Ndërlidhjet

Manovrat e Putinit me paqeruajtës


Presidenti rus, Vladimir Putin
Presidenti rus, Vladimir Putin

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe zyrtarë të tjerë në Kiev, për kohë të gjatë, kanë bërë thirrje për një forcë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, e cila do të vendosej në lindje të Ukrainës.

Në shkurt të vitit 2015, Poroshenko ka thënë se forca e tillë do të ndihmonte në garantimin e sigurisë “në një situatë, ku premtimi për paqe nuk mbahet”.

Konflikti në lindje të Ukrainës ka shpërthyer në prill të vitit 2014, menjëherë pasi Moska ka pushtuar dhe aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë.

Që atëherë, mbi 10,000 njerëz janë vrarë si rezultat i luftimeve, kanë vlerësuar Kombet e Bashkuara.

Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Moskën për mbështetje të separatistëve pro-rusë me armë dhe fonde – akuza që Kremlini i mohon.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deri më tash, ka shprehur mbështetje të vakët për idenë e paqeruajtësve në lindje të Ukrainës. Por, më 5 shtator, ai ka propozuar dërgimin e tyre atje, ndërsa Gjermania e ka mirëpritur.

Por, a është serioz lideri i Kremlinit?

Propozimi i tij vjen me disa paralajmërime dhe kushte. Fillimisht, Moska do që forca paqeruajtëse të vendoset vetëm përgjatë “vijës së demarkacionit” që ndan forcat e Ukrainës nga separatistët në rajonet Luhansk dhe Donjeck.

Së dyti, detyra e paqeruajtësve do të ishte e kufizuar vetëm në ofrimin e sigurisë për misionin e paarmatosur vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Së treti, separatistët do të duhet të marrin pjesë në të gjitha diskutimet mbi këtë forcë.

Dhe në fund, forca e OKB-së do të vendosej vetëm pas tërheqjes së armëve të rënda nga zona e konfliktit.

Timothy Ash, analist me seli në Londër, thotë se propozimi i Putinit, në fakt, nuk është diçka e re. “Propozimi për paqeruajtësit është i vjetër nga Putini dhe pala ukrainase nuk do ta pranojë”, ka shkruar Ash në gazetën Kyiv Post.

Putin ka bërë propozimin pasi ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të mos dërgojnë armë vdekjeprurëse në Ukrainë.

Sipas Putinit, ndihma e tillë e SHBA-së do të rrisë joqëndrueshmërinë në rajon. Për më tepër, Putin ka thënë se separatistët “mund të vendosin armë në zona të tjera të konfliktit”.

Ky është parë si kërcënim i fshehur nga presidenti rus, nëse Uashingtoni i siguron armë Ukrainës.

Tomthy Ash thotë se Putin është i vetëdijshëm se vëmendja ndërkombëtare është përqendruar tani në qetësimin e krizës rreth Koresë së Veriut.

Kievi dëshiron një forcë të fuqishme paqeruajtëse dhe oferta e Putinit, me sa duket, nuk është e tillë. Megjithatë, Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë se Kievi është “i përgatitur të punojë për këtë çështje”.

Oleksiy Melnyk, ekspert ushtarak në Qendrën Razumkov të Kievit, thotë se propozimi i Putinit e vë Poroshenkon në pozitë të vështirë.

Presidenti Poroshenko ka folur për paqeruajtësit që dy vjet dhe tani Ukraina e ka mundësinë t’i sigurojë ata”, tha Melnyk për shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

Por, motivet e Rusisë janë të dyshimta. Rusia udhëhiqet nga logjika e luftës dhe logjika e arritjes së fitores, ndërsa nuk është e interesuar të zgjidhë konfliktin”, shtoi Melnyk.

Por, nëse propozimi i Putinit fiton mbështetje nga vendet e tjera evropiane, ashtu si nga Gjermania, Melnyk thotë se qeveria e Poroshenkos do të duhet të kundërshtojë shpejt propozimet ruse për të formuar forcën e planifikuar.

Megjithatë, me fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia do të jetë në gjendje të ketë ndikim të konsiderueshëm, thotë Melnyk.

Së paku fillimisht, Gjermania ka qenë e vetmja në Perëndim që e ka mirëpritur publikisht propozimin e Putinit. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka thënë se ai paralajmëron një “ndryshim në politikën ruse” që nuk duhet të rrezikohet.

Por, a mund të jenë paqeruajtësit e OKB-së shpëtimtarë të Ukrainës?

Edhe nëse Kievi merr atë që dëshiron - një forcë e ligjshme paqeruajtëse e OKB-së në zonën e konfliktit dhe përgjatë kufirit me Rusinë - ajo mund të mos ketë efekt në fundin apo qetësimin e tensioneve në rajon. Dhe, kjo ka të bëjë me mandatin e të gjitha misioneve paqeruajtëse aktive të OKB-së.

Sipas Kapitullit V të Kartës së Kombeve të Bashkuara, veprimet e paqeruajtësve të OKB-së janë të kufizuara, thotë Pavel Felgenhauer, një gazetar ushtarak rus.

"Paqeruajtësit, me Kapitullin V, ngasin xhipa të bardhë, shkruajnë raporte dhe vëzhgojnë", tha Felgenhauer për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, Ukraina nuk duhet të ketë iluzione se çfarë mund të sjellë ndonjë mision i mundshëm paqeruajtës i OKB-së.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG