Ndërlidhjet

Lojërat Olimpike "do të mbahen", pavarësisht kundërshtive


Pamje nga Tokio
Pamje nga Tokio

Organizatorët e Lojërave Olimpike të Tokios, kanë thënë se kjo ngjarje do të zhvillohet edhe nëse qyteti do të jetë nën masën e gjendjes së jashtëzakonshme, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Së fundmi janë duke u shtuar zërat kundërshtues për këtë organizim, pasi ka shqetësime se ai mund të ndikojë në rritje të rasteve të infektimit.

Nënpresidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar John Coates, i cili është duke mbikëqyrur përgatitjet, ka thënë më 21 maj se “të gjitha planet që kemi për ruajtje të sigurisë së atletëve dhe popullit të Japonisë, bazohen në situatat më të rënda të mundshme”.

“Absolutisht po!” është përgjigjur ai, kur është pyetur nëse Lojërat Olimpike do të mbahen nëse pas nëntë javësh, Tokio do të vazhdojë të jetë në gjendje të jashtëzakonshme.

Kjo ngjarje, e planifikuar për vitin e kaluar, është shtyrë për shkak të pandemisë.

Deklarata e fortë e Coates-it vjen teksa Japonia vazhdon të përballet me valën e katërt të infektimeve dhe shkallës së ulët të vaksinimit.

Procesi i vaksinimit është konsideruar i ngadaltë në disa media lokale atje, derisa më herët gjatë kësaj jave, Asociacioni i Mjekëve të Tokios – ku përfshihen rreth 6,000 mjekë – ka bërë thirrje që të anulohen Lojërat Olimpike, pasi spitalet në kryeqytetin japonez “i kanë duart e mbushura dhe nuk kanë kapacitet për më shumë pacientë”.

Me vetëm 3.7 për qind të popullsisë prej 126 milionë banorëve, që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, Japonia është vendi me shkallën më të ulët të imunizimit të popullsisë, sa u takon vendeve të pasura.

XS
SM
MD
LG