Ndërlidhjet

Lista Serbe kërkon vlerësim nga Kushtetuesja për vendet e rezervuara

E përditësuar
Salla plenare e Kuvendit të Kosovës.
Salla plenare e Kuvendit të Kosovës.

Lista Serbe të martën dorëzoi ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër vendimit të Gjykatës Supreme për të konfirmuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në qershor, sipas të cilave kjo parti, më e madhja e serbëve në Kosovë dhe që ka mbështetjen e Beogradi, fitoi nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Listës Serbe është kontestues fakti që një mandat deputeti e fitoi Nenad Rashiqi nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, falë votave të marra në mjedise ku nuk jeton komuniteti serb.

Rashiq u kundërpërgjigj, duke vlerësuar se Lista Serbe reagon vetëm atëherë kur i rrezikohen “interesat dhe pozitat e veta politike”.

“Parimet vlejnë gjithmonë dhe për të gjithë, e jo vetëm kur i përshtaten një opsioni politik. Lufta për sundimin e ligjit, transparencën dhe përfaqësimin autentik të komunitetit nënkupton qëndrueshmëri, pavarësisht se kush përfiton politikisht”, thuhet në reagimin e Rashiqit ndaj ankesës së Listës Serbe drejtuar Kushtetueses.

Ankesa e Listës Serbe vjen në prag të mbajtjes së seancës konstituive të legjislaturës së re që mbahet më 6 gusht, teksa gjatë ditës pritet takimi mes udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Kosova gjatë një viti e gjysmë ka mbajtur tri palë zgjedhje për shkak të dështimit për të arritur konsensus mes partive politike rreth formimit të institucioneve të reja dhe zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës, për Radion Evropa e Lirë shpjegojnë se ankesa e Listës Serbe nuk mund të ketë ndikim në formimin e institucioneve të reja, përveç nëse Gjykata Kushtetuese vendos një masë të përkohshme.

“Nga pikëpamja politike, ankesa mund të përdoret për ta kontestuar legjitimitetin e Rashiqit. Megjithatë, nga pikëpamja juridike, mandati i tij mbetet i vlefshëm derisa institucioni kompetent ta shfuqizojë ose ta pezullojë atë”, thotë Miftaraj.

Ai vlerëson se argumenti i Listës Serbe për kontestimin e mandatit të Rashiqit është i dobët, me çka pajtohet edhe Bugaqku.

“As Kushtetuta dhe as ligjet për zgjedhje nuk e kushtëzojnë vlefshmërinë e votës apo ndarjen e mandatit të deputetit me përbërjen etnike të komunës ku është dhënë vota. Çdo votues që ka të drejtë vote mund të votojë për cilindo subjekt politik apo kandidat të regjistruar, ndërsa mandatet e deputetëve ndahen në bazë të rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve në nivel vendi, e jo sipas përbërjes etnike të komunave të veçanta”, thotë Bugaqku.

Ndërkaq, Lista Serbe përmes një komunikate thekson se “thelbi i ankesës është mbrojtja e së drejtës kushtetuese të popullit serb, por edhe të popujve të tjerë joshumicë, për përfaqësim autentik politik”.

“Nëse do të pranohej që përfaqësuesit politikë të një komuniteti të zgjidhen nga pjesëtarë të komuniteteve të tjera, atëherë do të vihej në pikëpyetje vetë qëllimi i vendeve të rezervuara në Kuvend, jo vetëm për komunitetin serb, por edhe për të gjitha komunitetet e tjera joshumicë, të cilave Kushtetuta u garanton përfaqësim të veçantë politik”, thuhet në komunikatë.

Nenad Rashiq kishte deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se mandatin e deputetit e fitoi para së gjithash me votat e serbëve, por nuk e mohoi se mbështetje i dhanë edhe komunitete të tjera joshumicë, gjë që, sipas tij, është rezultat i pozitës së tij si ministër për Komunitete dhe Kthim gjatë tre vjetëve e gjysmë të fundit.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese në vitin 2023 mbajti qëndrimin se pjesëtarët e komuniteteve pakicë mund të marrin vota në çdo pjesë të Kosovës, pa kufizime etnike për votuesit, por se votat mund të anulohen nëse ekzistojnë prova të qarta për parregullsi konkrete zgjedhore ose mashtrim të koordinuar zgjedhor.

Gjykata kështu iu përgjigj ankesave të Partisë së Bashkuar Rome të Kosovës dhe Partisë Liberale Egjiptiane lidhur me votat që Iniciativa Rome kishte marrë në vitin 2021 në komunat me shumicë serbe.

Më herët, Gjykata Supreme e Kosovës ia kishte anuluar Iniciativës Rome rreth 800 vota, ndërsa Adriana Hoxhiqit nga Iniciativa Qytetare Komuniteti i Bashkuar – e cila përfaqësonte komunitetin boshnjak – mbi 4.000 vota në komunat me shumicë serbe, për çka ajo humbi mandatin e deputetes.

Këto dy subjekte politike ishin akuzuar se votat në mjediset serbe i kishin marrë falë Listës Serbe, e cila “përmes trupit të saj elektoral u përpoq të ushtronte ndikim dhe të vinte nën kontroll disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Çështja e mandateve të rezervuara u aktualizua sërish edhe pas zgjedhjeve të vitit 2025, kur kryetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi, akuzoi Nenad Rashiqin se mandatin e kishte fituar falë votave nga mjedise ku pothuajse nuk ka serbë. Ajo u ankua në Gjykatën Supreme, por gjykata e refuzoi ankesën me arsyetimin se nuk mund ta përcaktojë përkatësinë etnike të votuesve dhe se çdo qytetar ka të drejtë të votojë për kandidatin, sipas zgjedhjes së vet.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nga gjithsej 120 vende në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë.

Po ashtu, sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti serb ka të garantuar një vend në Qeveri, si dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit. Megjithatë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili fitoi zgjedhjet e fundit të mbajtura në qershor, e konsideron Listën Serbe “dorë e zgjatur” e Beogradit dhe, veçanërisht pas sulmit në Banjskë më 2023, refuzon të bashkëpunojë me të.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG