Ndërlidhjet

Lëmosha si kërkim ndihme për trajtime mjekësore jashtë Kosovës


Ilustrim

Shuma e parave që qytetarët e Kosovës shpenzojnë për trajtime mjekësore jashtë vendit ka arritur në 200 milionë euro në vit. Këto shifra i ka publikuar gjatë këtij viti Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, thonë se këtë vit janë ndarë mbi 5 milionë euro për programin e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Janë 30 mijë euro të ndara për një pacient, si shumë maksimale që pacienti mund të përfitojë nga Ministria, për trajtim jashtë Kosovës.

Por, përkundër ndarjes së këtyre mjeteve, ka shumë raste kur vazhdohet të kërkohet ndihma nga qytetarët për trajtime jashtë Kosovës.

Një dukuri e kërkimit të ndihmës, është e pranishme edhe nëpër sheshet e Prishtinës. Aty, çdo ditë dalin njerëz që u kërkojnë qytetarëve ndihmë.

Arbënore Rexhepi, studente, ka marrë iniciativën së bashku me shumë kolegë të tjerë që t’i ndihmojnë një vajze 16-vjeçe e cila vuan nga sëmundja e kancerit në kurriz.

Kjo për shkak se i duhen mjete të shumta financiare, e që as Ministria e Shëndetësisë e as familja, nuk po mund t’i mbulojnë.

Vajza ka sëmundje të tillë që i duhet urgjent të shkojë për trajtim në Turqi, andaj ndihma e qytetarëve është shumë e nevojshme. Ka interesim, por jo edhe shumë. Kemi marrë iniciativa të tilla edhe më herët dhe i kemi grumbulluar parat për rastet të cilat tashmë janë dërguar për shërim, andaj edhe kjo ka qenë arsyeja që kemi dalë edhe për vajzën, e gjitha në mënyrë vullnetare”.

Nëna e vajzës na ka thënë se ka kërkuar ndihmë edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por ata nuk mund ta mbulojnë gjithë shumën e kërkuar për trajtim në Turqi”, thotë studentja Arbënore Rexhepi.

Qytetarët mendojnë se Qeveria duhet të vendos si prioritet sektorin e shëndetësisë.

Linda Hoxha, 29-vjeçare, ekonomiste me profesion, thotë se qytetarët ju ndihmojnë me shuma simbolike fëmijëve në nevojë që kërkojnë ndihmë për trajtim. Por, ajo thotë gjithashtu se nuk e din se sa ato mjete mund t’ju ndihmojnë atyre.

Unë mund t’ju ndihmoj simbolikisht, por mendoj se shteti duhet me të merret me këto raste. Nuk po e shoh të arsyeshme që studentët të dalin dhe të kërkojnë ndihmë financiare për fëmijë apo edhe studentë, moshatarë të tyre. Mendoj se duhet të merret më me prioritet sektori i shëndetësisë nga udhëheqësit e vendit, pasi i sëmurë potencial mund të jetë secili nga ne’’, tha Hoxha.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, zyrtari për informim, Lulëzim Uka tha se gjatë këtij viti kanë qenë mbi 200 raste urgjente që kanë përfituar nga fondi për trajtim jashtë vendit.

Ai ka potencuar faktin se vetëm me leukemi akute, kanë qenë mbi 70 raste të fëmijëve që kanë janë dërguar jashtë vendit për trajtim.

Për vitin 2017 janë ndarë rreth 5 milionë euro për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore. Sëmundjet më të shpeshtë që trajtohen jashtë janë kardiologjia invazive, kardiokirurgjia, ortopedia , sëmundjet malinje, oftalmologjia, dhe sëmundjet tjera në masë më të vogël ,e që kanë komplikime e nuk mund të trajtohen brenda institucioneve publike shëndetësore’’, tha Uka.

Sidoqoftë, për t’i identifikuar rastet që duhet të marrin trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për tërë Kosovën, ekziston konsiliumi prej tre anëtarësh dhe drejtorit të Klinikës, që shqyrtojnë sëmundjet dhe udhëzojnë pacientin për trajtim jashtë vendit.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG