Ndërlidhjet

Maqedonia e V. e shpall person të padëshirueshëm një diplomat rus


Qeveria e Maqedonisë së Veriut
Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut tha se ka shpallur person të padëshirueshëm një diplomat rus, në përputhje me nenin 9 të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

"Më 14 maj, 2021, ambasadori i Federatës Ruse u thirr në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku iu dorëzua një notë me udhëzimin për largimin e diplomatit nga territori i Maqedonisë së Veriut brenda shtatë ditësh”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas nenit 9 të Konventës së Vjenës, “shteti në të cilin është akredituar diplomati mund - në çdo kohë dhe pa ndonjë detyrim - të shpjegojë vendimin e tij, të informojë shtetin akreditues se drejtuesi ose ndonjë anëtar i stafi diplomatik i misionit është person ‘non grata’ [i padëshirueshëm] ose ndonjë anëtar tjetër i stafit të misionit është i padëshirueshëm”.

“Shteti që ka bërë akreditimin do të vendosë ta tërheqë personin në fjalë ose do të konstatojë përfundimin e funksionit të tij”, thotë neni 9 i Konventës së Vjenës.

Mediat në Shkup raportuan se bëhet fjalë për diplomatin Sergej Aleksandroviç Bazdikin.

Sipas mediave, arsyeja për shpalljen e tij person ‘non grata’ ka të bëjë me veprime që nuk përputhen me sjelljen e pritur nga ana e një diplomati të huaj, që shërben në një vend mikpritës.

XS
SM
MD
LG