Deputetët hyjnë në sallën plenare
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që ka dalë e dyta në zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë nisur që të hyjnë në sallën plenare.
Kjo parti ka deklaruar më herët se nuk do ta votojnë kryeparlamentarin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Haradinaj: Opozita do të ketë qëndrim të përbashkët për kryeparlamentarin
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do të ketë një qëndrim të përbashkët me partitë e tjera opozitare – PDK dhe LDK – sa i përket votimit të kryeparlamentarit. Ai tha se partia e tij, në parim është për konstituimin e Kuvendit.
“Në princip ne kemi qenë dhe do të jemi për konstituimin e Kuvendit. Por, nuk do të ndahemi me opozitën”, tha Haradinaj në prag të nisjes së seancës konstituive.
Ndërkaq, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk pranoi të tregojë nëse do të japë votat për kryeparlamentarin, që do të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Skenarët për konstituimin e Kuvendit, sipas KDI-së
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se janë tre skenarë sa i përket seancës konstituive të Kuvendit.
I pari, LVV-ja propozon kandidatin për kryetar, i siguron 61 vota për të, votohen nënkryetarët dhe Kuvendi konstituohet plotësisht.
Skenari i dytë: LVV-ja refuzon të propozojë kandidatin për kryetar ose kërkon “konsultime shtesë”. Atëherë, kryesuesi pezullon seancën. Me ligj, pezullimi nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë, që nënkupton se një seancë e re duhet të thirret çdo dy ditë. Por, nëse LVV-ja refuzon vazhdimisht të mos e propozojë kandidatin, atëherë partitë opozitare, sipas Cakollit, mund t’i drejtohen për interpretim Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se LVV-ja po bllokon formimin e institucioneve.
Dhe, skenari i tretë, sipas Cakollit është që, anëtarët e LVV-së që janë pjesë e Qeverisë në detyrë nuk japin dorëheqje. Në këtë rast, raporti për verifikimin e mandateve mund të mos votohej nga opozita, duke kontestuar vlefshmërinë e mandateve që janë në detyrë qeveritare. Pa miratimin e këtij raporti nuk do të mund të vazhdohej tutje, duke bërë që presioni të bjerë mbi anëtarët e LVV-së që janë në qeveri që të japin dorëheqje.
Qëndrimi i partive shqiptare për konstituimin e Kuvendit
LVV-ja nuk ka treguar nëse i ka votat për kryeparlamentar – 61 vota – dhe as kë do të propozojë për këtë post.
PDK-ja ka thënë se nuk do të marrë pjesë në votimin e kryeparlamentarit.
LDK-ja ka thënë se kushdo që s’i ka 61 vota, s’duhet të bëhet kryetar i Kuvendit.
AAK-ja ka thënë se “në parim” do të votojë për udhëheqësin e ri të organit legjislativ, ndërkaq Nisma Socialdemokrate ka thënë se do të shihet në seancë se si do të veprojë.