Ndërlidhjet

Mantelbardhët të pakënaqur me koeficientin e ri të pagës


Foto ilustruese

Përcaktimi i koeficientit të pagës për punonjësit në sistemin shëndetësor, po shpërfaqë probleme e mospajtime ende pa u miratuar përfundimisht ligji përkatës.

Projektligji për pagat për sektorin e shëndetësisë, tashmë ka kaluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në Kuvendin e Kosovës, ku pritet t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe miratimit.

Ndonëse janë mbajtur shumë takime ndërmjet Federatës Sindikale të Shëndetësisë dhe aktorëve të tjerë institucionalë për definimin e koeficientit të pagave për punëtorët shëndetësorë, këta të fundit nuk janë pajtuar me rangimin.

Udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se vazhdimisht kanë kërkuar që mjeku specialist të rangohet me koeficientin 6, për dallim me atë 4, sa ka qenë deri tani.

Rangimi me koeficientin 6 u mundëson që pagat e tyre të jenë më të larta.

Po ashtu, për infermierët, të cilët aktualisht janë të kategorizuar me koeficientin 1.9, është kërkuar rangimi në koeficientin 2.7, përkatësisht në 2.2, varësisht nga përgatitja shkollore që kanë.

Marrë parasysh këto mospajtime, projektligji aktual i propozuar nga Qeveria, sipas udhëheqësve të sindikatës, duhet të pësojë disa ndryshime.

Mjeku specialist në Kosovë për punën që kryen, aktualisht paguhet me një pagë prej rreth 600 eurosh në muaj, derisa infermierët me rreth 400 euro në muaj.

Me kalimin e ligjit dhe ngritjen e koeficientit në 5 për mjekun specialist, ata do të paguhen me rreth 1200 euro në muaj. Derisa për infermierët nuk do të ketë ndonjë lëvizje të theksuar.

“Situata e pagave në sektorin e shëndetësisë është e rëndë. Insistimi i sindikatës është që të shohin gjendjen reale dhe nuk kërkohet asgjë më shumë se vendi i merituar i punëtorëve shëndetësorë. Koeficienti është nga 1 deri në 12, dhe mjekët specialistë janë ranguar në 5, derisa ne nuk jemi të kënaqur, pasi kemi kërkuar rangimin në koeficientin 6”.

“Mjekët në specializim në koeficientin 4.5 dhe mjeku i përgjithshëm me 4. Kurse stomatologu jospecialist me koeficientin 4. Me infermierët gjithashtu kemi problem, janë ranguar shumë poshtë. Është diskriminues të nënvlerësohet puna e tyre. Federata nuk do të lëshojë pe. Kemi kërkuar që ata të rangohen me 2.7 apo 2.2 varësisht shkollimit, përderisa ata aktualisht janë të ranguar në 1.9”, ka thënë Syla.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ankesat e infermierëve janë të shumta dhe nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, sipas tij, mund të aplikohet edhe bojkoti i punës.

“Ne kemi ngritur shqetësimet tona se infermierët, nëse nuk do të kenë ngritje të koeficientit, do të këtë telashe sistemi. Neve çdo ditë na marrin licenca për të ikur jashtë vendit. Nuk janë të kënaqur aspak me kategorizimin që e kanë propozuar. Asnjë infermier nuk është i kënaqur. Të gjithë infermierët janë të shqetësuar me kategorizim”, ka bërë të ditur Rrustemaj.

Ende pa u miratuar, projektligji ka nxitur polemika edhe me një kategori tjetër mjekësh që nuk janë marrë parasysh dhe nuk janë futur fare brenda ligjit. Blerim Syla ka thënë se këtu bëhet fjalë për psikologët klinikë, si dhe farmacistët.

Sipas Sylës, Ministria e Administratës Publike nuk i ka marrë parasysh këto kategori ndonëse ka qenë kërkesë e Sindikatës së Shëndetësisë si dhe e Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithëkëtë, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tashmë ka deklaruar se ndonëse ka pakënaqësi dhe kërkesa të tjera mbi projektligjin për pagat, sa i përket sektorit të shëndetësisë, ai ka thënë se ky ligj duhet kalojë, pasi pagat e punëtorëve shëndetësorë edhe me këto rangime, do të rriten dinjitetshëm.

“Konsideroj se ka hapësirë për përmirësim. Ka një ndryshim të madh nga ajo që është paguar dhe që paguhet. Unë jam aleat i këtij ligji që të kalojë, nuk mund ta humbim rastin që ta kalojmë këtë ligj, sepse nëse nuk e kalojmë, do të kthehemi në fillim. Do të jemi më një situatë që do të jetë regres për ne”, ka thënë Ismaili.

Në bazë të statistikave zyrtare, brenda një viti në Kosovë kryhen 10 milionë shërbime shëndetësore dhe më shumë se 50 mijë operacione, ndonëse sistemit i mungojnë më se 5 mijë punëtorë shëndetësorë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG