Ndërlidhjet

Strategjia e Izraelit kundër Omicronit


Një punonjëse shëndetësore në Izrael bën gati vaksinën kundër koronavirusit.
Një punonjëse shëndetësore në Izrael bën gati vaksinën kundër koronavirusit.

AFP

Reagimi i Izraelit ndaj pandemisë COVID-19 është vëzhguar nga afër në të gjithë botën - sidomos për shpërndarjen e shpejtë të vaksinave dhe vendimin e hershëm për të ofruar doza përforcuese.

Ky vend tani po përballet me një numër të paparë të të infektuarve, të shkaktuar nga varianti Omicron i koronavirusit.

Të martën, autoritetet atje raportuan mbi 37,000 raste të reja, duke thyer çdo rekord të mëparshëm.

Në mesin e të infektuarve është edhe ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, i cili tha se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i izoluar në shtëpi.

Pavarësisht shtimit të rasteve, Qeveria izraelite është duke i rezistuar rivendosjes së bllokimeve dhe shumicës së kufizimeve të tjera, edhe pse thotë se kulmi i infektimeve mund të jetë ende larg.

Cila është strategjia?

Menjëherë pas shfaqjes së variantit Omicron për herë të parë në Afrikën e Jugut në muajin nëntor, Izraeli ka frenuar shumicën e udhëtimeve ndërkombëtare.

Cyrille Cohen, profesor i shkencave jetësore në Universitetin Bar Ilan pranë Tel Avivit, e cilëson këtë si një “veprim të mirë”, që, siç thotë, ka ndaluar transmetimin e virusit në masë të madhe dhe ka blerë kohë për t’u përgatitur për trajtim.

Megjithatë, shton ai, Izraeli nuk e ka shfrytëzuar këtë kohë për të rritur në mënyrë adekuate kapacitetet e testimit.

Më vonë, me rritjen e transmetimit të brendshëm të infeksionit, Izraeli ka arritur në përfundimin se kufizimet e udhëtimit nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të dëmtojnë ekonominë.

Ai ka rihapur qiellin e tij dhe ka lejuar që baret, restorantet, palestrat dhe objektet e tjera të qëndrojnë të hapura.

Duke folur për AFP-në, Cohen thotë se Izraeli, në mënyrë efektive, “ka transferuar një pjesë të menaxhimit të kësaj krize nga autoritetet te njerëzit”, duke u dhënë qytetarëve përgjegjësinë kryesore për vetëtestim dhe karantinë.

Cilat janë rreziqet?

Hagai Levine, kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Shëndetit Publik në Izrael, thotë për AFP-në se vendimi i Izraelit “për të vazhduar jetën normale”, do të rezultojë në mënyrë të pashmangshme me më shumë infektime.

Levine e mbështet vendimin për të shmangur një bllokim të ri, por thotë se Qeveria do të përballet me probleme nëse vazhdon të shpallë ndryshime politikash pothuajse çdo ditë.

“Ndryshimi i politikës në vazhdimësi shkakton konfuzion dhe ndjenjën se Qeveria nuk e ka nën kontroll [situatën] - gjë që është e vërtetë, sepse nuk është e mundur ta kesh nën kontroll”, thotë ai.

Shefi i njësisë së trajtimit të pandemisë në Izrael, Salman Zarka, ka paralajmëruar të hënën se përhapja e rasteve dhe izolimi i detyrueshëm do të shkaktojnë gjithnjë e më shumë stres në fuqinë punëtore, veçanërisht në sistemin e kujdesit shëndetësor.

Ai ka thënë se Qeveria po shqyrton mundësinë e shkurtimit të periudhave të izolimit për individë të caktuar që rezultojnë pozitivë, por që janë asimptomatikë.

Doza e katërt për të gjithë?

Më shumë se 80 për qind e banorëve të rritur të Izraelit kanë marrë dy vaksina kundër koronavirusit dhe më shumë se gjysmës i është dhënë edhe doza përforcuese.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka thënë muajin e kaluar se Izraeli do të administrojë edhe dozën e katërt, për të luftuar Omicronin.

Disa grupe në rrezik tani kanë qasje në dozën e katërt, edhe pse provat shkencore për ndikimin e saj janë të pakta.

“Izraeli është i hapur për të bërë gjëra të bazuara në arsye, pa prova shkencore”, thotë Levine.

“Kjo ndonjëherë ia vlen”, shton ai.

Të dhënat paraprake nga Qendra Mjekësore Sheba e Izraelit tregojnë rritje të konsiderueshme të antitrupave te personat që kanë marrë dozën e katërt.

Por, Cohen thotë se është vështirë të nxirret ndonjë përfundim.

“Unë mund ta kuptoj vendimin për ta mundësuar [dozën e katërt] për njerëzit që janë në rrezik. Por, ne nuk e dimë nëse do të ketë ndonjë dallim në krahasim me tri dozat”, thotë ai.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG