Ndërlidhjet

Trump vendos sot për marrëveshjen bërthamore


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Foto nga arkivi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Foto nga arkivi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pritet që sot të njoftojë për vendimin e tij lidhur me marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Trump, që ka qenë kritikues i marrëveshjës së arritur në mes të Iranit dhe fuqive botërore, ka kërcënuar se Uashingtoni mund të tërhiqet nga ky pakt, nëse nuk përmirësohen ato që ai i cilëson si “të meta” të këtij pakti.

Presidenti amerikan u ka bërë thirrje fuqive evropiane, nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, që të arrijnë një marrëveshje shtesë për këtë çështje.

Ndërkaq, Franca, Gjermania dhe Britania – nënshkruese të paktit bërthamor - i kanë bërë thirrje presidentit Trump që të qëndrojë në këtë marrëveshje, duke argumentuar se një gjë e tillë do të ishte mënyra më e mirë për të frenuar aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Teherani përmes kësaj marrëveshjeje përfiton lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Fuqia e një marrëveshjeje bërthamore
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:20 0:00

Presidenti iranian, Hassan Rohani, ka thënë se SHBA “do të pendohet” nëse tërhiqet nga marrëveshja.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, më herët ka kërcënuar se shteti i tij mund të rinisë programin bërthamor, nëse SHBA vendos të tërhiqet nga pakti i vitit 2015.

Agjencia Reuters ka parashikuar disa skenare të mundshme lidhur me vendimin që Trump pritet të bëjë publik në orën 14, sipas kohës lokale të Uashingtonit.

Skenari i parë ka të bëjë me vendimin e Trumpit që të heq dorë nga rivendosja e sanksioneve, duke ua lënë në dorë fuqive evropiane që të arrijnë një marrëveshje shtesë.

Skenari i dytë, Trump nuk do të hiqte dorë nga sanksionet dhe do të ishte në dorën e Iranit nëse do të vendoste të respektonte këtë marrëveshje.

Sipas një skenari tjetër, Trump do të mund të mos vendoste sanksione por të linte të hapur mundësinë që ta rikonsiderojë këtë opsion.

Ndërkaq, skenari i fundit është ai për vendosjen e sanksioneve dhe presidenti Trump do të mund të argumentonte këtë qëndrim të tij me pretendimet që i ka bërë edhe më herët, se Irani po shkel marrëveshjen.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu prezantoi të dhëna, të cilat sipas tij, dëshmojnë se Irani ka një program sekret bërthamor dhe po kërkon që të krijojë armë bërthamore.

Pretendime të tilla u kundërshtuan nga Teherani, por u mirëpritën nga Uashingtoni.

Kombet e Bashkuara dhe fuqitë botërore i kanë bërë thirrje Trumpit që të vazhdojë të qëndrojë në marrëveshje.

Thirrje të tilla, gjatë vizitave në Uashington bëri edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe së fundmi edhe Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson.

Nënshkrues të marrëveshjes bërthamore me Iranin janë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Gjermania dhe Britania.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG