Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, e ka rikonfirmuar partneritetin strategjik të shtetit të tij me Korenë e Veriut, gjatë një vizite të nivelit të lartë në Phenian.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur në nivel të ri, pas takimit të zhvilluar në shtator mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe liderit verikorean, Kim Jong un, ka thënë Lavrov, në nisje të takimeve.
Homologu i tij verikorean, Choe Son Hui, ka folur për “vitalitet të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Choe është cituar të ketë thënë se përgjatë vizitës së Lavrovit pritet të implementohen “marrëveshjet historike” të muajit të kaluar.
Ministri rus është takuar edhe me Kimin rreth një orë, mirëpo nuk janë bërë të ditura detajet e bisedës.
Koreja e Veriut është duke u përballur me kritika ndërkombëtare për furnizim të Rusisë me armë, teksa kjo e fundit e lufton Ukrainën.
Lavrov nuk i ka përmendur armët në mënyrë specifike, mirëpo e ka falënderuar Korenë e Veriut për mbështetjen e Rusisë në Ukrainë.
Lavrov u ka thënë gazetarëve se kjo nënkupton që Koreja e Veriut i njeh territoret e pushtuara ukrainase si pjesë të Rusisë.
Ai u është referuar rajoneve Herson, Zaporizhja, Luhansk dhe Donjeck, të aneksuara pak më shumë se një vit më parë.
Koreja e Jugut, në anën tjetër, ka thënë se është duke i vëzhguar nga afër zhvillimet në Korën e Veriut.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët shqetësohen se Koreja e Veriut, e cila është e sanksionuar ndërkombëtarisht për programin e armëve bërthamore, mund t’i dërgojë armë Rusisë, në këmbim të pranimit të teknologjisë së avancuar ruse.
Armët që Koreja e Veriut mund t'ia sigurojë Rusisë
Takimi u zhvillua teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon, si dhe një muaj pasi Kimi u bëri thirrje prodhuesve të armëve të vendit të tij që të "rrisin në mënyrë dramatike" prodhimin.
Putini konfirmoi vetëm se do të kërkonte një marrëveshje armësh me Korenë e Veriut, si përgjigje kur u pyet rreth bashkëpunimit ushtarak: "Ne do të flasim për të gjitha çështjet pa nxitim. Ka kohë".
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 12 shtator se “natyrshëm, duke qenë fqinjë, vendet tona bashkëpunojnë në disa sfera të ndjeshme, të cilat nuk duhet të zbulohen apo shpallen publikisht”.
Pushtimi n1% shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia ka rezultuar me shkatërrimin ose kapjen e mijëra tankeve dhe automjeteve të blinduara të Moskës. Kremlini ka humbur gjithashtu të paktën qindra artileri raketore dhe sisteme të tjera armësh, si dhe shumë avionë luftarakë dhe helikopterë. Kievi është përballur me humbje të ngjashme marramendëse të pajisjeve, në krahasim me madhësinë e ushtrisë së tij, por deri më tani është mbështetur me miliarda dollarë pajisje ushtarake perëndimore.
Administratori i Caliber Obscura-s, një faqe e njohur interneti për gjurmimin e armëve, i tha Radios Evropa e Lirë se Kremlini po takohet me Kimin, portierin e një arsenali të rëndësishëm, sepse “mund të bëhet e qartë se prodhimi vendas rus [ i armëve] është i pamjaftueshëm për luftën dhe mund të jetë shumë e vështirë ose merr kohë për t'u rritur.”
Buxheti ushtarak i Rusisë për vitin 2023 thuhet se u rrit në më shumë se 100 miliardë dollarë, duke përbërë një të tretën e të gjitha shpenzimeve shtetërore, por aftësia e saj për të prodhuar automjete të blinduara dhe municione, aktualisht, është shumë më e ulët sesa numri i atyre që i humbasin në Ukrainë. Në vitin 2022, Rusia vlerësohet të ketë gjuajtur më shumë se 10 milionë predha artilerie në fushëbetejë. Vendi thuhet se është në gjendje të prodhojë një maksimum prej rreth 2 milionë fishekë artilerie në vit.
Ka ende shumë të panjohura në lidhje me kapacitetin e fshehtë ushtarak të Koresë së Veriut, por një raport i vitit 2021 nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike vlerëson se diktatura socialiste strehon rreth 4.000 tanke, 2.500 automjete të blinduara, 550 avionë të aftë për luftime dhe 5.500 raketahedhës të lidhur me të. Pjesa më e madhe e arsenalit është ose e prodhuar ose projektuar nga sovjetikët, ose e ngjashme me armët e dizajnuara nga sovjetikët që përdorur nga Rusia.
Analisti dhe gjurmuesi i Caliber Obscura-s, për gjurmimin e armëve, i tha Radios Evropa e Lirë se Rusia ka të ngjarë të kërkojë municion për raketa dhe artileri topash, si dhe potencialisht disa nga materialet për prodhimin e predhave. “Është e mundur që raketat balistike mund të eksportohen gjithashtu”, shtoi ai.
Armët e prodhuara në vendin e varfër aziatik janë konsideruar nga disa analistë si jo të besueshme pas një incidenti më 2010, në të cilin Koreja e Veriut lëshoi një breshëri prej rreth 170 raketash dhe predhash drejt objektivave të Koresë së Jugut në ishullin Yeonpyeong. Sipas raporteve të Koresë së Jugut, më pak se gjysma e predhave të lëshuara goditën ishullin. Rreth një e katërta nga to nuk shpërthyen.
Gjurmuesi i armëve i Caliber Obscuras thotë: "Është e vështirë të jesh i sigurt për ndikimin [që mund të kenë armët e Koresë së Veriut], por rritja e disponueshmërisë së municioneve për artilerinë ruse, ose pjesëve dhe [materialeve] për të mbajtur atë artileri duke gjuajtur për më gjatë, sigurisht që do t'i bënte gjërat më të vështira për Ukrainën”.
Disa armë të zbuluara së fundmi në Korenë e Veriut përfshijnë sisteme artilerie raketore të fshehura brenda automjeteve të maskuara si kamionë civilë. Në Ukrainë, dronët kamikazë gjuetarë i kanë bërë automjetet ushtarake lehtësisht të dallueshme dhe të prekshme ndaj sulmeve edhe shumë prapa vijës së frontit.
Takimi i 13 shtatorit duket se ka përmirësuar ndjeshëm lidhjet mes dy vendeve të izoluara ndërkombëtarisht, pasi Kimi i Koresë së Veriut u tha gazetarëve: "Ne gjithmonë kemi mbështetur çdo vendim që merr presidenti Putin ose Qeveria ruse".
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar vazhdimisht Korenë e Veriut që të mos bëjë ndonjë marrëveshje armësh me Rusinë, e cila do të shkelte disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Rusia, bashkë me Kinën, është e përkushtuar për negociata për sigurinë e Gadishullit Korean, pa parakushte, ka thënë Lavrov.
Ai ka shtuar, po ashtu, se Rusia është shumë e shqetësuar për “infrastrukturën ushtarake të Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut” në rajon.
Lavrov është pritur me lule nga qindra verikoreanë në Phenian.
Ai pritet ta përgatisë edhe një takim për Putinin në kryeqytetin verikorean.