Ndërlidhjet

Kuvendi shqiptar miraton në parim projektligjin për buxhetin mes tensionesh të larta


Deputetët e opozitës palosin karrige përreth foltores së Kuvendit të Shqipërisë, në tentim për ta penguar votimin e buxhetit për vitin 2024, të hënën më 20 nëntor 2023.
Deputetët e opozitës palosin karrige përreth foltores së Kuvendit të Shqipërisë, në tentim për ta penguar votimin e buxhetit për vitin 2024, të hënën më 20 nëntor 2023.

Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar në lexim të parë projektligjin për buxhetin e vitit 2024 të hënën, në një seancë që zgjati vetëm pesë minuta për shkak të tensioneve të larta, pasi deputetët e opozitës u përpoqën ta pengonin votimin.

Deputetët e Partisë Demokratike (PD) ndezën flakadanë, palosën karrige përreth foltores dhe u konfrontuan nga pjesëtarët e gardës.

Duke e parë situatën e krijuar, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, i kaloi menjëherë në votim projektligjin për buxhetin e shtetit dhe paketën fiskale.

Projektligji u miratua pa asnjë diskutim duke i marrë 73 vota për, brenda një kohe tejet të shkurtër prej vetëm pesë minutave.

Tani, projektligji për buxhetin do të diskutohet nen për nen në komisionet parlamentare, të cilat janë përballur me pengesa të ngjashme nga opozita.

Ai pritet të dalë në votim në lexim të dytë në dhjetor.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Blendi Çuçi, tha për gazetarët pas seancës se "PS-ja nuk mund ta lërë Shqipërinë pa buxhet pasi vendi nuk është në krizë, por Partia Demokratike".

Por, Gazmend Bardhi, deputet opozitar, tha se grupi i deputetëve opozitarë të drejtuar prej tij nuk do të heqë dorë nga skenari i kaosit, duke e cilësuar si të vetmen “armë” që kanë në dorë.

Buxheti 2024 prej 7 miliardë eurosh, cilësohet nga Qeveria si më i madhi deri tani për shpenzime të planifikuara publike. Rritja ekonomike për vitin 2024 parashikohet të jetë 3.8%.

Buxheti mbështet rritje të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi për të arritur një nivel mesatar page prej 900 euro në muaj.

Vitin e ardhshëm pritet të investohen në projekte publike rreth 1.2 miliardë euro, përfshirë 70 milionë euro për procesin e rindërtimit.

Për pensionistët në vitin 2024, është parashikuar indeksimi i pensionit si dhe bonusi i fundvitit, me vlerë totale 77 milionë euro.

XS
SM
MD
LG