Ndërlidhjet

Tubimi në Podgoricë përfundon pa incidente


Malazezët mbajnë “tubim patriotik”
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Në Sheshin e Pavarësisë në Podgoricë u mbajt një "tubim patriotik", për siç thanë organizatorët, mbrojtjen e Malit të Zi si shtet të pavarur.

Ky tubim, ku morën pjesë mijëra qytetarë, kaloi i qetë dhe nuk u raportua për asnjë incident.

Qytetarët që morën pjesë në këtë tubim kënduan himnin e Malit të Zi dhe këngë patriotike. Po ashtu ata valvitën flamurin shtetëror.

Të gjithë të pranishmit kanë qenë të veshur me ngjyrë të kuqe - që është ngjyra që ka flamuri i shtetit të Malit të Zi.

Protestuesit porositën se ata "nuk do ta japin Malin e Zi".

Njëri nga organizatorët, Pegja Vushuroviq tha para të pranishmëve se e vetmja parti që i ka mbledhur në këtë shesh është – Mali i Zi.

"Ne nuk jemi mbledhur për ta ndryshuar rezultatin zgjedhor. Të kishin pasur fituesit e zgjedhjeve atë natë këtë flamur që ju e keni sonte, ne nuk do të kishim arsye që të mblidheshim sonte", tha Nemanja Batriqeviq, njëri nga organizatorët e tubimit.

Në këtë tubim, morën pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Malit të Zi.

Tubimi, siç u tha, u organizua nga një grup i organizatave patriotike malazeze.

Më herët,Policia nuk tha nëse është lejuar ky tubim dhe cilat janë organizatat patriotike që qëndrojnë pas këtij organizimi.

Ftesë për dalje në këtë tubim kishte bërë Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, përmes platformave zyrtare të partisë.

Më 1 shtator, zëdhënësi i kësaj partie, Millosh Nikoliq tha se partia nuk ishte organizatori i tubimit, por se ishin "organizata të caktuara patriotike" që nuk ishin të lidhura me partinë.

Koalicioni opozitar "Për Ardhmërinë e Malit të Zi", i udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb, tha më 5 shtator se, sipas informacioneve që posedojnë, incidente me "pasoja tragjike" mund të ndodhin në "tubimin patriotik" dhe se udhëheqësit e ndërmarrjeve publike dhe ata që janë pranë Partisë Demokratike e Socialistëve, "po detyrojnë punonjësit të marrin pjesë në tubim". Koalicioni u bëri thirrje mbështetësve të tij që të qëndrojnë në shtëpi.

Të dielën, drejtoria e policisë njoftoi se nuk kishte ndonjë informacion se mund të kishte incidente ose prishje të rendit dhe paqes në tubimin në Podgoricë.

Një tubim i ngjashëm u organizua më 3 shtator në Cetinje. Ky është tubimi i dytë që po mbahet në Podgoricë që nga zgjedhjet e 30 gushtit, në të cilin partia e Millo Gjukanoviqit humbi shumicën e saj në parlamentin malazez pas 30 vjetësh.

Ndryshimi që mund t'i kushtojë Malit të Zi
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:09:09 0:00

I pari u mbajt para Kishës së Ringjalljes së Krishtit, gjatë kremtimit të fitores zgjedhore të opozitës, në natën e 1 shtatorit, ku të pranishmit mbajtën flamuj dhe kënduan këngë serbe dhe brohoritën për Serbinë dhe Kosovën.

Gjatë festimit të fitores zgjedhore të tre koalicioneve opozitare, policia raportoi për rritje të incidenteve dhe tensioneve ndëretnike, veçanërisht në Plevle.

Opozita akuzoi policinë dhe partinë e Gjukanoviqit se ishin prapa provokimeve të incidenteve, në mënyrë që t’i jepnin një kontekst negativ fitores së opozitës në zgjedhjet e 30 gushtit, por një akuzë e tillë, u hodh poshtë nga partia e Gjukanoviqit.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në 30 gusht. Tri koalicionet e opozitës fituan më shumë se gjysmën e vendeve në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Malit të Zi.

Nga 81 vende, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Millo Gjukanoviq fitoi 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë, ndërsa tre parti të opozitës fituan 41 vende.

XS
SM
MD
LG