Ndërlidhjet

Si mund ta përdorë Rusia Ligjin e falimentimit kundër kompanive të huaja? 


Një grua kalon pranë një dyqani të mbyllur të 're:Store', që është një dyqan në Shën Petersburg që shiste produkte të kompanisë Apple. Kompania Apple ka pezulluar shitjet e të gjitha produkteve në Rusi.
Një grua kalon pranë një dyqani të mbyllur të 're:Store', që është një dyqan në Shën Petersburg që shiste produkte të kompanisë Apple. Kompania Apple ka pezulluar shitjet e të gjitha produkteve në Rusi.

Reuters

Derisa kompanitë e huaja largohen nga Rusia, për shkak të luftës në Ukrainë, ato përballen me mundësinë që Ligji rus i falimentimit të përdoret për të sekuestruar asetet e tyre, e madje edhe për t’i ndëshkuar ato.

Në Shtetet e Bashkuara, ligjet e falimentimit janë të hartuara në atë mënyrë që kompanive në borxhe iu ofrojnë mundësinë e një fillimi të ri. Kompanitë që përballen me vështirësi në SHBA, zakonisht hyjnë me vetëdëshirë në falimentim, pasi ligji u lejon të mbajnë menaxhimin dhe kontrollin ekzistues mbi asetet e tyre.

Por, ligji rus u jep përparësi nevojave të kreditorëve. Kjo do të thotë se kreditorët, përfshirë Qeverinë ruse, mund ta detyrojnë një kompani të shkojë në falimentim të pavullnetshëm dhe ta përzënë udhëheqësinë e saj.

Disa ekspertë ligjorë thonë se kompanitë e huaja kanë frikë se kreditorët rusë mund të abuzojnë me këtë proces, për të instaluar liderë që janë të gatshëm t’iu shesin asetet e tyre rivalëve të biznesit ose kompanive të lidhura me Qeverinë ruse.

“Në fund të viteve ‘90, kjo është përdorur shpesh si pajisje për të bastisur kompanitë në Rusinë post-sovjetike", thotë Paul Stephan, profesor në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Virxhinias dhe ekspert i sistemeve ligjore sovjetike dhe post-sovjetike.

A mund të përballet një kompani e falimentuar me dënime penale në Rusi?

Po. Në Shtetet e Bashkuara, falimentimi është kryesisht civil. Por, gjykatat ruse kanë qenë më të gatshme për të ndjekur dënimet penale për disa vepra që lidhen me falimentimin, të tilla si fshehja e pasurisë.

Prodhuesi britaniko-amerikan i cigareve “Camel” dhe “Lucky Strike” ka shprehur shqetësimin se dalja e tij nga Rusia mund të shihet si akt kriminal, i cili çon në akuza që lidhen me falimentimin.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që Qeveria ruse kërcënon me akuza penale kompanitë dhe investitorët e huaj.

Rusia i ka kërkuar vazhdimisht agjencisë ndërkombëtare të policisë, INTERPOL, të arrestojë financierin amerikano-britanik, Bill Browder, duke e akuzuar për falimentim të qëllimshëm dhe evazion fiskal.

Browder ka thënë se “urdhërimet false” janë pjesë e një hakmarrjeje nga zyrtarët e korruptuar në shtetin rus. INTERPOL-i nuk i ka pranuar kërkesat e Rusisë për arrestimin.

A është përdorur në të kaluarën Ligji rus për falimentimin për t’i dënuar kompanitë për arsye politike?

Po. Borxhi tatimor është përdorur për t’i çuar kompanitë në Rusi drejt falimentimit, në atë mënyrë që ka penalizuar investitorët e huaj.

Kompania e naftës dhe gazit, Yukos Oil, është detyruar të falimentojë në vitin 2006, pasi ish-shefi i saj, Mikhail Khodorkovsky, është grindur me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, dhe Qeveria ruse ka kërkuar kthimin e miliarda dollarëve taksa.

Shumica e aseteve të Yukos-it janë absorbuar nga prodhuesi kryesor i naftës në Rusi, Rosneft, i cili mbështetet nga Kremlini. Por, aksionarët ndërkombëtarë kanë argumentuar se kërkesat ruse për taksat kanë qenë të paligjshme.

Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë ka rënë dakord, duke konstatuar në vitin 2014 se Kremlini ka manipuluar sistemin ligjor, për të falimentuar kompaninë dhe për të marrë asetet e Khodorkovskyt.

Sipas ekspertëve, Qeveria ruse zotëron kompani të mëdha energjetike dhe ajo mund t’i përdorë faturat e energjisë dhe taksat për t’i shtyrë kompanitë në falimentim.

“Nëse Qeveria e përdor atë fuqi në mënyrë strategjike, ajo mund të ketë aftësi që të ndikojë në gjykatat lokale, t’i ndikojë menaxherët vendas dhe ta detyrojë shitjen e një kompanie që do t’i largonte pronarët e huaj”, thotë Jason Kilborn, profesor i drejtësisë në Universitetin e Illinoisit në Çikago.

A ekziston ndonjë mënyrë e sigurt për kompanitë që të largohen nga Rusia?

Për kompanitë që duan të largohen nga Rusia, zyrtarët rusë kanë sugjeruar një procedurë “të shpejtë” falimentimi që do t’i vendoste menaxherët lokalë në krye të aseteve dhe operacioneve të tyre.

Megjithatë, disa biznese janë të shqetësuara se Ligji rus i falimentimit do të përdoret për t’u hakmarrë ndaj kompanive që largohen, thonë ekspertët.

Rusët nisin të ndiejnë peshën e sanksioneve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Partia në pushtet e Rusisë ka propozuar së voni një legjislacion që do t’i lejojë Qeverisë t’i shtetëzojë asetet e disa kompanive që synojnë të largohen nga Rusia.

Sipas ekspertëve, ky propozim do të bazohej në procedurën e Ligjit të falimentimit, për instalimin e menaxhimit të jashtëm të caktuar nga gjykata, por mund të përdoret kundër kompanive pa borxhe.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG