Ndërlidhjet

A do të bëhet Mali i Zi vendi i parë pa koronavirus në Evropë?


Podgoricë.

Asnjë rast i ri i me koronavirus për një periudhë të zgjatur kohe.

Për shumicën e vendeve në botë, kjo është një dëshirë, më shumë sesa synim real.

Por, Mali i Zi, një vend i vogël në Ballkan me rreth 600,000 njerëz, thotë se është në prag të arritjes së tij.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka thënë më 25 maj se ky vend nuk ka asnjë rast të regjistruar me koronavirus. Njoftimi i tij ka ardhur një ditë pasi pacienti i fundit i infektuar është shëruar.

Tani, nëse nuk raportohet për raste të reja, Mali i Zi planifikon ta shpallë veten pa koronavirus më 2 qershor, në përputhje me udhëzimet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Teknikisht do të ishte vendi i parë që do ta deklaronte veten pa koronavirus. Sllovenia e ka bërë një gjë të tillë së voni, por ka raportuar raste të reja më vonë.

Expose: Mali i Zi - afër eliminimit të koronavirusit!

Qeveria malazeze shpreson se statusi “corona-free” apo “pa koronavirus” do t’i japë shtytje industrisë së turizmit, duke iu ofruar siguri vizitorëve të huaj se gjithçka është në rregull.

Mali i Zi ka raportuar për rastin e parë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, më 17 mars. Ka qenë vendi i fundit në Evropë që ka konfirmuar rastet e tilla. Në total ka identifikuar 324 raste dhe nëntë vdekje të lidhura me koronavirus.

Si e vërteton një vend se është pa koronavirus?

Mali i Zi ka thënë se nëse nuk regjistron asnjë rast të ri me COVID-19 deri më 2 qershor, ai do të jetë i lirë nga virusi ngjitës. Pse? Sepse, në këtë datë bëhen saktësisht 28 ditë qëkur është identifikuar rasti i fundit.

OBSH-ja e shpall një vend pa virus kur nuk ka raste të reja gjatë dy periudhave maksimale të inkubacionit. Në rastin e COVID-19, OBSH-ja ka thënë se periudha maksimale e inkubacionit është 14 ditë.

Në të kaluarën, OBSH-ja ka lëshuar deklarata zyrtare për përfundimin e krizës shëndetësore në një vend, siç ka vepruar për shembull me Ebolën në vitin 2014. Nuk është e qartë nëse dhe kur OBSH-ja planifikon të bëjë diçka të tillë në Mal të Zi.

Si e ka arritur këtë?

Mali i Zi i ka ndaluar të gjitha udhëtimet me vatrat e koronavirusit në Itali, Spanjë dhe provincën Hubei të Kinës - ku virusi është zbuluar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 - si dhe me Korenë e Jugut, më 10 mars.

Më 15 mars, dy ditë përpara se të konfirmonte rastin e parë me koronavirus, i ka mbyllur kufijtë për të gjithë të huajt, përveç atyre me qëndrim të përkohshëm dhe të përhershëm.

Në fillim të marsit, ndërkaq, qeveria ka mbyllur shkollat dhe ka ndaluar tubimet publike dhe aktivitetet në natyrë.

Podgoricë, 25 maj
Podgoricë, 25 maj

Mali i Zi është lavdëruar në përgjithësi edhe për testimet që ka bërë: më shumë se 12,000 deri më 26 maj.

Një veprim që ka shkaktuar kritika ka qenë kur Qeveria malazeze ka publikuar emrat dhe adresat e njerëzve në izolim, për shkak të rrezikut nga infektimi.

“Le ta dijë çdo qytetar se kush nga fqinjët dhe bashkëqytetarët e tij i vë ata në rrezik", ka thënë Qeveria malazeze në fund të marsit, kur listat janë postuar në internet.

Në një moment, emrat dhe vendndodhjet e afro 6,000 njerëzve - rreth 1 për qind e popullsisë së Malit të Zi - kanë qenë publike në faqen e internetit të qeverisë.

Me rënien e numrit të rasteve të reja me koronavirus, Qeveria malazeze ka nisur lehtësimin e masave të izolimit më 30 mars.

A do të ringjallet turizmi?

Në adresimin e tij më 25 maj, Markoviq ka thënë se Mali i Zi do t’i hapë kufijtë e tij me vende që nuk kanë më shumë se 25 raste me koronavirus në 100,000 banorë. Kufijtë janë rihapur më 1 qershor.

Operatorët turistikë janë ende në pritje të një sezoni të vështirë, por shpresojnë se statusi “pa koronavirus” do ta zbusë goditjen ndaj industrisë së turizmit, e cila përbën një të pestën e bruto prodhimit të brendshëm në Mal të Zi dhe punëson rreth 19 për qind të fuqisë punëtore.

Numri i vizitorëve, megjithatë, pritet të bie më poshtë se 2.6 milionë - sa ka qenë vitin e kaluar.

*Expose: Si do të duken pushimet verore?

Si do të duken pushimet verore këtë vit?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:10:21 0:00

Parashikimet janë që edhe të ardhurat nga turizmi të bien deri në 70 për qind.

Grackat e mundshme

Zoran Radovanoviq, epidemiolog dhe profesor në pension në Beograd, ka thënë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë më 19 maj se "çdo epidemi është gjithashtu fenomen shoqëror dhe ekonomik".

Podgoricë, 25 maj
Podgoricë, 25 maj

Zyrtarët malazezë "padyshim se i kishin arsyet e tyre ekonomike dhe financiare: një numër të madh të punëtorëve që duhej t’iu paguanin kompensim, një ekonomi të stagnuar dhe arsye të tjera. Kështu që autoritetet vlerësuan se ishte më e leverdishme të thuash se epidemia mbaroi. Por, të mos harrojmë se masat parandaluese zbatohen ende në Slloveni", ka thënë Radovanoviq.

Sllovenia ka njoftuar për fundin e shpërthimit të koronavirusit në atë vend më 14 maj.

Situata e tanishme "e bën të mundur qetësimin e masave që ishin urgjente për të frenuar dhe menaxhuar COVID-19, por ato ende nuk mund të shfuqizohen plotësisht", ka thënë Qeveria sllovene atë ditë.

Kryeministri Janez Jansa ka thënë më 14 maj se Sllovenia ishte "vendi më i suksesshëm në Bashkimin Evropian në trajtimin e epidemisë".

Sllovenia, megjithatë, ka raportuar për një rast të ri me koronavirus më 25 maj.

Në Mal të Zi, disa janë skeptikë ndaj pretendimeve të qeverisë se vendi mund të jetë pa koronavirus, duke thënë se infeksionet e mundshme mund të jenë të heshtura për shkak të testimeve jo të mjaftueshme dhe mungesës së simptomave në disa raste.

"Nuk ndjehem më mirë ose më e sigurt, sepse kanë testuar shumë pak njerëz në Mal të Zi", ka thënë Desanka Rakçeviq, qytetare nga Podgorica, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. "Dhe si do ta dinë se sa prej nesh janë pa simptomat kryesore…".

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG