Ndërlidhjet

Protestat për hixhabin hapin Kutinë e Pandorës në Iran


Një prej protestave të mbajtura në Iran javëve të fundit.
Një prej protestave të mbajtura në Iran javëve të fundit.

Një gjeneratë e të rinjve po refuzon të heshtë përballë Qeverisë teokratike dhe represive të Iranit. Pas një muaji e gjysmë protesta dhe reagimit brutal të autoriteteve, ata mbeten të pamposhtur.

Slogani “Grua, jetë, liri” thirret kudo në Iran: në rrugë, në klasa shkollash, në kampuse universitetesh.

Protestat e furishme kanë nisur pas vdekjes tragjike të 22-vjeçares Mahsa Amini në mes të shtatorit. Amini është arrestuar në Teheran nga policia famëkeqe e moralit, për gjoja shkelje të rregullave të hixhabit, dhe ka vdekur dy ditë më vonë në paraburgim, me shenja të mavijosjes në fytyrë dhe trup.

Protestat e solidarizimit janë përhapur kudo në botë: Berlin, Londër, Paris... deri në Stamboll, Uashington, Santiago.

“Ndihem shumë mirë. Jemi këtu për t’iu thënë: Ne jemi me ju, me gjithë popullin e Iranit. Unë jam zëri i Mahsa Aminit”, është shprehur një protestuese në Berlin.

Veshja e hixhabit, apo shamisë së kokës, është bërë e obligueshme në Iran qysh në vitin 1983 - katër vjet pas Revolucionit Islamik. Që atëherë, të gjitha gratë atje, madje edhe jomyslimanët dhe të huajat, detyrohen të veshin hixhab në publik. Për më tepër, ato nuk kanë të drejtë në divorc, në kujdestari të fëmijëve apo të largohen nga Irani pa lejen e një burri.

Kundërshtime apo protesta kundër këtyre rregullave ka pasur kohë pas kohe në Iran, derisa ato kanë kulmuar me djegiet e hixhabit që shohim sot, me thirrjet për më shumë liri dhe për shporrjen e mullave nga pushteti.

Një protestuese në Iran heq hixhabin.
Një protestuese në Iran heq hixhabin.

Revoltat anti-regjim nuk janë të padëgjuara në Iran edhe për çështje të tjera, qoftë mashtrime në zgjedhje, rritje të çmimit të karburanteve apo keqmenaxhim ekonomik.

Por, një dallim thelbësor i valës aktuale të protestave me ato të mëparshmet është roli kryesor që luan gjenerata e ashtuquajtur “Zoomers” e vendit. Pjesëtarët e kësaj gjenerate janë të lindur midis viteve 1997 dhe 2010 dhe janë tejet aktivë në mediat sociale.

Ky grup në Iran grumbullon rreth 6 milionë banorë, apo më pak se 7 për qind të popullsisë 83-milionëshe. Megjithatë, është në ballë të protestave jo vetëm në rrugë, por edhe në rrjetet sociale. Vajzat e kësaj gjenerate duket se janë të gatshme të rrezikojnë gjithçka për të jetuar si duan vetë.

Përpara se të vdiste në protestë, blogerja Sarina Esmailzadeh, 16 vjeçe, ka shpërndarë në kanalin e saj në YouTube një video, duke kënduar këngën “Take me to church”. Me vargjet “më çoni në kishë, do të lutem si qen në faltoren e gënjeshtrave tua”, kjo këngë është shndërruar në himn global për lirinë.

Në një video tjetër, Sarina - me qindra mijëra ndjekës - i është drejtuar po ashtu regjimit:

“Ne nuk jemi si gjenerata e mëparshme, 20 vjet më parë, që nuk e dinte se si është jeta jashtë Iranit. Përse nuk mund të argëtohemi si të rinjtë në Nju Jork dhe Llos Angjelles”, ka pyetur ajo.

Sarina Esmailzadeh
Sarina Esmailzadeh

Sipas organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, Sarina ka dalë për të protestuar në provincën Alborz, në perëndim të Iranit, dhe ka vdekur nga goditjet e forta në kokë. Autoritetet iraniane kanë mohuar se kanë ushtruar dhunë.

Firuzeh Mahmoudi, nga organizata “United for Iran”, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se protestat përfaqësojnë një moment të thellë ndryshimi.

“Ato që i shohim në rrugë sot, janë gra të guximshme, të patrembura dhe të zgjuara përtej moshës së tyre. Ato jetojnë nën tirani të madhe. Shumica e atyre [që protestojnë] janë adoleshente apo në të 20-tat. Ato e dinë qartazi se çfarë duan. Ato duan t’iu respektohen të drejtat themelore, të kenë autonomi mbi trupin e tyre, të udhëheqin jetën e tyre dhe ta jetojnë atë plotësisht”, thotë Mahmoudi.

Sipas historianëve, gjenerata Zoomers, ndryshe nga prindërit dhe gjyshërit, ka qasje më të madhe në informacion dhe në botën e jashtme. Qasja aktive në mediat sociale u ka dhënë shkathtësi dhe platformë për të shprehur shqetësimet e tyre.

Roham Alvandi, profesor në Shkollën Ekonomike në Londër, thotë për Exposenë se kjo gjeneratë nuk është e lidhur për ndonjë idealizëm sikurse gjeneratat para saj. Ajo nuk beson në vijat e kuqe që ka nxjerrë shoqëria ose regjimi i mullave dhe nuk i merr si të mirëqena as ligjet, as rregulloret, as ndonjë gjë tjetër.

“Për këtë gjeneratë që shihni në rrugët e Iranit, nocioni i një shteti islamik është absurd. [Shoqëria iraniane] jeton me këtë regjim për [më shumë] se 40 vjet. Dhe, shumica e protestuesve janë më të rinj, janë adoleshentë, janë në të 20-tat, në të 30-tat. Pra, gjithë jetën e tyre kanë jetuar me rregulla drakoniane në çdo aspekt: nga ajo që duhet të veshin, duhet të hanë, deri te kë të duan, ku të punojnë... Ata janë ngopur, e kanë pasur mjaft”, thotë Alvandi.

Si po i kundërvihen vajzat regjimit të mullave
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:06 0:00

Qeveria iraniane ka bërë përpjekje t’i kufizojë mundësitë e protestuesve për t’u koordinuar, duke bllokuar disa media sociale dhe aplikacione të mesazheve, por, deri më tash, nuk ia ka dalë.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë raportuar për qindra protestues të vrarë dhe mijëra të arrestuar, por shifrat janë hedhur poshtë nga regjimi.

Media shtetërore e Iranit i ka etiketuar protestuesit me terma poshtërues, si: “anarkistë”, “pa moral”, “të izoluar”. Protestat nuk kanë të bëjnë me hixhabin, ka thënë udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Ato janë nxitur nga “armiqtë e huaj që përpiqen të minojnë kombin iranian”, ka thënë ai.

Protestat vijnë në kohën kur, sipas shifrave që ka publikuar Qendra e Statistikave të Iranit, rreth 77 për qind e iranianëve të moshës 15-24 vjeç, as nuk punojnë, as nuk trajnohen, as nuk studiojnë. Ka, po ashtu, raporte të vazhdueshme për korrupsion sistematik dhe rritje të pabarazive socio-ekonomike.

Firuzeh Mahmoudi, nga organizata “United for Iran” me seli në San Francisko, thotë se të rinjtë iranianë nuk shohin perspektivë për të ardhme më të mirë me këtë regjim. Dhe kjo u jep atyre kurajë e guxim.

“Ata shohin vëllezërit dhe motrat e tyre më të mëdha dhe thonë: kjo nuk është jeta që duam të bëjmë; do ta përdor trupin tim si mburojë për të sjellë ndryshime; do të rrezikoj të humbas jetën ose lirinë time për një të ardhme më të mirë”, thotë Mahmoudi.

I pyetur nëse protestat mund ta rrëzojnë regjimin iranian, historiani Roham Alvandi, nga Shkolla Ekonomike në Londër, përgjigjet:

“Mendoj që po. [Por], nuk jemi aty ende. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe mos ta ngatërrojmë realitetin me shpresat e shumë njerëzve që duan të shohin fundin e këtij regjimi. Mendoj se sa më shumë që të zgjasin protestat, aq më të mëdha do të jenë shanset që kjo të ndodhë”.

Iranianët shënojnë 40 ditë nga vdekja e Mahsa Aminit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Për Firuzeh Mahmoudin, epilogu i protestave nuk është ende i sigurt. Por një gjë, sipas saj, duket më qartë: gjenerata Zoomers do të ketë rol aktiv në formësimin e së ardhmes së vendit të tyre.

“Kutia e Pandorës është hapur dhe nuk ka kthim prapa. Njerëzit janë shumë të qartë për atë që duan. Gratë janë arrestuar nëse i kanë zbuluar flokët vetëm pak. Tani, ato i heqin hixhabet kudo, në metro, në restorante, në parqe, në universitete. Si e kontrolloni këtë? Si mund të ktheheni prapa? Në anën tjetër, nëse [regjimi] bën koncesione, identiteti i tij do të lëkundej ose shkatërrohej. Unë nuk jam e sigurt se çfarë do të bëjë, por padyshim se është në një pozitë të brishtë”, thotë Mahmoudi.

Përpara Revolucionit Islamik më 1979, kur Irani sundohej nga mbreti laik, Mohammad Reza Pahlavi, shumë gra e kanë veshur hixhabin, qoftë për shkak të traditës, identitetit, fesë apo presionit familjar. Por, shumë gra kanë zgjedhur po ashtu të veshin rroba të stilit perëndimor: xhinse të ngushta, minifunde apo bluza me mëngë të shkurtra. Gratë kanë gëzuar edhe të drejtën e kujdestarisë mbi fëmijët e tyre dhe të drejta të tjera që sot nuk i kanë.

Teheran, 1970.
Teheran, 1970.

Protestat në Iran janë vazhdimisht në faqet e shtypit perëndimor. Gjenerata Zoomers po dridh strukturën e vjetër klerikale të Iranit “në një shkallë të paparë që nga revolucioni i 1979-ës”, ka shkruar Foreign Policy. Protestat pas vdekjes së Mahsa Aminit mund ta ndryshojnë Iranin, ka shkruar Time. Por, se çfarë do të ndodhë... presin të shohin të gjitha gjeneratat e Iranit.

XS
SM
MD
LG