Ndërlidhjet

Mungesë kuadrosh për luftën kundër korrupsionit në polici


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Dyshimi për përfshirjen e pjesëtarëve të policisë në korrupsion, paraqet një goditje të fortë ndaj luftës kundër korrupsionit, theksojnë organizatat që në fokus kanë luftën kundër kësaj dukurie.

Këto reagime vijnë pas dyshimeve të ngritura për përfshirje të pjesëtarëve të policisë në korrupsion siç ishte rasti në Bllacë javën e kaluar, si dhe vjedhjes së magazinave të Stacionit të Policisë në Ohër gjatë kësaj jave.

Organet e policisë thanë se në këto magazina ka pasur gaz lotsjellës, si dhe materiale higjienike për nevojat e policisë, por opozita maqedonase akuzoi pushtetin se ka lejuar të vidhen armë të cilat më vonë mund të përdoren për veprime kriminale.

Qebir Avziu, dekan në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, fakultet ky që me Fakultetin Juridik të Universitetit VRIJE, në Amsterdam të Holandës janë duke realizuar projektin rreth detektimit të nivelit të korrupsionit në institucionet e shtetit, financuar nga Bashkimi Evropian, thekson për Radion Evropa e Lirë elementet, që sipas tij, çojnë në dështimin e luftës kundër korrupsionit.

Sipas profesor Avziut, janë pagat e ulëta në dikasterin e policisë dhe mungesa e kuadrit profesional për kontroll të brendshëm, janë dy hallkat që bën të dështojë lufta kundër korrupsionit në institucionin që është më i thirrur ta luftoj atë – Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Luftimi i korrupsionit në polici nuk ka të bëjë vetëm me nevojën e rritjes së pagave në këtë sektor, por sektori për kontroll të brendshëm duhet të ketë trajnim dhe edukim permanent nga shërbimet policore të shteteve të huaja dhe të marrë përvojat e tyre se si ato e luftojnë korrupsionin. Pra, Inspektorati i Kontrollit të Brendshëm te ne këtu në Maqedoninë e Veriut nuk është dhe aq profesional apo aq i përgatitur që të identifikojë se ku dhe në cilin institucion është më i pranishëm”, thotë Avziu.

“Nëse Maqedonia e Veriut, si shtet, dëshiron që në mënyrë efikase ta luftojë korrupsionin si dukuri e pranishme brenda radhëve të policisë fillimisht duhet të ngrejë profesionalizmin në sektorin për kontroll të brendshëm në këtë dikaster që pastaj ata të zbulojnë korrupsionin tek anëtarët e policisë”, thotë ai.

Por, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se proceset ndaj pjesëtarëve të dikasterit që drejton ai për përfshirje në korrupsion, do të jenë transparente. Ai shton se qytetarët do të binden që synim parësor mbetet ballafaqimi me organet e drejtësisë për këdo që shkel ligjin.

I pyetur se si mund të kthehet besimi i qytetarëve ndërkohë që nëpunësi i policisë ndalohet nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në pikën kufitare në Bllacë, Spasovski arsyetohet se kjo ndodh në të gjitha institucionet e vendeve të botës, por shton se me rëndësi është forca me të cilën ballafaqohen institucionet për të luftuar këtë dukuri.

“Të mos krijojmë perceptim të gabuar tek opinioni publik. Aparati shtetëror e ka patjetër të jetë efikas në luftën kundër korrupsionit dhe veprave penale. Njësoj të përgjigjet, pa marrë parasysh se për cilin bëhet fjalë. Ato procedura duhet të jenë transparente dhe jo selektive. Gjithsesi se ka një varg masash, të cilat ndërmerren”, thotë Spasovski.

Duke folur për dyshimet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare të ish-sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zekiri, i cili ndodhet në paraburgim, Spasovski thotë se kjo është dhe një dëshmi se ka rritje të veprimtarisë zbuluese të veprave penale në nivele të larta në vend.

“Po të shikojmë statistikat, del se megjithatë më dominuese te veprat penale janë ato të korrupsionit, ato që kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar. Vetëm në vitin 2020 kemi 97 vepra penale, të cilat janë të lidhura me korrupsionin, ndërsa kemi 161 kryerës të atyre veprave. Gjë që është shkaktuar dëm material diku prej 100,2 milionë denarë”, thekson Spasovski.

Ai shton se në vitin 2021 u vazhdua në mënyrë intensive me luftën kundër korrupsionit dhe ishin zbuluar 157 vepra penale, çka paraqet rritje të shkeljeve në shtet me 67 për qind.

“Këto të dhëna janë me rëndësi, pasi tregojnë se kemi edhe rritje të veprimtarisë zbuluese, e me këtë edhe forcim të vetëdijes publike për paraqitjen e korrupsionit”, shton Spasovski.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut edhe në raportin e fundit Freedom House për luftën kundër korrupsionit është vlerësuar me notën më të ulët, me notën 3.

Në raportin e FH-së, Maqedonia e Veriut me notën 3.5 është vlerësuar për qeverisjen demokratike, 4.25 për procesin zgjedhor, 5.25 për shoqërinë civile. Megjithëse në raport Maqedonia e Veriut cilësohet si shtet me regjim hibrid.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG