Ndërlidhjet

Abazoviq nuk shkarkohet, Krivokapiq pret rënien e Qeverisë


Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, Parlamenti i Malit të Zi 3 shkurt 2022.
Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, Parlamenti i Malit të Zi 3 shkurt 2022.

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq nuk u shkarkua pasi shumica e deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi nuk e mbështetën agjendën që parashikonte votimin për shkarkimin e tij.

Rrjedhimisht, zgjedhja e ministrit të Financave, Milojko Spajiq, në postin e Abazoviqit nuk është në rend dite.

Propozimi për të larguar Abazoviqin nga posti i zëvendëskryeministrit u iniciua nga kryeministri Zdravko Krivokapiq si përgjigje ndaj nismës së mëparshme të Lëvizjes Qytetare të Ura dhe partive opozitare për të votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiqit.

Nga gjithsej 81 deputetë, 77 ishin të pranishëm dhe vetëm 20 deoutetë ishin për miratimin e rendit të ditës.

Pasi Kuvendi nuk pranoi të diskutohej për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Abazoviq, kryeministri Zdravko Krivokapiq iu drejtua publikut duke thënë se është i vetëdijshëm që Qeveria e tij do të bjerë më 4 shkurt.

Në një fjalim që zgjati më shumë se njëzet minuta, Krivokapiqi tha se për rrëzimin e Qeverisë janë "pajtuar presidenti malazez Milo Gjukanoviq me një pjesë të shumicës aktuale parlamentare".

Krivokapiqi akuzoi Abazoviqin se "planifikoi gjithçka shumë kohë më parë" me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Gjukanoviqit.

"Zëvendëskryeministri (Abazoviq), së bashku me DPS-në e mundur, nesër duhet të votojnë mosbesimin ndaj kësaj Qeverie. Jam plotësisht i vetëdijshëm se nesër do të shkarkohet kryeministri dhe kjo Qeveri", tha Krivokapiq.

Partia e Gjukanoviqit më 18 janar ka njoftuar se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e Qeverisë aktuale të shtetit.

Ndërsa, para nisjes së seancës, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq u tha gazetarëve se është e parëndësishme se si do të vendosin deputetët për largimin e tij dhe theksoi se gjëja më e rëndësishme për të ishte që Mali i Zi të ketë një qeveri të re evropiane, duke e zhbllokuar rrugën e saj evropiane.

"Të gjithë deputetët le të votojnë ashtu siç mendojnë. Unë pres që të votohet rënia e Qeverisë (Zdravko Krivokapiqit)”, deklaroi ai.

Abazoviqi tha se pret që qeveria e ardhshme të ketë mbështetjen e të paktën 49 deputetëve, detyra të qarta, kohëzgjatje të kufizuar, për të zhbllokuar rrugën evropiane dhe për të organizuar zgjedhje të ndershme kur të plotësohen kushtet për këtë.

Dritan Abazoviqi duke folur për gazetarët para nisjes së seancës së Parlamentit, Podgoricë 3 shkurt 2022.
Dritan Abazoviqi duke folur për gazetarët para nisjes së seancës së Parlamentit, Podgoricë 3 shkurt 2022.

"Si do të jetë qeveria e ardhshme, ndoshta do të ketë më shumë opsione. Kjo do të ishte e drejtë për qytetarët, nuk do të rrezikonte reformat ekonomike, as sezonin e ardhshëm turistik", tha Abazoviq, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme janë një nga opsionet.

Nisma e kryeministrit për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Abazoviq u ndërmor pasi Lëvizja Qytetare URA, kryetar i së cilës është Abazoviq, ka paraqitur një mocion mosbesimi kundër Qeverisë, për të cilin Parlamenti do të vendosë më 4 shkurt.

Siç ka shkruar kryeministri në propozimin për shkarkim, më 19 janar, “pas disa muajsh mosmarrëveshje me politikën e Qeverisë, deputetët e Lëvizjes Qytetare URA, së bashku me disa deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partive të tjera, kanë paraqitur mocionin kundër Qeverisë. Nënkryetari Abazoviq, si kryetar i URA-s, nuk e kundërshtoi publikisht këtë iniciativë, duke iu bashkuar drejtpërdrejt atyre që punojnë kundër interesave të qytetarëve dhe qëllimeve të krijuara dhe të përcaktuara bashkërisht”, thuhet në propozimin e dorëzuar nga Krivokapiq.

Kryeministri Krivokapiq e quajti konceptin e një qeverie të pakicës si "mashtrim", të propozuar nga Abazoviqi si një opsion për zgjidhjen e krizës në të cilën u gjend koalicioni fitues i DF, Demokratëve dhe URA-s.

Abazoviqi ka propozuar konceptin e një qeverie të pakicës në të cilën, siç tha më 17 janar, nuk do të ketë vend për DPS-në e presidentit aktual Millo Gjukanoviq, as për DF-në pro-serbe, por ka shtuar se do të donte që këto opsione politike të mbështesin qeverinë e pakicës.

Kërkesat e ndërsjella për shkarkimin e kreut të ekzekutivit në Mal të Zi janë epilogu i krizës disamujore, si ndërmjet Parlamentit dhe Qeverisë, ashtu edhe brenda vetë Qeverisë.

Qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, e cila ndikoi drejtpërdrejt në zgjedhjen e kryeministrave dhe ministrave, u zgjodh në fillim të dhjetorit 2020 nga DF (Fronti Demokratik), Demokratët dhe Lëvizja URA.

Paralelisht me përpjekjen për zgjidhjen e krizës në institucionet e sistemit, ditët e fundit janë organizuar protesta në disa qytete malazeze, të drejtuara kundër lëvizjes URA dhe zëvendëskryeministrit Abazoviq, por edhe të gjithë atyre që mund të mbështesin konceptin e qeverisë së pakicës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG