Ndërlidhjet

Macron nuk pret që Trump të mbetet në marrëveshjen me Iranin


Presidentët e SHBA-së dhe Francës, Donald Trump dhe Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se nuk pret që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të vazhdojë të respektojë marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Duke folur gati në fund të vizitës së tij treditëshe në Uashington, Macron tha se Trump “do ta heqë qafe këtë marrëveshje për arsye të brendshme” dhe për shkak të zotimeve në fushatë se do të tërhiqet nga ajo.

Macron kaloi orë të tëra me Trumpin gjatë vizitës së tij dhe për muaj të tërë ka bërë përpjekje ta bindë atë që të vazhdojë të respektojë marrëveshjen e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, me të cilën Republika Islamike ka rënë dakord të frenojë aktivitetin e saj bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Më 24 prill, dy liderët thanë se duan të krijojnë një marrëveshje të re, për të adresuar shqetësimet e Trumpit rreth programit me raketa balistike të Iranit dhe përfshirjes së tij në luftërat civile në Siri dhe Jemen.

Trump, fillimisht, tha se është i hapur për një marrëveshje të tillë, por ai vazhdoi të shprehë kundërshtime të fuqishme për marrëveshjen ekzistuese, duke e cilësuar atë si “të çmendur” dhe “qesharake”.

“Nuk kam informacione të brendshme se çfarë vendimi do të marrë Trump”, tha Macron për gazetarët.

“E dëgjoj atë që thotë presidenti Trump dhe më duket se ai nuk është i etur për ta mbrojtur marrëveshjen. Analiza racionale e të gjitha deklaratave të tij nuk më bën të mendoj se ai do të bëjë gjithçka për ta ruajtur atë”, tha Macron.

Trump, mirënjohës për partneritetin me Francën
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

I pyetur nëse vendimi i mundshëm i Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja do të nënkuptonte dështim personal për të, Macron tha se roli i tij “nuk është të përpiqet të bindë presidentin Trump që të tërhiqet nga premtimet e fushatës”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të bëjë përpjekjen e fundit për ta bindur Trumpin që të respektojë marrëveshjen, gjatë vizitës së saj në Uashington më 27 prill.

Trump duhet të vendosë deri më 12 maj nëse do të vazhdojë të pushojë sanksionet amerikane kundër Teheranit, ashtu siç kërkohet me marrëveshje. Nëse jo, një gjë e tillë do të nënkuptonte shkelje të marrëveshjes dhe Irani është zotuar se do të përgjigjet, duke i hapur rrugë shpërbërjes së paktit.

Macron i bëri komentet derisa një aeroplanmbajtës Boeing dorëzoi disa avionë udhëtarësh, të destinuar për Iranin, te blerës të tjerë, si rezultat i kërcënimeve të Trumpit për tërheqje nga marrëveshja bërthamore.

Marrëveshja bërthamore me Iranin është nënshkruar në vitin 2015 nga SHBA-ja, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG