Çfarë ndodhi në Kuvend?
Lexues të nderuar,
Po ju sjellim të përmbledhur gjithçka që ndodhi gjatë vazhdimit të seancës konstituive më 8 gusht.
Me kërkesën e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, deputetët u mblodhën për vazhdimin e seancës konstituive, që nisi më 6 gusht.
Seanca e së shtunës nisi me vonesë njëorëshe dhe më pas u ndërpre brenda pak minutash. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, doli në foltore dhe sërish kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Pasi u ul në ulësen e tij, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit. Ky veprim rriti tensionet në Kuvend, me deputetët e LVV-së që u ngritën për të mbrojtur Kurtin dhe me ata të Aleancës që i dolën në mbrojtje deputetes së tyre.
Menjëherë pas kësaj, Dehari ndërhyri duke ndërprerë seancën, e cila ende nuk dihet se kur do të vazhdojë.
Ndonëse deputetët e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e cilësuan si jokushtetuese këtë seancë, ata morën pjesë në të. Ata argumentuan se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit skadoi në mesnatë.
Kurti, më pas tha, se konstituimi i Kuvendit nuk duhet të bëhet pa një marrëveshje edhe për çështjen e presidentit.
I pyetur për incidentin në sallë, ai tha se është “i lumtur” të paguajë çmimin e një veprimi të tillë nga Kadrijaj, nëse kjo do të thotë se partitë takohen dhe arrijnë një marrëveshje për presidentin.
Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike kërkuan që LVV-ja të ushtrojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të propozojë kandidatin për kryeparlamentar.
Nga Aleanca thanë se LVV-ja qëllimshëm “dogji” afatin kushtetues për konsitituimin e Kuvendit.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jetë zgjedhur kreu i tij i ri dhe pesë nënkryetarët. Në bazë të një aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ky proces duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe afati, sipas partive të tjera shqiptare, skadoi më 7 gusht në orën 23:59.
Por, LVV-ja argumenton se afati 30-ditor ka nisur më 6 gusht – kur ka nisur seanca konstituive e Kuvendit.
Në seancën e 6 gushtit, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, dhanë betimin. Por, seanca u shty me kërkesën e Kurtit, i cili nuk dha kandidaturën e partisë për kryeparlamentar, duke kërkuar më shumë kohë për bisedime.
Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, edhe pas disa takimesh s’kanë arritur një ujdi për krijimin e institucioneve. LDK-ja, që ka 18 deputetë, po kërkon që ta ketë postin e presidentit. Kurti, partia e të cilit ka 53 mandate, kërkon që marrëveshja të reflektojë rezultatin zgjedhor. Ai ngulmon që presidenti i ri i Kosovës duhet të jetë një figurë jopartiake.
PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar ftesat e fundit të Kurtit për takim, ndonëse kreu i LVV-së sërish më 8 gusht u bëri thirrje këtyre dy partive për dialog.
Ende nuk dihet se kur do të vazhdojë seanca
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për mbajtjen e vazhdimit të seancën konstituive. Megjithatë, në njoftim nuk tregohet se kur do të vazhdohet kjo seancë që u ndërpre pas tensioneve në sallë.
Në njoftim thuhet se Avni Dehari, si kryesues i seancës "do të njoftojë me kohë" ligjvënësit për vazhdimin e punimeve të seancës konstituive.
Britania bën thirrje për konstituimin e Kuvendit
Ambasada britanike tha se në dy vjetët e fundit, për një kohë të gjatë Kosova ka qenë pa një Kuvend funksional, duke theksuar se funksionalizimi i organit ligjvënës është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës e jo e sistemit.
“Ata duhet urgjentisht të punojnë së bashku për ta zgjidhur këtë situatë përmes dialogut dhe negociatave paqësore, në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe partneriteteve të saj ndërkombëtare”, u tha në reagimin e Ambasadës të publikuar në rrjetet sociale.
Seanca përmes fotove
Vazhdimi i seancës konstituive nisi me 1 orë vonesë, por zgjati vetëm disa minuta. Megjithatë, ato pak minuta u përcollën me tensione, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, doli në foltore.
Kurti nuk propozoi emër për kryeparlamentar, por kërkoi kohë shtesë për marrëveshje politike.
Me t’u kthyer në ulësen e tij në mes të sallës, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, iu afrua Kurtit dhe hodhi vezë në drejtim të tij, duke bërë që kryesuesi i seancë të shtynte punimet e Kuvendit.
Më poshtë ju sjellim disa fotografi që pasqyrojnë tensionet e sotme në Kuvend, të realizuara nga agjencia Reuters: