Ndërlidhjet

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj duke hedhur vezë në drejtim të kreut të LVV-së, Albin Kurti.
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj duke hedhur vezë në drejtim të kreut të LVV-së, Albin Kurti.

Me hedhje vezësh e tensione, Kuvendi në pikën zero

  • Vazhdimi i seancës konstituive më 8 gusht u shty pasi Albin Kurti i LVV-së kërkoi kohë shtesë për marrëveshje politike, duke mos propozuar emër për kryeparlamentar
  • Deklarimi i Kurtit u përcoll me tensione, pasi deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ju afrua Kurtit dhe nisi të hidhte vezë drejt tij. Deputetë të partive të ndryshme u grumbulluan më pas, duke shkaktuar tensione.
  • Kryesuesi Avni Dehari, pas tensionit të krijuar ndërpreu punimet e seancës konstituive
  • Këto zhvillime vijnë pasi LVV dhe LDK duket se janë ende larg një marrëveshjeje për krijimin e institucioneve
15:46 8.8.2026

Ende nuk dihet se kur do të vazhdojë seanca

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për mbajtjen e vazhdimit të seancën konstituive. Megjithatë, në njoftim nuk tregohet se kur do të vazhdohet kjo seancë që u ndërpre pas tensioneve në sallë.

Në njoftim thuhet se Avni Dehari, si kryesues i seancës "do të njoftojë me kohë" ligjvënësit për vazhdimin e punimeve të seancës konstituive.

Avni Dehari gjatë udhëheqjes së vazhdimit të seancës konstituive më 8 gusht.
Avni Dehari gjatë udhëheqjes së vazhdimit të seancës konstituive më 8 gusht.
16:56 8.8.2026

Çfarë ndodhi në Kuvend?

Lexues të nderuar,

Po ju sjellim të përmbledhur gjithçka që ndodhi gjatë vazhdimit të seancës konstituive më 8 gusht.

Me kërkesën e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, deputetët u mblodhën për vazhdimin e seancës konstituive, që nisi më 6 gusht.

Seanca e së shtunës nisi me vonesë njëorëshe dhe më pas u ndërpre brenda pak minutash. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, doli në foltore dhe sërish kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Pasi u ul në ulësen e tij, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit. Ky veprim rriti tensionet në Kuvend, me deputetët e LVV-së që u ngritën për të mbrojtur Kurtin dhe me ata të Aleancës që i dolën në mbrojtje deputetes së tyre.

Menjëherë pas kësaj, Dehari ndërhyri duke ndërprerë seancën, e cila ende nuk dihet se kur do të vazhdojë.

Ndonëse deputetët e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e cilësuan si jokushtetuese këtë seancë, ata morën pjesë në të. Ata argumentuan se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit skadoi në mesnatë.

Kurti, më pas tha, se konstituimi i Kuvendit nuk duhet të bëhet pa një marrëveshje edhe për çështjen e presidentit.

I pyetur për incidentin në sallë, ai tha se është “i lumtur” të paguajë çmimin e një veprimi të tillë nga Kadrijaj, nëse kjo do të thotë se partitë takohen dhe arrijnë një marrëveshje për presidentin.

Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike kërkuan që LVV-ja të ushtrojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të propozojë kandidatin për kryeparlamentar.

Nga Aleanca thanë se LVV-ja qëllimshëm “dogji” afatin kushtetues për konsitituimin e Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jetë zgjedhur kreu i tij i ri dhe pesë nënkryetarët. Në bazë të një aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ky proces duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe afati, sipas partive të tjera shqiptare, skadoi më 7 gusht në orën 23:59.

Por, LVV-ja argumenton se afati 30-ditor ka nisur më 6 gusht – kur ka nisur seanca konstituive e Kuvendit.

Në seancën e 6 gushtit, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, dhanë betimin. Por, seanca u shty me kërkesën e Kurtit, i cili nuk dha kandidaturën e partisë për kryeparlamentar, duke kërkuar më shumë kohë për bisedime.

Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, edhe pas disa takimesh s’kanë arritur një ujdi për krijimin e institucioneve. LDK-ja, që ka 18 deputetë, po kërkon që ta ketë postin e presidentit. Kurti, partia e të cilit ka 53 mandate, kërkon që marrëveshja të reflektojë rezultatin zgjedhor. Ai ngulmon që presidenti i ri i Kosovës duhet të jetë një figurë jopartiake.

PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar ftesat e fundit të Kurtit për takim, ndonëse kreu i LVV-së sërish më 8 gusht u bëri thirrje këtyre dy partive për dialog.

XS
SM
MD
LG