Ndërlidhjet

Nivel jo i kënaqshëm i lirisë së medias në Maqedoninë e Veriut


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Në Maqedoninë e Veriut duhet ende shumë punë për lirinë e medias, veçanërisht të gazetarisë hulumtuese, që shihet si mjet në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë së shtetit, thonë punonjësit e mediave.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, Mlladen Çadikoski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se vërehet një tendencë e butë e përmirësimit, sa i përket lirisë së mediave, megjithëse shton se ende është herët të thuhet se kanë ndodhur reforma.

“Po, ka transparencë më të madhe, llogaridhënie më të madhe. Kjo mund të vërehet, por, përsëri do të them, ato mbetje të problemeve me të cilat jemi ballafaquar ende janë aty, ende ballafaqohemi. Ju edhe sot keni ministra që u kërcënohen me padi gazetarëve, keni ministra që bëjnë kualifikime në atë ose në këtë mënyrë të mediave. Edhe sot keni ministra të cilët, në vend që të përgjigjen në pyetjet e gazetarëve, ata përgjigjen me kundërpyetje, në të shumtën e rasteve me kuptim ironik ose në çfarëdo kuptimi tjetër, e cila do të duhej ta ofendonte gazetarin. Kjo nuk është mirë. Kjo praktikë duhet të hiqet”, tha Çadikoski.

Ndërkaq, Elida Zylbehari e cila është e angazhuar në shumë projekte të gazetarisë hulumtuese, konsideron se edhe kjo përbërje qeveritare i mban larg mediat nga informacionet me karakter publik, duke pamundësuar që opinioni të informohet me mënyrën se si shpenzohen paratë e shtetit.

“Trysnia nga pushteti dhe moszbatimi i ligjeve paraqesin problem. Edhe pse kishte ndryshime për Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuele, i cili u miratua në fund të vitit të kaluar, sërish Ligji për qasje të lirë ndaj informatave me karakter publik mbetet jofunksional sepse ndryshimet në këtë ligj nuk janë bërë edhe pse ishin planifikuar disa muaj më parë”.

“Më tej do të theksoja paratë publike që hynë në mediat tona në formë të reklamave sepse në njëfarë forme bëjnë shkatërrimin e pavarësisë mediale. Nga ana tjetër, ka raste kur ka trysni nga funksionarë të ndryshëm dhe gazetarët nuk i paraqesin, por e lënë hulumtimin, dhe kjo është demotivuese për gjithë sferën”, thotë Zylbehari.

Ministri Robert Poposki, i cili është përgjegjës për mediat, ka theksuar për Radion Evropa e Lirë se Qeveria është e gatshme të ndihmojë mediat në forma të caktuara në aspektin financiar, nëse për një gjë të tillë shprehen punonjësit në media.

Por, Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk duhet lejuar që pushteti përmes ndihmave financiare për media të caktuara, të kontrollojë mediat, ashtu siç bënte, sipas tij, pushteti i kaluar.

“Në Evropë, sistemin mediatik е rregullon tregu, përkatësisht sistemin mediatik e rregullon tregu dhe shteti nuk bën asnjë lloj ndërhyrje, veçanërisht pjesës që ka të bëjë me pjesën radio-difuzive të medias. Vlerësoj se idetë e këtilla që vijnë nga grupe të ndryshme nuk janë në harmoni me standardet evropiane dhe shpijnë drejt krijimit të një atmosfere apo ambienti që media edhe në të ardhmen të jetë nën ndikimin e politikës, sepse e kemi përvoja nga e kaluara ku një pjesë e mediave, të cilat ishin shitur thënë kushtimisht me para, në vend se të ishin media, ata u shndërruan në kanale propagandues, që kryenin detyrën e zëdhënësit politik”, thotë Tahiri.

XS
SM
MD
LG