Ndërlidhjet

Miliona euro për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike


Miliona euro vazhdojnë të shpenzohen për trajtimin e pacientëve nga Kosova jashtë institucioneve publike shëndetësore, thonë ekspertë të fushës.

Sipas tyre, numri prej mijëra pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendit është pasojë e problemeve me mungesën e pajisjeve të nevojshme dhe njëkohësisht edhe me kuadrot profesionale.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, gjatë vitit 2016 ka ndarë rreth 8 milionë euro për programin e dërgimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore dhe një shumë e njëjtë thuhet të jetë ndarë edhe për këtë vit.

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, thonë se gjatë vitit 2016 kanë mbështetur përmes programit për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore 1100 pacientë, nga gjithsej 1950 syresh sa kanë kërkuar ndihmë.

Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmani, i tha Radios Evropa e Lirë se janë katër lloje të caktuara të sëmundjeve që kërkojnë shpenzime më të mëdha.

"Patologjitë më të shpeshta që pacientët kanë kërkuar kanë qenë kardiologji dhe kardiokirurgji, fusha e oftalmologjisë, ortopedisë si dhe nga fusha e hematologjisë dhe hemato-onkologji. Janë këto katër lloje të sëmundjeve që shpenzojnë më së shumti për trajtim", tha Krasniqi.

Por, për sindikalistët e shëndetësisë, mungesa e trajtimit të shumë llojeve të sëmundjeve në institucionin publik shëndetësor ka për pasojë rrjedhjen e, siç vlerësojnë, 200 milionë eurove në vit jashtë vendit.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, i dha këto shifra duke u bazuar, siç tha, në hulumtimet e bëra nga Banka Botërore.

Kjo, tha ai, po ndodhë për arsye të mungesës së kuadrit profesional dhe infrastrukturës së duhur në institucionet publike shëndetësore.

Ai tha se mungon vullneti politik për ta ranguar si prioritet sistemin shëndetësor.

‘’Kuptohet që gjithë këto vite të humbura sikur të investohej si në kuadrin profesional, po ashtu edhe në infrastrukturë, këto raste do të trajtoheshin në sistemet tona. Ka munguar vullneti, dhe investimet nuk janë rritur dhe paratë po dalin jashtë Kosovës. Kjo tregon një mungesë vullneti politik që nuk i kanë dhënë shëndetësisë prioritet".

"Sikur të investoheshin të gjitha paratë që dalin jashtë Kosovës, si në resurset humane, po ashtu në infrastrukturë, pacientët nuk do dilnin jashtë vendit. Kuptohet që të gjitha sëmundjet nuk mund të trajtoheshin, por shumica po", ka thënë Syla.

Por, për drejtues të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk mund të trajtohen disa lloje të sëmundjeve në mungesë të përgatitjeve adekuate të profesionistëve shëndetësorë.

Shpend Fazliu, zyrtar për informim në këtë Qendër, tha se përveç kuadrove duhen edhe rreth 60 milionë euro për aparaturat e nevojshme.

"Në kuadër të klinikave ekzistojnë komisionet në përbërje të tre mjekëve specialistë, ku në fund nënshkruhet për referim të pacientëve që nuk mund të trajtohen brenda institucioneve publike shëndetësore. Trajtimi bëhet kryesisht për sëmundjet hematologjike e që nuk mund të kryhen brenda QKUK së".

"Por, edhe sëmundje të tjera nuk mund të trajtohen brenda QKUK-së, për shkak se ky institucion nuk posedon aparaturën e nevojshme apo edhe mjekët nuk e kanë përgatitjen adekuate për t’i kryer ato", ka thënë Fazliu.

Numri i pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendit nuk është zvogëluar ndër vite, por problemi më i madh thuhet të ketë mbetur tek çështja e referimit të pacientëve jashtë vendit.

Një udhëzim administrativ, që ka qenë objekt i shqyrtimit të prokurorisë së Kosovës, është cilësuar nga organet e ndjekjes si mjet për shpërdorim detyre nga një numër i mjekëve.

Mbi 40 mjekë dhe personel tjetër i QKUK-së, po gjykohen në bazë të një aktakuze të ngritur nga Prokuroria e Shtetit për shpërdorim detyre dhe të fondeve për dërgimin e pacientëve për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Aktakuza e ka detyruar ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, të jap dorëheqje.

XS
SM
MD
LG