Kurti: S’ankohem që ata hedhin vezë drejt meje
I pyetur për incidentin me deputeten e Aleancës, që hodhi vezë në drejtim të tij, Kurti tha se nëse gjuajtja me vezë drejt sakos dhe pantollonave të tij është çmimi që duhet të paguajë në mënyrë që udhëheqësit politikë të dialogojnë për të arritur një marrëveshje, ai është i lumtur ta paguajë një çmim të tillë.
“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata nuk dialogojnë”, tha ai.
Ai foli edhe për çështjen e presidentit, duke përsëritur qëndrimin se ai duhet të jetë një figurë mbipartiake, jashtë aktualitetit politik.
Marrëveshja politike, sipas tij, duhet të reflektojë edhe rezultatin zgjedhor.
Kurti: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin na çon në zgjedhje
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se ndonëse i kanë votat për të votuar një kryeparlamentar të ri, çfarëdo konstituimi i organit ligjvënës, pa një marrëveshje që garanton edhe zgjedhjen e presidentit, “pashmangshëm na shpie në zgjedhje të reja”.
“Andaj insistimi ynë i drejtë është që të ulemi, të bisedojmë, të merremi vesh dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshjeje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje dhe liderët e partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin, Qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin”, tha ai, pas seancës konstituive.
Ai sërish u bëri thirrje udhëheqësve partiakë që të takohen për të arritur një marrëveshje. Kurti u shpreh se nuk dëshiron që në një seancë për presidentin të marrin pjesë vetëm deputetët e LVV-së dhe të komuniteteve joserbe.
Hoxhaj: LVV duhet ta propozojë kryeparlamentarin
Enver Hoxhaj nga PDK, tha se LVV-ja duhet ta propozojë kandidadin për kryeparlamentar dhe të konstituohet Kuvendi, ndonëse e vlerësoi seancën si antikushtetuese.
Sipas tij, procesi i konstituimit nuk është i lidhur me krijimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
Hoxhaj u shpreh seanca e sotme ishte “seancë e turpit”. Ai e akuzoi Kurtin për “uzurpim” të pushtetit dhe “suspendim të të gjitha institucioneve demokratike”.
Deputeti i PDK-së tha se gjithë kjo situatë është që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
Basha: Kurti i fton për diskutim për marrëveshje, këta e sulmojnë
Dimal Basha, deputet i LVV-së, tha se Albin Kurti i fton partitë për diskutime që të arrihet një marrëveshje, ndërkaq “këta sulmojnë e ofendojnë”.
“Edhe kush? Këta që Radoiçiqin e pritshin në kryeministri e Listën Serbe e mbanin në Qeveri”, shkroi ai në Facebook, duke iu referuar një takimi vite më pas në Qeveri mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga Aleanca, me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Radoiçiq kërkohet nga Kosova për sulmin e armatosur në Banjskë më 2023 dhe për krime lufte në Gjakovë.