditë më parë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka bërë thirrje që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të formohet qeveria e re.

“Pas kaq shumë vonesash, rinumërime dhe ankesa, tani duhet të mblidhet Kuvendi i ri në mënyrë që qeveria e re të formohet sa më parë që është e mundur”, ka shkruar Abbot në rrjetin social Facebook.

Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës 28, Partia Demokratike e Kosovës 24 deputetë, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Partinë Socialdemokrate 13 deputetë, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë.

Ndërkaq nga komunitetet joshumicë, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende kanë fituar së bashku të gjitha partitë e minoriteteve joserbe.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG