Ndërlidhjet

Irani shqipton dënimin e parë me vdekje për pjesëmarrje në protesta


Protestat në Iran nisën në mes të shtatorit, pas vdekjes në paraburgim të një gruaje 22 vjeçe, e cila u arrestua për "shkelje të rregullave të hixhabit".

Një gjykatë në Iran dha dënimin e parë me vdekje për një person të arrestuar për pjesëmarrje në protestat që kanë përfshirë këtë vend.

Media shtetërore e Iranit raportoi se Gjykata Revolucionare në Teheran ka konstatuar se i pandehuri i ka vënë zjarrin një objekti qeveritar dhe se është fajtor për “armiqësi kundër Zotit”.

Një gjykatë tjetër dënoi pesë persona me nga pesë deri në dhjetë vjet burgim, nën akuzat se kanë rrezikuar sigurinë kombëtare dhe rendin publik.

Një grup i të drejtave të njeriut paralajmëroi se autoritetet mund të jenë duke planifikuar “ekzekutime të shpejta”.

Së paktu 20 persona po përballen me akuza që bartin dënimin me vdekje, tha Grupi për të Drejtat e Njeriut në Iran, që ka selinë në Norvegji.

Protestat kundër establishmentit klerik të Iranit shpërthyen dy muaj më parë, pas vdekjes në paraburgim të një gruaje 22 vjeçe, e cila u arrestua nga policia e moralit për, siç u tha, shkelje të rregullave të hixhabit.

Autoritetet thonë se Mahsa Amini humbi jetën nga sulmi në zemër, por familja e saj dhe iranianë të tjerë besojnë se ajo vdiq si rezultat i rrahjes nga policia.

Raportohet se protestat janë përhapur në 140 qytete dhe qyteza të Iranit dhe se janë shndërruar në sfidën më të madhe për Republikën Islamike në më shumë se dhjetë vjet.

Së paku 326 protestues, përfshirë 43 fëmijë dhe 25 gra, u vranë nga dhuna e forcave të sigurisë, tha Grupi për të Drejtat e Njeriut në Iran.

Udhëheqësit e Iranit i kanë cilësuar protestat si “trazira” të nxitura nga armiqtë e huaj të vendit.

XS
SM
MD
LG