Ndërlidhjet

Kuvendi i Shqipërisë miraton ngritjen e komisionit për shkarkim të presidentit


Shqipëri: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta (Foto nga arkivi).
Shqipëri: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta (Foto nga arkivi).

Në Kuvendin e Shqipërisë, 97 deputetë votuan pro kërkesës së Partisë Socialiste për miratimin e Komisionit Hetimor, për shqyrtimin e shkeljeve të pretenduara se janë bërë nga Presidenti Ilir Meta, para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Kjo iniciativë e partisë që qeveris vendin, ka për qëllim shkarkimin e zotit Meta nga posti i presidentit të vendit. Po ashtu, në seancën e së premtes, Kuvendi miratoi 10 ligje që presidenti i kishte kthyer për rishqyrtim.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Kuvend, tregoi arsyet pse duhet të shkarkohet presidenti.

“Kurrë institucioni i Presidentit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale sa ky. Kemi pasur president që i ka shpallur luftë popullit, apo president që ka shkaktuar debat për mustaqet, por kurrë si ky”, tha Balla.

Ai tha se iniciativa për shkarkimin e Metës është “detyrim moral dhe kushtetues” dhe i bëri thirrje edhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, që ta mbështesë këtë nismë.

“Ne nuk po e shkarkojmë Ilir Metën se duam të vendosim një përfaqësuesin tonë. Procedura për shkarkimin e Ilir Metës, është një detyrim sa moral, aq edhe kushtetues. T’ia heqim menjëherë turpin në derë Shqipërisë, për t’ia lënë turpin Ilir Metës. Thirrja jonë shkon edhe për Lulzim Bashën. Tashmë PD-ja ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë”, tha Balla.

Disa nga deputetët e opozitës parlamentare, edhe pse në numër të vogël, kanë kundërshtuar procesin e shkarkimit të presidentit.

Deputeti Ralf Gjoni nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka thënë se nuk i takon deputetëve aktualë, që të votojnë mbi procedurën, por atyre të zgjedhur më 25 prill.

“Nuk na takon ne detyra e shkarkimit të presidentit. Nuk kemi më ne si deputetë legjitimitet moral dhe për rrjedhojë edhe kushtetues, për t’u marrë me shkarkimin e Presidentit të Republikës. Kjo ndërmarrje kaq e madhe dhe e rëndësishme, i takon parlamentit të ri”, tha Gjoni.

Në anën tjetër, përmes një njoftimi për mediat nga Presidenca, thuhet se presidenti shpreh keqardhje që “Kuvendi njëpartiak, e refuzoi mundësinë që iu dha prej tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit dhe presidenti nuk do të njohë asnjë vendim të Kuvendit”.

“Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik. Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike, nuk meriton vëmendje dhe është nul”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Gjithashtu, nga zyra e presidentit u tha se Meta do ta ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.

Një ditë më pare, Komisioni i Ligjeve vendosi t’i rekomandoi Kuvendit ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës nga Presidenti Ilir Meta.

Me 14 vota “pro” dhe vetëm me një votë “kundër”, Komisioni i Ligjeve miratoi raportin e përpiluar mbi kërkesën e 49 deputetëve të Partisë Socialiste, për të hetuar pretendimet për shkelje të Kushtetutës nga presidentit Meta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG