Ndërlidhjet

Në Maqedoninë e V. ulet numri i të infektuarve


Një punonjës shëndetësor i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Shkup dezinfekton autoambulancën e kësaj klinike.

Në Maqedoninë e Veriut shënohet ulje e numrit të personave të infektuar me COVID-19, dhe kjo sipas Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, është rezultat i masave para parandalimin e përhapjes së virusit.

Për dallim nga dy javët e kaluara kur numri i të infektuarve arrinte në mbi një mijë persona, në katër ditët e fundit ky numër është ulur nën një mijë ndërsa të dielën dhe të shtunën edhe nën 500 të infektuar.

“Të dielën kishim rreth 490 raste të reja, që do të thotë më pak se 500, dhe numri i ekzaminimeve në spitale po zvogëlohet. Një nga treguesit më të mëdhenj janë ekzaminimet në Klinikën Infektive dhe ka një mesatare prej 120 dhe 130 kur kishte shumë presion mbi spitalet, tani ky numër është rreth 90. Nuk ka më numër të madh pacientësh të shtruar në spitalin e Tetovës, tani është 90 krahasuar me 120 që ishte më parë”, deklaroi të hënën (6 shtator), ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai tha se institucionet po monitorojnë edhe gjendjen në shkolla, ku javën e kaluar ishin paraqitur 14 raste të të infektuarve, por jashtë objekteve shkollore.

Filipçe tha se gjendja do të mbetet e tilla nëse nxënësit dhe shkollat do të respektojnë protokollet për mbarëvajtjen e procesit mësimor me prani fizike.

“Për momentin nuk shohim se shkollat janë një rrezik sa i takon situatës epidemiologjike, pra shëndetit të fëmijëve. Këto numra që kemi deri më tani tregojnë se numri i nxënësve që janë të sëmurë është vërtet i vogël”, tha Filipçe.

Ai ka bërë thirrje për vaksinimin e popullatës, në veçanti në zonat ku përqindja e të imunizuarve është e ulët, si në Tetovë, Gostivar dhe qytetet tjera të pjesës perëndimore të vendit. Si pasojë e mos vaksinimit, numri i të infektuarve por edhe i të vdekurve është më i lartë. Nga 480 të vdekur në katër javët e fundit, 429 nuk ishin të vaksinuar. Prej tyre, në Tetovë janë regjistruar 106 viktima ndërsa në Gostivar 73.

Deri në hënën, sipas të dhënave zyrtare, me nga dy doza janë vaksinuar më shumë se 600 mijë qytetarë.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në më shumë se gjashtë mijë persona kurse i rasteve aktive me COVID-19 në më shumë se 15 mijë persona.

XS
SM
MD
LG