Gjykata në Prishtinë e ka dënuar në rigjykim ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, me tri vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës.
Lekaj, së bashku me tre të akuzuarit e tjerë në rastin e 53 milionëshit, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahir, u shpallën fajtor të mërkurën për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”.
Tahiri, ish-drejtor i Prokurimit Publik, dhe Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie, u dënuan me nga një vit e tetë muaj burgim, ndërsa Berisha, ish-këshilltar i lartë politik i Lekajt, u dënua me tri vjet e tre muaj burgim.
Gjykata shqiptoi edhe dënim plotësues për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Lekaj, duke ia ndaluar për një periudhë prej tri vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit në administratën publike.
Rigjykimi ndaj tyre u mbajt pasi në shkurt të vitit 2025 Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në pikën zero duke e rrëzuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Edhe në gjykimin e parë, që të katër të akuzuarit kishin marrë dënime sikurse në rigjykim.
Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë në fjalë për punimet e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, për shkak të, siç kishte thënë Qeveria, dështimit të ekzekutivit të mëhershëm që t’i paguajë me rregull faturat.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës tha se e mirëpret aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë në rigjykimin ndaj tyre.
“Ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit garantimin e ndëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke dëshmuar se keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe i parasë publike duhet të ketë përgjegjësi ligjore”, tha Prokuroria në një reagim.
Hetimet lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin Bechtel-Enka kishin nisur pas debateve të nxitura dhe dyshimeve të ngritura nga partitë opozitare autoritetet në Kosovë.
Më 2020, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, shfuqizoi vendimin e ekzekutivit paraprak për zgjatje të afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Me këtë vendim, Qeveria Kurti ndërpreu negociatat me konsorciumin turko-amerikan, Bechtel-Enka për ndërtimin e lidhjeve të reja dhe të një mbikalimi në autostradë. Ekzekutivi kërkoi po ashtu, që dikasteret përkatëse të bënin vlerësimin e dëmit të shkaktuar në buxhet nga vendimi i shfuqizuar.
Ndryshe, autostrada Prishtinë-Shkup e quajtur "Arbën Xhaferi" ka një gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.
Kjo autostradë ishte inauguruar më 2019.