Lista Serbe në sallën plenare
Deputetët e Listës Serbe kanë hyrë në sallën plenare, për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo parti, që ka mbështetjen e Beogradit, ka fituar nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb.
Bajrami: LDK s’e voton kryeparlamentarin
Shefja e re e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrim dhe nuk do të votojë për propozimin e LVV-së për kryeparlamentarin.
“Nëse kanë propozim për emrin e kryeparlamentarit, duhet t’i kenë edhe votat për të”, tha ajo për gazetarët në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Seanca konstituive ende nuk ka filluar, teksa në sallë janë të pranishëm deputetët e LDK-së, PDK-së, AAK-së, Listës Serbe dhe komuniteteve të tjera joshumicë.
Donika Emini: Partitë para testit për interesat e vendit
Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se partitë nuk duhet të bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re.
Emini theksoi se situata aktuale paraqet “një moment testimi për klasën politike – një provë për të treguar nëse është e gatshme të menaxhojë dallimet me përgjegjësi dhe në interes të vendit”.
Intervistën e plotë e gjeni më poshtë:
Veton Berisha thotë se do të votojë për kryeparlamentarin
Kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, tha se do të mbështesë secilin kandidat që do ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentar.
Sa i përket mbështetjes së Qeverisë nga LVV-ja, Berisha tha se “ende nuk kemi marrëveshje”.
“Ne jemi për të ndërtuar institucionet e Kosovës, pastaj shohim se si do të veprojmë”, tha ai duke iu referuar mbështetjes për ekzekutivin e ri.