Ndërlidhjet

Mangësitë ligjore vështirësojnë kujdesin ndaj foshnjeve


Një baba mbanë në krah fëmijën e tij të sapolindur.
Një baba mbanë në krah fëmijën e tij të sapolindur.

Lindja e fëmijës së dytë, ishte një pikë kthese për Ekrem Lutfiun, baba i tre fëmijëve.

Megjithëse ligjet aktuale në vend nuk i mundësojnë pushime prindërore të gjata baballarëve, Lutfiu arriti të marrë rreth një muaj pushim prindëror, me leje të punëdhënësit, duke e kombinuar edhe me pushimin vjetor.

Ai thotë se rritja e fëmijëve në kushtet momentale në Kosovë është e vështirë për prindërit, sidomos kur bëhet fjalë për muajt e parë pas lindjes.

“Përmes dispozitave ligjore, duhet të parashihen mundësitë të cilat i lejojnë baballarët të kenë mundësi të marrin pushimet sikur nënat. Besoj mund të ndahet përmes kohëve të caktuara, se kur pushimi të merret nga nëna dhe kur nga babai”, thotë Lutfiu për Radion Evropa e Lirë.

Pushimi i lehonisë dhe ai i atësisë, momentalisht rregullohet në kuadër të Ligjit të punës. Ky ligj parasheh deri nëntë muaj pushim me pagesë për nënën, ndërsa për babain parashihen dy ditë pushim me pagesë.

Në vitin 2018, Lutfiut iu nda çmimi “Babai i Vitit” nga organizata Democracy for Development (Demokracia për Zhvillim), për angazhimin e tij në marrjen e pushimit prindëror dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

Lutfiu thotë se marrja e këtij çmimi ka ndikuar edhe në rrethin e shoqërisë së tij, për të nxitur baballarët për t’u angazhuar më tepër në barazimin e detyrave të kujdesit ndaj fëmijëve në familje.

“Fëmija është gjëja më shtrenjtë në këtë botë dhe ja vlen ta përshkushtosh kohën më të çmueshme te ta”, thotë ai.

Problem që kërkon zgjidhje ligjore

Ndryshimi i mënyrës së rregullimit të pushimit të lehonisë dhe atij prindëror, ka qenë në tentativë që nga viti 2018.

Në atë kohë, kur ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte Skender Reçica, ishte iniciuar një projektligj i veçantë në lidhje me prindërit që punojnë, duke futur edhe termin pushim prindëror për herë të parë, krahas asaj që njihet si pushim i lehonisë.

Ky ligj nuk arriti të kalojë për aprovim në Qeveri apo në Kuvend të Kosovës.

Në anën tjetër, qeveria momentale që udhëhiqet nga Albin Kurti, ka përmendur çështjen e pushimit prindëror në programin qeverisës.

“Do të ndryshojmë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, që këtë mundësi ta kenë të dy prindërit”, thuhet në program.

Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur lëvizje konkrete në drejtim të ndryshimit ligjor që do ta reflektonte këtë premtim.

Ministria e Financave deri në këtë moment, nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me planet konkrete të qeverisë për këtë çështje.

Në anën tjetër, Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh se ligji që rregullon çështjen e lehonisë, është në agjendë legjislative këtë vit dhe në qeveri duhet të dërgohet deri më 20 dhjetor.

Barazia në kujdesin e fëmijëve, pozitive për gratë në tregun e punës

Përveç se baballarët në Kosovë privohen nga mundësia ligjore për pushim me pagesë pas lindjes së fëmijëve, ligji aktual po penalizon edhe gratë në vendin e punës, sipas organizatave joqeveritare.

Organizata Democracy for Development, ka qenë aktive në komentimin dhe dhënien e sugjerimeve, për ligjin që ka të bëjë me pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror.

Valëza Zogjani, hulumtuese nga kjo organizatë, ka treguar se momentalisht nuk kanë informacione nëse qeveria aktuale, do të punojë në draft-ligjin ekzistues.

Megjithatë, ajo përmendi disa sugjerime që i kishin dhënë atëbotë dhe që do duhej të ndiqeshin edhe në një nismë të re ligjore eventuale.

“Kemi kërkuar që leja e atësisë të jetë më e gjatë, së paku një muaj”, tha ajo.

Ajo theksoi se në hulumtimet e organizatës, kanë vërejtur një interesim të baballarëve për mundësi të angazhimit më të madh në kujdesin ndaj fëmijëve, megjithë traditën e përcaktimit të roleve gjinore në këtë çështje.

Sipas Zogjanit, një ligj i ri do të duhej të ketë parasysh kontekstin socio-ekonomik në Kosovë.

“Duhet të sigurohet se ka barazi në ndarje të përgjegjësive dhe duhet të sigurohemi që ka mbështetje financiare, sepse nuk mund të presim prej prindërve t’i ndajnë përgjegjësitë, në rast që nuk është e përshtatshme për ekonomitë e tyre familjare”, tha ajo.

Në programin e qeverisë, në planet lidhur me politikat sociale, është përmendur edhe një pagë prej 250 eurosh për gjashtë muaj për lehonat e papuna, premtim i cili gjithashtu ende nuk është realizuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG