Ndërlidhjet

Lufta e ashpër në lindje, SHBA-ja fillon trajnimin e trupave ukrainase


Ushtarët ukrainas duke qëlluar me armë kundërajrore drejt pozicioneve ruse në vijën e frontit pranë Bahmutit, më 15 janar.
Ushtarët ukrainas duke qëlluar me armë kundërajrore drejt pozicioneve ruse në vijën e frontit pranë Bahmutit, më 15 janar.

Ushtria ukrainase më 16 janar bënë të ditur se forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulmet e reja ruse në lindje, ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan për fillimin e një programi të zgjeruar të trajnimit luftarak për forcat ukrainase në Gjermani.

Ndërkohë, numri i të vdekurve nga një sulm me raketa ruse në qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro, ka arritur në 36, tha policia e Ukrainës, ndërsa Kremlini mohoi se forcat ruse qëndrojnë pas sulmit.

Sulmi në Dnipro ishte pjesë e një vale të përhapur të sulmeve ruse me raketa që përfshinte qytetet më të mëdha të Ukrainës, Kievin dhe Harkivin.

“Deri në ora 10:30 të mëngjesit të sotëm kanë vdekur 36 persona, mes tyre 2 fëmijë.

Ndërsa, numri i të lënduarve ka arritur në 75, në mesin e tyre janë 15 fëmijë”, tha policia në Telegram, duke shtuar se janë shpëtuar 39 persona, në mesin e të cilëve edhe gjashtë fëmijë.

Kremlini më 16 janar mohoi se forcat ruse kishin goditur kompleksin e apartamenteve në Dnipro.

"Forcat e Armatosura Ruse nuk godasin ndërtesat e banimit apo objektet e infrastrukturës sociale. Sulmet kryhen ndaj objektivave ushtarake, qofshin të dukshme ose të maskuara", u tha gazetarëve gjatë një telefonate zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Forcat ruse shënjestruan pozicionet ukrainase dhe vendbanimet civile në Luhansk dhe Donjeck, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në raportin e tij të përditshëm më 16 janar, ndërsa vazhdonte pasiguria se cila anë kontrollon Soledarin - i cili është granatuar nga forcat ruse.

Ushtria ruse tha se ka marrë nën kontroll Soledarin, një pretendim i mohuar nga Kievi, i cili tha se luftimet e ashpra po vazhdojnë brenda dhe rreth qytetit strategjik të minierave të kripës në Donjeck.

Një fitore ruse në Soledar do t'i lejonte forcat e Moskës t'i afroheshin qytetit më të madh, Bahmutit në jug, ku betejat e ashpra janë ndezur për muaj të tërë.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha se, që nga 15 janari, forcat ukrainase i kanë ruajtur pozicionet në Soledar, ku gjatë fundjavës vazhduan luftimet intensive.

Ushtria ukrainase tha se forcat ruse, gjithashtu, vazhduan të godasin energjinë dhe infrastrukturën civile në rajonet Zaporizhija, Dnipropetrovsk dhe Herson.
Gjenerali amerikan, Mark Milley, drejtor i Shefave të Përbashkët të Shtabit, tha se më 15 janar në Gjermani filloi një program i zgjeruar dhe më kompleks i trajnimit luftarak i forcave ukrainase.

Milley tha se programi, i cili përqendrohet në luftime në shkallë të gjerë, synon të kthejë një batalion prej rreth 500 trupash ukrainase në fushën e betejës për të luftuar rusët në pesë ose gjashtë javët e ardhshme.

Shtetet e Bashkuara kanë trajnuar tashmë më shumë se 3.100 trupa ukrainase për përdorimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të caktuara të armëve, duke përfshirë obusë, automjete të blinduara dhe sistemin raketor të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS).

Aleatët e tjerë perëndimorë po kryejnë gjithashtu trajnime për armët që ata ofrojnë.

Në një zhvillim të veçantë, ministrja gjermane e Mbrojtjes,Christine Lambrecht, dha dorëheqjen më 16 janar, pasi u kritikua ashpër për përgjigjen hezituese të Berlinit ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

Largimi i Lambrechtit ndodhi në kohën kur Gjermania ishte edhe një herë nën presion të madh për të siguruar tanke luftarake në Kiev pasi aleatët e tjerë të Ukrainës premtuan pajisje të tilla.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, premtoi javën e kaluar të sigurojë tanke britanike Challenger 2 në Ukrainë, pasi Franca në fillim të këtij muaji gjithashtu u zotua të dërgojë tanke AMX-10 RC franceze në Kiev.

Peskov më 16 janar mohoi se dërgesat e tilla do të kishin ndikim në rrjedhën e konfliktit, duke thënë se tanket britanike të premtuara për Ukrainën do të "digjen" në fushën e betejës.

"Operacioni special ushtarak do të vazhdojë. Këto tanke po digjen dhe do të digjen", tha Peskov, duke përdorur termin e Moskës për ofensivën në Ukrainë.

Ai shtoi se dërgesa të tilla "nuk do ta ndryshojnë situatën në terren. Kjo vetëm do ta zgjasë këtë histori".

Raketa ruse shkatërron një banesë shumëkatëshe në Ukrainë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i cili koordinon furnizimet me armë në Kiev, do të takohet në bazën ajrore Ramstein në Gjermani gjatë ditëve të ardhshme.

Shefi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së më 16 janar tha se agjencia po rrit praninë e saj në Ukrainë për të ndihmuar shmangien e një aksidenti bërthamor pasi sulme ruse u raportuan edhe në rajonin jugor të Zaporizhjas, shtëpia e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë.

Aktualisht, vetëm uzina e kontrolluar nga Rusia në Zaporizhja, e cila është afër vijës së frontit, ka një prani të përhershme të katër ekspertëve të IAEA-s.

"@IAEAorg po zgjeron praninë e saj në #Ukrainë për të ndihmuar në parandalimin e një aksidenti bërthamor gjatë konfliktit në vazhdim... Jam krenar që drejtoj këtë mision në Ukrainë, ku po vendosemi në të gjithë [centralet bërthamore] të vendit për të ofruar ndihmë në sigurinë dhe sigurinë bërthamore", tha Rafael Grossi në Twitter.

Gjithashtu më 16 janar, Bjellorusia tha se Moska dhe Minsku filluan stërvitjet e përbashkëta të forcave ajrore. Bjellorusia tha se stërvitjet janë mbrojtëse, por njoftimi u bë pas shqetësimeve në rritje se Moska po e shtyn Minskun t'i bashkohet luftës në Ukrainë.

Përgatiti: Albina Kastrati

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG